Kërko

 Pasojat e sulmit në Somali Pasojat e sulmit në Somali 

Somali: dhjetra të vdekur e të plagosur, në një atentat të al-Shabaab

Terroristët godasin përsëri Somalinë. Sulmohet me autobombë një nga hotelet e qytetit Chisimaio, duke shkaktuar së paku 29 të vdekur e dhjetra të plagosur.

R. SH. - Vatikan

Vijon të derdhet gjak në Somali. Të premten e kaluar një autobombë  e milicëve të al-Shabaab shpërtheu përballë hotelit Asaseys, në qytetin bregdetar Chisimao, jug i vendit. Pas shpërthimit, grupi xhihadist, i lidhur me al-Kaidën, nisi të qëllojë me armë zjarri, duke u ndeshur me policinë, ndeshje, që vijoi edhe brenda hotelit. Në ndërtesë qenë mbledhur parlamentarët dhe dinjitarët vendas. Sipas burimeve të policisë somale,  shumica e viktimave ishin klientë të hotelit: një britanik, tre keniotë, tre tanzanianë, dy amerikanë e një kanadez. Ndërmjet tyre, dy gazetarë: afrokanadezja Hodam Nalayeh dhe bashkëshorti i saj Farid Jama Suleiman. Duhet kujtuar se nuk është hera e parë, që ndodh një ngjarje e tillë: prej vitesh vendi tronditet rëndë nga sulme të vazhdueshme.   

Vend i martirizuar nga terrorizmi

“Situatë tepër e rëndë në një qytet, për të cilin mendohej se ishte nën kontrollin e qeverisë së Mogadishos” - kjo, analiza e Enrico Casale-s, në revistën “Afrika” të Etërve të Bardhë. “Atentati e rikthen vëmendjen mbi  situatën në Somali, që nuk është, sigurisht, aspak e qetë, si mendohej. Institucionet janë të pranishme dhe të mbështetura nga Bashkësia ndërkombëtare, por kontrollojnë pak zona të vendit”. “Al-Shabaab ka nën kontroll pjesën e brendshme - vijon të shpjegojë Casale - prandaj është ende në gjendje të drejtojë veprimtari, të cilat i sigurojnë fondet e nevojshme  për organizimin e aktiviteteve, që kërkojnë një farë organizimi logjistik  e ushtarak”.

Përveç Somalisë, në Afrikë ka shumë territore të tjera, që drejtohen e kontrollohen nga terroristët, si Boko Haram në veri-perëndim të Nigerisë dhe grupe të ndryshme, të varura nga al-Kaeda dhe Shteti Islamik në Sahel; ndërkaq Egjipti vijon betejën kundër kryengritjes së grupve xhihadiste në Sinai.

14 korrik 2019, 16:36