Përkujtimi i Holokaustit të romëve: këmbanë alarmi për diskriminimet e sotme
R.SH. - Vatikan
“Porrajmos” në gjuhën rome do të thotë “shkatërrim, asgjësim”. Pikërisht, me këtë term kujtohet sot Holokausti i romëve dhe i sintëve gjatë regjimit nazifashist. Që nga fillimi i përndjekjes së tyre, më 1936, mbi 500.000 vetë humbën jetën në kampet e vdekjes. Nata më e tmerrshme e persekutimit u përjetua si sot, ndërmjet 2 dhe 3 gushtit 1943, kur më shumë se 4 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, u shfarosën në dhomat e gazit në “kampin e ciganëve” në Aushvic. Që nga viti 2015, Parlamenti Evropian vendosi ta përkujtojë solemnisht këtë ditë.
Kishat e Evropës (Cec): duhet vepruar kundër diskriminimit
Vigjilencë, reagim dhe denoncim “kundër të gjitha formave të diskriminimit”, për të “mbrojtur të drejtat e njeriut, veçanërisht ato të popullsive më të brishta e më të diskriminuara”. Konferenca e Kishave të Evropës i fton qytetarët e kontinentit të reflektojnë mbi këtë Ditë, e cila duhet të shërbejë si një paralajmërim kundër diskriminimit të romëve dhe sintëve, që vijon edhe sot. “Mos harroni - thekson rev. Christian Krieger, kryetar i Konferencës së Kishave Evropiane - nuk është thjesht detyrë për të kujtuar besnikërisht të kaluarën, është mbi të gjitha, detyrë ndaj së tashmes dhe të ardhmes. Diskriminimi kundër romëve vazhdon dhe Kishat duhet të jenë vigjilente, të luten dhe të veprojnë për të mbrojtur të drejtat e njeriut të të gjithë njerëzve, veçanërisht të më të brishtëve”.
Homazhi i institucioneve
Institucionet evropiane bënë sot homazhe në kampin e përqendrimit Aushvic-Birkenau. Po ashtu edhe në Strasburg. Një mënyrë, për të mos harruar se “mizoritë e kryera në të kaluarën - thuhet në një deklaratë - na kujtojnë se barazia dhe mosdiskriminimi janë vlera, që nuk mund të konsiderohen si të dhëna një herë e përgjithmonë: mbrojtja e tyre kërkon të jemi përherë vigjilentë dhe të gatshëm për t’iu kundërvënë atyre, që i cënojnë”.