Kërko

Vatican News
Sofja pret Papën Sofja pret Papën  (ANSA)

Sofja

Kryeqyteti i Bullgarisë

R.SH. - Vatikan

Kryeqyteti i Bullgarisë (1.323.637 banorë) ndodhet në pjesën perëndimore të vendit, në një luginë mes maleve, afër malit Vitosha (2,290 m). Gjetjet më të lashta arkeologjike datojnë në mijëvjeçarin III para Krishtit, por qyteti u themelua nga fise trake me emrin “Serdica”. U pushtua nga maqedonasit (shek IV), e pastaj, nga konsulli romak Krasi (shekulli I para Krishtit). Në vitin 343, aty u mblodh një Koncil prej 170 ipeshkvijsh, të cilët dënuan herezinë ariane. Shkatërruar nga Atila (441), ai u rindërtua një shekull më vonë nga Justiniani. Disa herë i pushtuar nga fiset sllave, u mor nga bullgarët (809) dhe pastaj nga bizantinët (1018).

Në vitin 1194, kryeqyteti aktual u përfshi në kufijtë e mbretërisë së dytë bullgare. Në vitin 1329, përmendet për herë të parë emri “Sofiya”. I pushtuar nga turqit më 1396, Sofja u çlirua nga rusët në vitin 1878 dhe u shpall kryeqytet i Principatës së Bullgarisë në vitin 1879. Pikat kryesore të qytetit janë: katedralja ortodokse Aleksandër Nevsky, në stilin bizantin, ndërtuar në fund të shekullit XIX - një nga vendet më të njohura të Sofjes – në përkujtim të 200.000 ushtarëve rusë, të cilët ranë për pavarësinë e Bullgarisë; kisha bizantine e shën Sofisë (shekulli VI), me formën e kryqit latin, porositur nga Justiniani e kushtuar “urtisë hyjnore të Zotit”; kisha e shën Gjergjit, ndërtuar në tulla të kuqe, e epokës paleokristiane, në formë rrethore, e qarkuar nga rrënojat e qytetit të lashtë të Serdicës, konsiderohet ndërtesa më e vjetër në qytet; kisha e Bojanës, në rrëzë të malit Vitosha, e njohur për afresket e saj, për të cilat, që nga viti 1979, ka hyrë në Trashëgiminë Botërore të UNESKO-s. Pika të tjera me interes: Pallati i Kulturës, përuruar në vitin 1981, përfaqëson një nga qendrat më të mëdha të konferencave në Ballkan; Pallati i Ujrave Termale (1908-1913); pjesa e famshme me tulla të verdha, përgjatë rrugës Tsar Osvoboditel, në qendrën historike, shtruar me rastin e martesës së carit Ferdinand, në fillim të viteve 1900, që çon në Parlament, në Teatrin Kombëtar Neo-barok “Ivan Vazov” dhe në Galerinë Kombëtare. Në maj të vitit 2002, kryeqyteti bullgar priti Shën Gjon Palin II, me rastin e vizitës së parë historike të një pape në vend.

Dioqeza e Sofjes dhe e Plovdivit (3 mars 1979) – 80.000 km katrore; 5.000.000 banorë; 33.000 katolikë; 18 famulli; 13 meshtarë dioqezanë (1 i shuguruar vitin e kaluar); 12 meshtarë rregulltarë; 14 anëtarë të instituteve rregulltare mashkullore; 20 anëtarë të instituteve rregulltare femërore; 458 pagëzime vitin e kaluar.

Konferenca Ipeshkvnore e Bullgarisë përbëhet nga ipeshkvijtë e dy dioqezave latine të Nikopolit e Sofjes dhe të Filipopolit (nën administrimin e drejtpërdrejtë të Selisë së Shenjtë) dhe të Eksarkatit për bullgarët sllavo-bizantinë. Themeluar nga Pali VI në vitin 1970, aktualisht kryesohet nga ipeshkvi Christo Proykov, Eksark Apostolik i Sofjes.

05 maj 2019, 09:31