Kërko

La Croce dolomiti  foto da don David Gjugja La Croce dolomiti foto da don David Gjugja 

Koha e pushimeve të trupit e të shpirtit

Pushimet verore janë kohë e përshtatshme jo vetëm për pushimin e trupit por edhe për meditime, këndej të shpirtit. Pra, pushimet si kohë e përshtatshme për të çlodhur trupin e për të ushqyer shpirtin.

R.SH. - Vatikan

Tashmë shumë njerëz kanë filluar t’i kalojnë javët e korrikut në vende të ndryshme verore, larg impenjimeve të detyrueshme, duke u çlodhur, pas një viti të gjatë me punë, ngarkuar plot me çështje të ndryshme, sivjet tejet të ndërlikuara. Por Kisha katolike pushimet verore nuk i koncepton si një hapësirë të zbrazët kohore, si kohë kur lihen pas të gjitha andrallat e rendet pas kënaqësive, që nuk mund të realizohen gjatë kohës së punës, për njëmijë arsye.

Pushimet verore janë kohë e përshtatshme jo vetëm për pushimin e trupit por edhe për meditime, këndej të shpirtit. Pra, pushimet si kohë e përshtatshme për të çlodhur trupin e për të ushqyer shpirtin.

Prandaj, vetë Kisha na kujton se i krishteri duhet ta mbushë këtë hapësirë kohe jo vetëm me pushimin e trupit, por edhe e sidomos, me prehjen e shpirtit, me lutje, meditim, me përpjekjen për ta thelluar miqësinë me Krishtin Zot. Kur ke më shumë kohë të lirë, mund të bisedosh më gjatë me Zotin, mund të meditosh më shumë mbi vetveten, mbi Shkrimin Shenjt - Biblën, mund të lexosh më shumë libra. E edhe mund të shkruash më shumë. Pushim nuk do të thotë të rrish duarlidhur e symbyllur mbi rërën e bregdetit a mbi lëndinat e ndonjë pylli të gjelbër, duke dëgjuar këngën e valëve a koret e zogjve.

Të shëtisësh në pyll është bukur; është kënaqësi të pish ujë në burimet e akullta mes blerimit, të soditësh shkëmbinjtë a të ngjitesh në maje të maleve. Është kënaqësi, por pa harruar se njeriu në gjirin e natyrës gjen përmasën e tij të vërtetë, duke u bërë i aftë për të kuptuar Zotin, sepse mëson t’i hapë zemrën së pafundmes, percepton botën që e rrethon, duke parë në të vulën e Provanisë hyjnore, pasqyrimin e bukurisë e të mirësisë së Krijuesit. E kështu lind lutja, lind kënga e lavdërimit që lartohet, si fjollë kemi, drejt Qiellit.

Pushimet, pra, nuk janë thjeshtë aventurë, nuk janë arratisje nga e përditshmja, nuk janë përpjekje për t’u shkëputur nga lidhjet e zakonshme, në kërkim të lidhjeve të reja, interesante, që nganjëherë mund të quhen më tepër zgjidhje. 

I krishteri, i shikon pushimet verore si kohë e çmuar për të qëndruar sa më gjatë me të dashurit e familjes, për t’u takuar me miq e shokë, për të shijuar biseda, që nuk mund t’i realizosh gjatë kohës së rëndomtë të punës, sepse i zënë me veprimtari, sepse nuk të lejojnë shqetësimet e përditshme.

Por, të mos harrojmë, ka edhe nga ata, që sivjet nuk mund t’i gëzojnë pushimet verore. Madje edhe nga ata, që nuk kanë provuar kurrë ç’do të thotë pushim veror. Atyre, na porosit Kisha, nuk duhet t’u mungojë solidariteti e afërsia e njerëzve të dashur. E për ata që nuk kanë askënd, duhet të gjindet dikush, që i do, në emër të Zotit.

08 korrik 2019, 15:35