Cerca

Vatican News
 Kabul: pamja e sallës, pas atentatit Kabul: pamja e sallës, pas atentatit 

Afganistan: atentat në një dasëm, të paktën 63 të vdekur

Hidhet në erë një kamikaze në Kabul, në lokalin ku kremtohej një dasëm. Grupi i Shtetit Islamik pranon autorësinë e masakrës.

R. SH. - Vatikan

Më se 63 të vdekur e 182 të plagosur, bilanci i atentatit kryer natën e kaluar në Kabul, Afganistan, gjatë një dasme. Ndërmjet viktimave, gra e fëmijë. Njoftimin e jep Ministria e Brendshme afgane.

Autori i masakrës, Isis. Reagimet politike

Isis në Afganistan pranoi përgjegjësinë e sulmit, ndërsa presidenti Ashraf Ghani u trondit thellë, kur u njoftua për këtë masakër të re. Kreu i qeverisë, Abdullah Abdullah e dënoi me forcë atentatin, duke e quajtur “mizor e çnjerëzor”. Ndësa talebanët e mohuan çdo lloj bashkëpunimi “me këtë masakër". “Nuk mund të ketë asnjë justifikim për krime të tilla brutale, gjatë të cilave nuk kursehen as gratë e fëmijët” - tvitoi një nga zëdhënësit e tyre.

“Është e dhimbshme ta shikosh botën me sy mbyllur përballë vuajtjes së padurueshme të popullit tonë, shkaktuar nga duar terroriste e injoruar përtej kufijve” -  theksoi kryetari i stafit  të sigurimit kombëtar, Rafi Fazil.

Realizimi i sulmit

Shpërthimi u realizua brenda një salle për dasma, në pjesën perëndimore të kryeqytetit, rreth orës 22.30 me orën vendase. Dëshmitarët, që panë me sytë e tyre ngjarjen, njoftuan, për agjencinë Ansa, se atentatori vetëvrasës  u hodh në erë ndërmjet dasmorëve brenda lokalit. Zakonisht në dasma marrin pjesë qindra dasmorë. Kur shtrohet gostia, gra e burra, të ndarë në dy dhoma të veçanta, hedhin vallet vendase, duke kënduar këngët tipike të dasmës, shoqëruar nga hengxhinjtë.

Më se 3000 civilë të vrarë në vitin 2018

Sipas Kombeve të Bashkuara, korriku ka qenë muaji më i përgjakshëm, që nga maji 2017, me më se 1.500 civilë të vrarë ose të plagosur në të gjithë vendin. Më 2018 humbën jetën 3.804 civilë, ndërmjet të cilëve, 900 fëmijë.

Shpresa të reja nga bisedimet

Sulmi i së shtunës arrin, ndërsa popullsia afgane, e raskapitur nga dhuna pa dallim, shpreson në një marrëveshje ndërmjet SHBA-ve e talebanëve, gjë që do t’i hapte rrugën bisedimeve për paqen ndërmjet qeverisë afgane dhe grupit islamist. Marrëveshja mund të jetë e shpejtë. Mbeten për t’u shqyrtuar vetëm disa pika. Sipas saj, parashikohet tërheqja graduale e 14.000 ushtarëve amerikanë, nëse milicitë islamiste do të angazhohen të shmangin rrezikun që Afganistani të bëhet strehë xhihadistësh.

18 gusht 2019, 15:20