Kërko

NMACEDONIA-RELIGION-POPE NMACEDONIA-RELIGION-POPE 

Shkupi, vendlindja Nënë Terezës, në pritje të vizitës së Papës Françesku

Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut dhe qyteti i lindjes së Nënë Terezës – Ganxhe Bojaxhiut, Shkupi, po përgatitet për të pritur, nesër, Papën Françesku, për vizita e parë e një Pape me rëndësi historike, jo vetëm për komunitetin e vogël katolik të vendit, por edhe për shoqërinë e këtij shteti. Papa shkon në Shkup, për ta falënderuar Zotin për dhuratën e ikonës së dashurisë e të bamirësisë që është Shenjta Nënë Terezë.

R.SH. - Vatikan

Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut dhe qyteti i lindjes së Nënë Terezës – Ganxhe Bojaxhiut, Shkupi, po përgatitet për të pritur, nesër, Papën Françesku, për vizita e parë e një Pape në këtë vend, një vizitë me rëndësi historike, jo vetëm për komunitetin e vogël katolik të vendit, por edhe për shoqërinë e këtij shteti.

Papa shkon në Shkup, plot me gëzim, për ta falënderuar Zotin për dhuratën e ikonës së dashurisë e të bamirësisë që është Shenjta Nënë Terezë.  Papa Françesku do të bekojë gur themelin e Shenjtërores së re kushtuar Shën Nënë Terezës, në Shkup.

Në vendlindjen e saj, Shkup, Papa do të vizitojë vendin ku, dikur, jetonte familja bujare dhe besimtare e Kolë e Drane Bojaxhiut, me tre fëmijët: Agen, Ganxhen e Lazrin. Në atë vatër familjare shqiptare, shkollë e jashtëzakonshme jete, identiteti, përkatësie, përkushtimi, solidariteti, vëllazërimi, feje e dashurie ku qe edukuar dhe rritur Nënë Tereza, nuk ka mbetur asgjë, përveç kujtimit.

Po sot nga ai vend simbol, jehon fuqishëm mesazhi i përjetshëm i një dashurie që u mishërua, nga Ganxhja vogël, përmes përkushtimit e shërbimit të saj të përditshëm e të pakursyer për më të varfrit ndër varfër. Mesazh që lapsi vogël në duar të Zotit, nga vatra familjare e familjes shkupjane Bojaxhiu e përhapi anë e mbanë botës. E Papa do te vizjtojë e do të lutet në atë vend, ku dikur ishte vartra familjare  - kisha shtëpiake e Kolë dhe Drane Bojaxhiut. Pikërisht në prindërit e saj, Ganxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza pati mësuesit e saj të parë të jetës, mësuesit e të fesë, të artit të dashurisë e respektit dhe posaçërisht të shërbimit të pakursyer ndaj më  të varfëve ndër varfër.

Ja programi i vizitës në Shkup

Para se të shtjellojmë programin e vizitës në Shkup, kujtojmë  se në logon e shtegtimit papnor, veç hartës dhe ngjyrave simbolike të Maqedonisë së Veriut e të flamurit të saj, të bie në sy edhe portreti i Papës, që bekon vendin.

Por, me qenë se Shkupi është vendlindja e Nënë Terezës, nuk mund të mungonte  as sari i Shenjtores shqiptare, me ngjyrën e  kaltër, që stolis anët e kësaj veshjeje të veçantë rregulltare. Bien menjëherë në sy, prandaj, vijat blu të petkut të Nënës së të të varfërve, vendlindjen e së cilës, Papa  do ta vizitojë nesër.

Ati i Shenjtë Françesku do të pritet  nga autoritetet politike, të cilat do t’i takojë më pas, së bashku me shoqërinë civile dhe trupin diplomatik, në Pallatin presidencial.

Pastaj Papa, në praninë e disa liderëve fetarë, do të lutet në memorialin  kushtuar Nënë Terezës, që lindi pikërisht në Shkup, në vitin 1910.

Pas takimit me Nënën,  nuk mund të mungonte as takimi me të varfërit “e saj”, për të kremtuar, pastaj, Meshën Shenjte, në Sheshin Maqedonia.

Pasdite, takimi ekumenik dhe ndërfetar me të rinjtë, në qendrën baritore, si dhe ai me meshtarët, familjet e tyre, familjarë të Nënë Terezës dhe rregulltarë, në Katedrale. Ceremonia e lamtumirës parashikohet për orën 18.15, e menjëherë pas saj, nisja e avionit papnor, që do të arrijë në Romë dy orë më pas,  më 20.30.

06 maj 2019, 15:23