Kërko

Vatican News
Giotto, La Cappella degli Scrovegni NEW, Crocifissione Giotto, La Cappella degli Scrovegni NEW, Crocifissione 

Më 17 qershor kalendari kishtar kujton shenjtorët Izaurin me shokë, martirë

Në Durrës është i njohur kulti në nderim të Shën Isaurit, për çka kemi dëshmitë që nga fillimi i shekullit XI deri në fund shekullit XIV. Së bashku me Shën Ashtin, ipeshkvin e Durrësit, Shën Izauri me shokë, martirë, qenë pajtor qiellorë të Kishës Katedrale të Durrësit, çka tregon përhapjen e një kulti të veçantë në nderim të Shën Izaurit diakon e martir, në këtë qytet të lashtë shqiptar.

R.SH. - Vatikan

Më 17 qershor kalendari kishtar përkujton Shenjtorët Izaurin, Inoçencin, Feliksin, Herminin, Pelegrinin e Bazilin, martirë të shekullit III, nga Pojani në Maqedoni, në Shqipërinë e sotme, martirizuar në Apoloninë shqiptare.

Izauri diakon e shokët e tij Bazili dhe Inoçenci ishin nga Athina, braktisën qytetin e shkuan në Apoloni ( nuk dihet saktësisht për të cilën Apoloni është fjala, sepse dihet se në antikitet ekzistonin tridhjetedy qytete me këtë emër, pra për të cilin bëhet fjalë ?), për të kaluar një jetë oshënare, një jetë shpirtërore sa më të përsosur në përkim me stilin ungjillor, kështu u vendosen në një shpellë oshënarësh në Pojan, ku takuan Feliksin, Pelegrinin e Herminin pojanas.

Këta, të nxitur nga mësimet e sidomos nga shembulli i Izaurit, pasurinë e tyre që kishin ua dhuruan të varfërve dhe u bashkuan me ta në jetën oshënare. Familjarët e tyre, me bindje pagane, nga frika e perandorit Numerianit (283-284), bënë përpjekje t’i bindin të hiqnin dorë nga feja e krishterë e të ktheheshin në paganizëm, por pa sukses. Atëherë i akuzuan tek Prefekti i zonës Triponci. Pas nuk pranuan të mohonin fenë në Krishtin, arrestohen e dënohen me vdekje me prerje të kokës. Por më parë dërgohet tek djali i Prefektit, Apoloni, i cili sërish bënë provon t’i bind ta mohojnë fenë e re në Jezu Krishtin.

U vënë në sprovë të ujit e të zjarrit, por shpëtuan në mënyrë të mrekullueshme nga mundimet e torturat, e nga kjo mrekulli shumë prej të pranishmëve u kthyen në fenë e krishterë (mes këtyre ishin edh vëllezërit e njohur fisnik Rufo e Rufiniani, pastaj vdiqën si martirë); së fundi pësuar vdekjen me prerje të kokës.

Të dhënat e tregimit të martirizimit të tyre i gjejmë në veprën Synax. Kostandinopojë, vëll. 753, 804-805; Comm. Martyr. Rom., f. 242, n.5; Acta SS. Iunii, IV, Venedik 1747, ff 287-88;  Në Kostandinopojë ekziston një Kishë ku nderohet martiri Izauri. Edhe në Durrës është i njohur kulti në nderim të Shën Isaurit, për çka kemi dëshmitë që nga fillimi i shekullit XI deri në fund shekullit XIV. Së bashku me Shën Ashtin, ipeshkvin e Durrësit, Shën Izauri me shokë, martirë, qenë pajtor qiellorë të Kishës Katedrale të Durrësit, çka tregon përhapjen e një kulti të veçantë në nderim të Shën Izaurit diakon e martir, në këtë qytet të lashtë shqiptar.

17 qershor 2019, 12:52