Kërko

 Poloni: Kisha përkujton martirët e Luftës II Botërore Poloni: Kisha përkujton martirët e Luftës II Botërore 

“Njeriu i kohës së gurit” - lufton Luftën II Botërore

80-vjet më parë gjermanët shkelnin kufirin e Polonisë: ishte hapi i parë i Luftës II Botërore, me pasoja tejet të rënda për mbarë njerëzimin që, duke mos dashur të bashkohet për paqen, domethënë për jetën, u bashkua për luftën, domethënë për vdekjen. Këtë kujtojmë sot, duke shpresuar që bota ta ketë nxënë sadopak mësimin e historisë.

R. SH. - Vatikan

Je ende ai i kohës së gurit e bahres,

njeriu i kohës sime...

Kështu e quante  njeriun që  ndezi -  e edhe atë që u detyrua të rrokë armën - poeti italian Salvatore Quasimodo –

Të pashë: ishe ti,

me shkencën tënde  të saktë shfarosëse,

pa dashuri, pa Krisht”!1

vijon, duke kujtuar atë konflikt të tmerrshëm, më i madhi, më i kushtueshmi e më shkatrrimtari, që la pas vetëm varre e rrënoja. 60 milionë varre ndërmjet viteve 1939 e 1945,  hapur në mbarë planetin e kthyer në gërmadhë.  Rreth 50 milionë burra e gra shërbenin në forcat e armatosura e 2/3 e prodhimit brut të vendeve në konflikt, shpenzoheshin për të financuar luftën. Ndeshja tragjike nuk ishte vetëm rezultat i mungesës së ekuilibrit të politikës botërore, por edhe pasojë e armiqësive dhe ambicjeve, mbetur pa u realizuar nga Lufta I Botërore. Ndeshej Gjermania naziste dhe aleatët e saj të afërt e të largët (aleati më i largët, Japonia) - me Bashkimin Sovjetik e satelitët e tij. Arma e parë gjermane shkrehej në trojet polake, më 1 shtator 1939. Të gjitha përpjekjet për të mos dëgjuar një shkrehje të dytë, shkuan kot. Niste lufta-rrufe! Me shpikjet më të reja luftarake, nga aeroplanët, tek tanket e gati-gati, tek raketat, shoqëruar edhe me komunikimet përmes radios. Brenda vitit 1940, tri fuqitë: Gjermania, Italia e Japonia kishin krijuar Aleancën Tripalëshe. E flaka e luftës thithi edhe vende të tjera në ndeshje derisa, më 1941, në front nisën të shkreheshin edhe armët amerikane. SHBA-të hynë në luftë kundër  gjermanëve, duke siguruar fundin e nazizmit. Për t’i hapur rrugën një sundimi edhe më të rrezikshëm: atij komunist, që vuri nën thembër një pjesë të mirë të Azisë e të Evropës. Lufta pati si pasojë paqen e pasigurt, të paqëndrueshme. Po çmimi i vuajtjeve, që paguan miliona njerëz, të ngatërruar  dashur pa dashur në këtë kasaphanë, qe i tmerrshëm.

E megjithatë: siç shkruan poeti italian Ungaretti, duke përshkruar një natë në llogore, mbi kokën e një shoku të masakruar, që kërcëllonte dhëmbët nga dhembjet, në agoni:

 “Kurrë nuk kam qenë aq i lidhur me jetën/

Sa atë natë!”.2  

Atë natë apo ata netë, kur heshtën muzat sepse - shkruan akoma Quasimodo:

“E si mund të këndonim atëhere,

me këmbën e të huajit mbi zemër

ndërmjet të vdekurve, braktisur ndër sheshe

mbi barin e ngrirë nga akulli e nga vaji

me kujën e zezë,

të nënës  që vraponte drejt birit

kryqëzuar mbi shtyllat e telegrafës….

.. .

Edhe çetrat tona  të varura,

lëkundeshin ngadalë nga era e trishtë!

Këtë sjell lufta, e para, e dyta e edhe ajo që Françesku e quan Lufta III Botërore, e luftuar vende-vende!

2 Salvatore Quasimodo: “Alle fronde dei salici”

2 Ungaretti: “Veglia”

30 gusht 2019, 14:47