Cerca

Vatican News
 Vangelo di domenica Vangelo di domenica 

Më 14 qershor kalendari kishtar përkujton Shën Elizeun, Profet

Elizeu, dishepull i shën Elisë, qe shumë i pasur, me prejardhje nga Abelumeula, emri i tij do të thotë “Zoti shpëton” çka edhe tregon më së miri misionin që zhvilloi në gjirin e popullit të Izraelit, në kohën e mbretërisë së Ioram-it (853-842 p.K.) e deri në ditët e Ioas(798-783).

R.SH. - Vatikan

Elizeu, dishepull i shën Elisë, qe shumë i pasur, me prejardhje nga Abelumeula, jetoi në Izrael në shekullin IX para Krishtit, në kohën e mbretërisë së Ioram-it (853-842 p.K.) e deri në ditët e Ioas(798-783).

Elizeu, emri i tij do të thotë  “Zoti shpëton”, çka edhe tregon më së miri misioni që zhvilloi në gjirin e popullit të Izraelit. Pra, Zoti e zgjodhi Elizeun të ndiqte Elinë profet, që e shuguroi, para se të zhdukej misteriozisht. Elizeu mori pjesë aktive në ngjarjet më të rëndësishme politike të popullit të vet, përmes dhantisë së profecisë, e mund të konsiderohet mrekullibërësi më i madh ndërmjet profetëve të Besëlidhjes së Vjetër. Profet e jo shkrimtar, ashtu si mësuesi i tij, Elia, ai mori pjesë në shqetësimet e izraelitëve gjatë luftës kundër moabitëve dhe kundër aramejve. 

“Elia shkoi ta kërkonte Elizeun” – lexojmë në Librin e Mbretërve – dhe e gjeti duke lëruar tokën; kishte para vetes dymbëdhjetë pendë qé; ai lëronte me pendën e dymbëdhjetë. Si mbërriti tek ai, Elia i hodhi mantelin e vet. Atëherë Elizeu la qetë, vrapoi pas Elisë e i tha: “Më lejo të shkoj për të përqafuar babain tim e nënën time, pastaj do të të ndjek pas”. Elia iu përgjigj: “Shko e kthehu shpejt, sepse ti e di pse të kërkova!”.

Elizeu, duke u larguar, mori një pendë që e i theri; e zjeu mishin me drurin e parmendës e ua dha ta hanin shokëve të punës. Pastaj e ndoqi pas Elinë, duke u vënë në shërbim të tij. Me këtë gjest kuptimplotë, bujku i pasur deshi t’i tregonte mësuesit të vet se ishte gati të hiqte dorë nga gjithçka, për t’iu përgjigjur plotësisht misionit të tij profetik.  Elizeu Profet vdiq rreth vitit 790 para Krishtit dhe u varros pranë Samarisë, ku në kohën e Shën Jeronimit ishte ende varri i tij, i cili më pas u dhunua nga Juliani apostat. Megjithatë, disa nga reliket e tij shpëtuan dhe u mbartën në Aleksandri, në Kostandinopojë e Ravenë, ku nderohen edhe sot.

14 qershor 2019, 12:41