Kërko

DALE RECINELLA DALE RECINELLA  Historia

I shoqëroi drejt vdekjes, duke u folur për Jezu Krishtin

Bisedë me Dale Recinella, asistent shpirtëror për të dënuarit me vdekje në Florida.

R.SH. - Vatikan

Si ka mundësi që një avokat i suksesshëm financiar në Wall Street, i diplomuar në Shkollën Juridike të Notre Dame, pronar i një apartamenti me pamje nga Gjiri i Miamit, të lërë gjithçka pas shpine e të bëhet asistent shpirtëror për të dënuarit me vdekje në burgjet e Floridës, krahu i dytë i vdekjes në SHBA-të, pas Kalifornisë? Jo vetëm historia personale e Dale Recinella, por edhe angazhimi për heqjen e dënimit me vdekje, libri i tij i fundit “Kur vizitojmë Jezusin në burg” (Editrice Domenicana Italiana), madje, edhe mënyra si e thërrasin të burgosurit “e tij”, Vëlla, nuk janë thjesht elemente për reportazhe të gjata mediatike. Ia vlen të shohim më thellë në jetën e këtij njeriu, prandaj i japim takim në burgun romak të Rebibbia-s, ku ai vetë – amerikan - nuk ka qenë kurrë.

Bir emigrantësh abrucezë

         Bir emigrantësh abrucezë, siç na thotë vetë, në çastet e para të takimit, na dorëzon një kartëvizitë ku shkruhet: kapelan “laik”. Në shërbimin e tij e shoqëron e shoqja, Susan, e gjithëpranishme edhe në burgun amerikan, pasi ndihmon shpirtërisht familjarët e të dënuarve me vdekje. Dale na thotë menjëherë se librin e tij ia kushton mijëra burrave e grave, “që Zoti më ka lejuar t’u shërbej në burg dhe qindra vullnetarëve, që i lejoi të më shoqërojnë gjatë punës sime”. Por, para këtij shndërrimi 180 gradësh të jetës së tij, Dale mishëronte katërcipërisht “ëndrrën amerikane”. Fitonte shumë, jeta e tij ishte frenetike, kalonte nga një martesë në tjetrën, derisa sëmundja e detyron të ndalej e të reflektonte për të kaluarën. I lutet Zotit për një mundësi tjetër e Ai i Lumi ia jep.

Kthesa e frymëzuar nga historia e Sacco dhe Vanzetti-t

I bëjmë pyetjen e parë, së cilës i përgjigjet me një farë nostalgjie. “Pse pikërisht të dënuarit me vdekje?” Ai heziton një çast për të mbledhur kujtimet dhe shpjegon: “Kur isha i vogël, prindërve të mi u bëri përshtypje ekzekutimi i Sacco dhe Vanzetti-t. Të dy u ekzekutuan me karrige elektrike, më 23 gusht 1927, në burgun Charlestown, Massachusetts. Prindërit u tronditën jashtëzakonisht nga kjo mizori kaq e madhe. Mendova se duhej të kujdesesha për njerëzit si Sacco e Vanzetti”.

Takimi me të dënuarit me vdekje

         Dale është njeri, që buzëqesh gjithmonë, por kur i themi të na tregojë lamtumirën e të dënuarve me vdekje në burgun e Floridës, fytyra i erret: “Kur nënshkruhet mandati i ekzekutimit, i dënuari transferohet nga qelia e tij në krahun e vdekjes, në të ashtuquajturën “shtëpi të vdekjes”. Qelia e re është e ngjashme me të mëparshmen, me ndryshimin se tani është vetëm pak metra larg dhomës së ekzekutimit. I dënuari qëndron këtu pesë, ose gjashtë javë. Nëse më kërkon të bëhem asistenti i tij shpirtëror, - vijon Dale – më lejojnë të rri me të së paku dymbëdhjetë orë në javë. Nëse ka familjarë, që e shoqërojnë në këtë agoni të gjatë, ata kanë mundësi të takohen me gruan time, Susan. Ajo i ngushëllon gjatë dhe pas ekzekutimit”.

Dita e ekzekutimit

         Pastaj, vëlla Dale jep disa hollësi: “Ditën e ekzekutimit, familjarët lejohen ta përqafojnë dhe ta përshëndesin të dënuarin për herë të fundit. Në orën 11:00, ai ha diçka e, një orë më vonë, vjen prifti për vojimin e shenjtë”. Ne e pyesim si e kalon kohën gjatë këtij rituali makabër: “Unë zakonisht qëndroj aty, pas largimit të meshtarit e deri në orën 16.00, ora në të cilën i dënuari më jep mesazhet e fundit për familjen. Mallëngjimi arrin kulmin”. Historia ndërpritet dhe sytë e përlotur të Dale projektojnë kujtimet më të vështira dhe dëshmitë më të fuqishme: “Njëri prej tyre më tha: ‘Ju jeni babai, që s’e kam pasur kurrë’; një tjetër: ‘Ju jeni vëllai, që s’e kam pasur kurrë’; një tjetër akoma: ‘Nëse do t’ju kisha njohur më parë, ndoshta, nuk do të kisha përfunduar këtu’”. Na duket gati e pabesueshme, por, pastaj, mbledh veten dhe vijon kronikën: “Në orën 16, mbërrin skuadra e ngarkuar me ekzekutimin dhe përgatit viktimën, që pastaj, lidhet në shtratin ku do të vritet me injektim vdekjeprurës”.

Injektimi vdekjeprurës, teknikë “e efektshme dhe e mëshirshme”

         Teknikë “e efektshme dhe e mëshirshme”: këto janë dy argumentet kryesore të përdorura nga ata, që janë në favor të injektimit vdekjeprurës si metodë ekzekutimi. Por që nga vendosja e dënimit me vdekje në Kodin Juridik të SHBA-ve në vitin 1972 dhe nga zbatimi i tij i parë në Teksas në vitin 1982, nuk kanë reshtur kurrë dyshimet dhe kundërshtitë për vërtetësinë e këtyre deklaratave. Dale vazhdon: “Edhe unë jam në dhomën e dëshmitarëve, që asistojnë gjatë ekzekutimit. Të dënuarit i them: Fiksoje vështrimin përtej xhamit tek një person që të do. Mbaji sytë të ngulur tek unë”. E pyesim në sa ekzekutime ka marrë pjesë. “Edhe një i vetëm do të ishte i tepërt për mua, por fatkeqësisht, kam parë 18. Megjithëse, në të vërtetë, kam asistuar 35 të dënuar me vdekje, por një pjesë prej tyre zgjodhën meshtarin apo pastorin protestant si dëshmitar në ditën e ekzekutimit. Por, këta mund të qëndrojnë pranë viktimës vetëm gjatë dy ditëve të fundit, prandaj javët e para i kalojnë me mua në dhomën e vdekjes”.

Nuk do ta harroj kurrë…

         Pastaj, tregon histori që e kanë tronditur thellë: “Meqë unë kaloj shumë kohë me ta para se të vdesin, i mbaj të gjithë në zemër. I dua të gjithë. Por ka dy raste, që kanë qenë vendimtare për udhën time vokacionale. I pari ka të bëjë me një burrë dhe me tre vajzat e tij, me shpirtin copë, sepse duhej t’i jepnin lamtumirën të atit. Gruaja ime, Susan, u përpoq t’i ngushëllonte, por s’ishte punë. Ndërkaq, ky njeri, ndoshta, ishte i pafajshëm”. Episodin e dytë e ndërpret disa herë, kaq mizor është. “Ishte portorikan, që e deklaroi veten disa herë të pafajshëm. Në atë rast, ekzekutimi shkoi keq: u spërdordh dhe luftoi në agoni për më shumë se gjysmë ore para se të vdiste. Helmi i gjilpërës doli jashtë venës, e cila ishte këputur. Kjo i shkaktoi djegie të brendshme për tridhjetë centimetra, kështu që ai nuk vdiste dot. Ndjente sikur po mbytej dhe po i merrej fryma, përplasej e gati këpuste rrypat, me të cilat e kishin lidhur, aq sa u desh t’i lidhnin edhe kokën”. Dale hedh vështrimin mbi Susan dhe vazhdon: “Pas këtij ekzekutimi, ndërsa po kthehesha në shtëpi, mora në telefon gruan. Isha krejtësisht i shpartalluar dhe i thashë: ‘Sot, pashë një njeri të torturuar për vdekje’”.

Takimi me Papën Françesku

Kapelani e përfundon historinë e tij, duke kujtuar se në ditët në vijim, do të merrte pjesë në meshën e kremtuar nga Papa Françesku në Shën Martë: “Jam tejet i gëzuar. Do të përpiqem t’i shpjegoj ç’po bëjmë për ta zhdukur dënimin me vdekje. Madje, a e di çfarë? Do ta ftoj në Florida për të vizituar krahun e vdekjes dhe do t’i tregoj fytyrat e këtyre vëllezërve (gjithmonë mban me vete një libër me fotografitë e viktimave)”. Para se të largohet, Dale e kupton se pyetja që dëshironim t’ia bënim që në fillim, pa e gjetur guximin, është: “Pse e bëj këtë? Sepse kur shkojmë në burg për të vizituar dikë, takojmë Jezusin”.

Photogallery

Dale Recinella takon Papën Françesku
20 qershor 2019, 17:44