Cerca

Vatican News
 Diego Velázquez San Antonio Abate e San Paolo l Eremita - Diego Velázquez San Antonio Abate e San Paolo l Eremita 

Më 12 qershor kalendari kishtar përkujton Shën Onufrin, oshënar

Duke dëshiruar të ndjekë shembullin e Shën Gjon Pagëzuesit e të Elisë Profet, e la manastirin e iu kushtua jetës oshënare. Në jetën vetmitare i përshtatej ndryshimit të stinëve, e ndihmonte një engjëll, që i sillte ushqimin dhe Kungimin Shenjt.

R.SH. - Vatikan

Më 12 qershor kalendari Kishtar përkujton Shën Onufrin, oshënar. Pafnuci, murg në Egjiptin e shekullit V, duke dashur të takojë vetmitarët, për ta njohur nga afër jetën e tyre, për të cilën flitej aq shumë në atë kohë e në atë zonë, u nis drejt shkretëtirës në kërkim të tyre. Pas 21 ditësh, u ul të pushonte përdhe, i lodhur e i këputur. Papritmas pa para vetes një figurë njerëzore të tmerrshme, mbuluar prej koke ndër këmbë nga flokët e gjatë e nga disa gjethe.

Kjo mënyrë për të mbuluar trupin ishte e zakonshme për vetmitarët, të cilët qenë mësuar të rrinin fare vetëm, pa i parë kush tjetër, veç engjëjve. E prandaj kishin hequr dorë nga veshjet, të cilat shkretëtira i shkatërronte shpejt. E në sa vijonin atë mënyrë jetese, larg çdo vendi të banuar, nuk e kishin të lehtë t’ zëvendësonin me veshje të tjera.

Në fillim Pafnuci u tmerrua e deshi të ikte me vrap, por figura njerëzore i foli e iu lut të rrinte. Atëherë e kuptoi se kishte gjetur pikërisht atë që kërkonte: një vetmitar. Si u bënë miq, nisën t’i tregonin njëri-tjetrit gjithçka. Vetmitari i tregoi Pafnucit se quhej Onufër e se jetonte që prej 70 vjetësh në shkretëtirë, pa parë kurrë frymë njeriu. Ushqehej me barishte e pushonte shpellash. Në fillim kishte jetuar në një manastir të Tebaides në Ermopolis, së bashku me njëqind murgjër të tjerë.

Por, duke dëshiruar të ndjekë shembullin e Shën Gjon Pagëzuesit e të Elisë Profet, kishte lënë manastirin e i ishte kushtuar jetës oshënare. Si kishte hyrë në zonën e oshënarëve me pak ushqim në trastë, ishte takuar në një shpellë me një vetmitar tjetër, të cilit i qe lutur ta mësonte si ta jetonte këtë jetë kaq të jashtëzakonshme. E ai ia kishte plotësuar dëshirën. E kishte çuar në një oazë, ku kishte ndenjur me të 30 ditë e pastaj e kishte lënë vetëm, duke u kthyer në shpellën e vet. Një herë në vit i bënte një vizitë për ta ngushëlluar. Gjatë njërës nga këto vizita, sapo kishte arritur, qe përkulur për ta përshëndetur e, papritur, qe shtrirë përdhe pa frymë. Ai e pati varrosur në një vend pranë shpellës ku strehohej.

Onufri i tregoi pastaj Pafnucit si i përshtatej ndryshimit të stinëve e si e ndihmonte një engjëll, që i sillte ushqimin e Kungimin Shenjt, mrekulli të cilën më pas e pa edhe vetmitari i ri. Vijuan kështu bisedat, deri një ditë kur Onufri e porositi të largohej nga ai vend, të kthehej në Egjipt e të tregonte çka kishte parë. Si kreu së foluri e bekoi e dha shpirt. Pafnuci e mbuloi me një copë të mantelit të vet dhe e varrosi në një plasë shkëmbi. Pra se të nisej, një tërmet e shkatërroi shpellën ku kishte jetuar Onufri, duke treguar se vullneti i Zotit ishte që në atë vend të mos jetonte më asnjë vetmitar apo oshënar.

Atëherë Pafnuci u nis e, në vijim të jetës së tij si murg, shkroi “Jetën e Shën Onufrit” në të cilën pohon se jeta vetmitare në shkretëtirë, është më e përkryera për njeriun e se Shën Onufri vdiq më 11 qershor. Sidoqoftë, Kisha e kremton më 12 qershor. Kulti i Shenjtit u përhap në të gjitha vendet e Azisë së Vogël e të Egjiptit, në sa figura e tij, me flokët e gjatë e gjethet në vend të petkut, vijon t’i frymëzojë artistët.

12 qershor 2019, 09:43