Kërko

1562587326270.jpg

Lajme nga bota: në Greqi fiton e djathta; marrëveshje në Afrikë

Në Greqi fiton e djathta e Mitsotakis; marrëveshje në Afrikë për një zonë shkëmbimi të lirë ndërmjet 54 vendeve; në Indi, 29 viktima e 18 të plagosur nga një aksident me autobus; kancelaritë e botës, të shqetësuara për pasurimin e uraniumit në Iran

R.SH. - Vatikan

Në Greqi fiton e djathta e Mitsotakis

“Greqia do të ngrejë kokën përsëri me krenari”: kështu komentoi fituesi i zgjedhjeve dhe kryeministri i ardhshëm grek, Kyriakos Mitsotakis, pas fitores së djeshme. Djali i ish-kryeministrit, Konstantinos Mitsotakis, theksoi se zgjedhjet i dhanë atij një mandat të fuqishëm për ndryshime, por shtoi se ai do të jetë kryeministri i të gjithëve, sepse grekët janë “shumë pak për t’u ndarë”.

Partia e tij e djathtë “Nea Dimokratia” mori 39.5% të votave kundrejt 31.3% të Syriza-s së kryeministrit aktual Alexis Tsipras. “Do të respektoj shpresat e popullit grek”, shtoi 51-vjeçari fitimtar. Ndërkaq, Tsipras deklaroi se e pranon rezultatin dhe votën e popullit grek. Partisë Syriza, nënvizoi më pas, i është dashur të marrë vendime të vështira për kapërcimin e krizës greke, duke paguar një çmim të lartë për këtë, në nivel politik.

Komenti i Imzot Antonios Voutsinos, president i Caritasit të Greqisë: "Greqia është një vend i varfër dhe politikat nuk mund të ndikohen nga klasat më të pasura". Kriza nuk ka mbaruar, koha për premtime gjithashtu...

Marrëveshje në Afrikë për një zonë shkëmbimi të lirë ndërmjet 54 vendeve

Ditë historike dje në Afrikë. Në Niamey të Nigerit, të gjitha vendet e kontinentit përveç Eritresë, vendosën të heqin gradualisht taksat doganore ndërmjet tyre, duke krijuar kështu, një zonë shkëmbimi të lirë tregtar. Do të jetë tregu më i madh i botës.

Marrëveshja e përgjithshme, e diskutuar gjatë 4 viteve të fundit, u nënshkrua nga 54 ndër 55 vende, për shkak të konfliktit ndërmjet Eritresë dhe Etiopisë. Por tani që dy vendet janë në paqe, Asmara i ka kërkuar Bashkimit Afrikan të marrë pjesë në traktat. Pikërisht për shkak të xhunglës së tarifave, që mbizotëronte deri tani, vendet afrikane mund të kenë shkëmbime tregtare ndërmjet tyre deri në një volum prej 16%, ndërsa, me Evropën për shembull, kanë një volum shkëmbimesh prej 65%. Gjendja duhet të përmirësohet tani që tregu i unifikuar afrikan do të ketë në dispozicion 1.3 miliardë njerëz.

Në Indi, 29 viktima e 18 të plagosur nga një aksident me autobus

Së paku 29 vetë gjetën vdekjen dhe 18 të tjerë u plagosën në veri të Indisë, pas rënies së autobusit me të cilin udhëtonin, në një kanal buzë rrugës. Shumica e udhëtarëve flinin, gjatë këtij aksidenti në superstradën Yamuna Expressway, drejt kryeqytetit Nju Delhi. Nëpër rrugët e Indisë humbin jetën çdo vit 150 mijë vetë e plagosen rreth 470 mijë të tjerë. Pjesa më e madhe e aksidenteve ndodh, për shkak të shoferëve, ose të rrugëve të këqija.

Kancelaritë e botës, të shqetësuara për pasurimin e uraniumit në Iran

Njoftimi i Teheranit për rifillimin e veprimtarisë së pasurimit të uraniumit shqetëson kancelaritë botërore. Nga Brukseli tek Londra, Berlini dhe Parisi, Iranit i mbërrijnë ftesa për ta ndryshuar këtë qëndrim, por fjalët e ministrit të jashtëm Araghchi nuk lënë dyshime. Ai theksoi se Irani nuk do të kushtëzohet nga marrëveshja e nënshkruar më parë, duke konfirmuar rifillimin e veprimtarisë së pasurimit të uraniumit. Marrëveshja, sipas Teheranit, është shkelur nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian, me vendosjen e sanksioneve të reja, që e kanë dobësuar jashtëzakonisht ekonominë kombëtare.

Si rezultat, laboratorët bërthamorë iranianë do ta rrisin pasurimin e uraniumit përtej kufirit prej 3,67%, parashikuar nga marrëveshja, por duke u dhënë palëve 60 ditë për bisedime të reja, që duhet, së paku, të neutralizojnë embargon mbi eksportin e naftës, dashur nga Uashingtoni. Pikërisht SHBA-të, duke u tërhequr njëanshëm nga marrëveshja, në vitin 2018, kontribuan në rritjen e tensionit për këtë çështje.

08 korrik 2019, 14:34