Kërko

Vatican News
2019.02.25 vetrate Chiesa 2019.02.25 vetrate Chiesa 

Shenjtorët e javës 7-14 prill

Ungjilli së dielës flet për takimin e Jezusit me gruan zënë në kurorëshkelje, të cilën Ai e shpëton nga mëkati e nga gjykimi i tjerëve duke i thënë: “Shko, por mbas tashit mos mëkato më!”, ndërsa akuzuesve të saj: “Kush është pa mëkat. Le ta qesë i pari gurin mbi të!”. Ungjilli na tregon mundësinë e rilindjes së jetës në faljen e dashurinë e Hyjit.

R.SH. - Vatikan

E diel 7 prill, Kisha katolike kremton tё Dielёn e 5-tё tё kohёs sё Kreshmёve, e gjithnjё mё 7 prill, kalendari pёrkujton shёn Gjonin Battista de la Salle.

Liturgjia e kësaj së diele duke na shoqëruar drejt Pashkëve, na paraqet takimin e Jezusit me gruan mëkatare të zënë në kurorëshkelje, të cilën Ai e shpëton nga poshtërimi i mëkatit e nga gjykimi i tjerëve duke i thënë: “Shko, por mbas tashit mos mëkato më!”, ndërsa akuzuesve të saj: “Kush është prej jush pa mëkat. Le ta qesë i pari gurin mbi të!”. Kështu Ungjilli na tregon mundësinë e rilindjes së jetës në faljen e dashurinë e Hyjit.

Të hёnёn më 8 prill,  kalendari kishtar përkujton shën Dionisin Areopagit, shën Amanazin e të Lumin Klementin nga Osimo. Liturgjia e Fjalёs sё Zotit e kёsaj sё diele ёshtё feja si takim me Krishtin e Ngjallur, që e mbush jetën me të vërtetën e si pasojë, nga ky takim rrjedhë dëshmia dhe misioni.

Tё martёn më 9 prill, kalendari kishtar përkujton edhe shën Dhimitrin e shën Liborin. Liturgjia e ditës na kujton se kulmi i dashurisë ndaj Zotit është t’ua dhurosh të tjerëve gjithë vetveten me dashuri.

Të mёrkuren mё 10 prill, kalendari përkujton shën Magdalenën e Kanosës. Në liturgjinë e ditës Jezusi na përsërit se dëshiron të mbretërojë në zemrat tona, duke na larguar nga shpirti çdo trazim.

Të enjten më 11 prill, kalendari kishtar përkujton shën Stanislaun, ipeshkëv e martir, shën Gjemën Galgani. Liturgjia e ditës na fton të shkojmë me gëzim në shtëpinë e Zotit e të kujtojmë se i krishteri është i thirrur të sjellë fryte vëllazërimi, dashurie e shenjtërie, gjithnjë i mbështetur në hirin e Zotit.

Të premten më 12 prill, kalendari kishtar përkujton shën Julin I, papë, shën Jozef Moskatin, mjek nga Napoli, shën Zeno-n ipeshkëv i Veronës. Liturgjia e ditës na kujton se të krishterët e vërtetë do të urrehen ose do të kundërshtohen gjithnjë. E ka parafolur këtë vetë Jezusi, që është e Vërteta, por kush do të vijojë të ecë në rrugën e Tij, do të shëlbohet.

Të shtunёn më 13 prill, kalendari kishtar përkujton shën Martinin I, papë e martir, shën Ermenegjildën e shën Idën.  Liturgjia e ditёs na fton të përpiqemi për t’u bërë një gjë e vetme me Jezusin e me Atin Qiellor. Kështu jeta tokësore shndërrohet e njeriu kryen vepra dashurie, që burojnë nga Zoti.

Të dielën e ardhshme më 14 prill, Kisha katolike do tё kremtojё tё Dielёn e Larit a tё Dielёn e Luleve. Me këtë Diele të Larit të Mundimeve të Zotit tonë Jezu Krisht, për Kishën katolike fillon Java e Shenjtë ose Java e Madhe e Pashkëve, siç quhej në shekullin IV në Egjeri e siç quhet edhe sot e kësaj dite ndër shqiptarë. Pra përfundojnë Krezhmët e hyjmë në kremtimet e Pashkëve.

Gjithnjё mё 14 prill, kalendari përkujton shën Tibrucin, Valerianin e Maksimin, martirë. Liturgjia e ditës na kujton se ta duash Zotin do të thotë të bësh vullnetin e tij në do çast të jetës.

 

07 prill 2019, 08:59