Kërko

Vatican News
Kryqi Kryqi 

Më 8 prill kalendari kishtar përkujton Shën Dionisin Areopagit

Për urtinë e tij të jashtëzakonshme zgjidhet gjyqtar në Athinë e merr vendin në Aeropag, në asamblenë e dijetarëve. Dionisi mbeti i mahnitur nga predikimi i Palit apostull, i ftuar në Athinë për të shpalosur doktrinën e tij para Aeropagut.

R.SH. - Vatikan

Dionisi Aeropagit ishte një fisnik e filozof nga Athina që jetoi në shekullin e parë. Për urtinë e tij të jashtëzakonshme zgjidhet gjyqtar në Athinë e merr vendin në Aeropag, në asamblenë e dijetarëve. Dionisi mbeti i mahnitur nga predikimi i Palit apostull, i ftuar në Athinë për të shpalosur doktrinën e tij para Aeropagut. Pasi mori Pagëzimin, Dionisi u bë propagandues i madh i krishterimit, aq sa të shugurohet për ipeshkëv të Athinës nga vet apostulli Pal. Dionisi e dëshmoi fenë e tij në Krishtin me martirizim: digjet për së gjalli në qytetin e tij. Gjatë tërë Mesjetës e edhe më pas qarkullonin me emrin e tij disa shkrime neoplatonike. Është fjala për letra e katër traktate dogmatike e mistike. Letrat i drejtohen personazheve të periudhës së apostullit, ndërsa traktatet, vepra kryesore e Dionist Areopagita, të frymëzuara nga shkrimet e filozofit neoplatonik Proklit, kushtohet të panjohurit Hierotheos.

Në këto traktate e saktësisht në De divinis nominibus, ku shqyrtohen të gjithë emrat me të cilët emërtohet Hyji në Bibël, me qëllim që të pastrohet nga çdo ide materiale, në De mystica theologia, ku flet për njohurinë mistike të Hyjit, në De coelesti hierarchia, ku Engjëjt janë të ndarë në tri hierarki,e në De ecclesiastica hierarchia, në të cilën Kisha, në përgjasim me hierarkinë engjëllore, ndahet në tri grupe, në triadë. Përmes veprave të tij, autori bën përpjekje për ta pajtuar neoplatonizmin me krishterimin. Një ndër argumentet që shtjellon është ballafaqimi dhe dialogu me fetë e lashta. Dionis Areopagiti, teologu i lashtë, niset nga teologjia negative, që pohon se nuk ka Zot, e luajti rolin e ndërmjetësit, duke ballafaquar mendimin grek të epokës, me mistikën e sapolindur të krishterë. Ndërsa ndërmjetësit e teologjisë negative, me argumentet e tyre të holla, synonin t’ia përshtatshin misteret e Hyjit logjikës njerëzore, Dionisi, duke mos e pranuar një parashtrim të tillë, arrin të pohojë se nga teologjia negative, besimtari mund ta njohë më mirë Hyjin në formën e teologjisë simbolike, përmes së cilës mendimi i thellë i hap rrugën kundrimit dhe njohjes, që buron nga përvoja. Është përvoja e krijesës, që e kupton me zemër Krijuesin e vet.

Duke qenë krijesa një lavd drejtuar Hyjit, teologjia e Dionisit bëhet teologji liturgjike. Hyji gjendet sidomos duke e lavdëruar, jo vetëm duke reflektuar. E  liturgjia nuk është diçka e themeluar nga ne, diçka e shpikur që të jetojmë përvojën fetare për një farë kohe: liturgji do të thotë të këndosh me korin e krijesave e të hysh në vetë realitetin kozmik. E pikërisht kështu liturgjia, në dukje vetëm kishtare, bëhet e gjerë dhe e madhe, na bashkon ne, me gjuhën e mbarë krijesave. Ai thotë: nuk mund të flitet për Hyjin në mënyrë abstrakte; të flasësh për Hyjin – ai përdor një fjalë greke ‘hymnein’ - do të thotë “të këndosh për Hyjin, duke e bashkuar zërin me këngën e të gjitha krijesave, që pasqyrohet e konkretizohet në lavdin liturgjik”.

Pikërisht këtë na propozon mistika që, duke nisur nga Dionisi, ndikoi fuqimisht në mendimin autoritar të njerëzve të Kishës. Ishte aq autoritar mendimi i tij sa, për shembull Shën Bonaventura, biografi i njohur i Shën Françeskut, e mori nga ky parashtrim skemën për ta kuptuar më mirë mistikën e Shenjtit të Asizit.

Prej këndej mund të themi se Pseudo-Dionisi mbetet aktual edhe për kohët tona. Sot ai rishfaqet si ndërmjetës i madh në dialogun modern ndërmjet krishterimit dhe teologjive mistike të Azisë, karakteristika e njohur e të cilave qëndron në bindjen se nuk mund ta themi kush është Hyji; për Të mund të flitet vetëm në forma negative; për Hyjin mund të flitet vetëm me ‘nuk’ e vetëm duke hyrë në përvojën e fjalës ‘nuk’, mund të arrihet vetë Zoti.

E këtu shikojmë afërsinë ndërmjet mendimit të Areopagitit e atij të feve aziatike. Ai mund të jetë përsëri ndërmjetës, ashtu si ishte ndërmjet shpirtit grek e Ungjillit. E kështu shihet qartë edhe se dialogu nuk duron qëndrime të përcipta. Pikërisht kur njeriu hyn në thellësinë e takimit me Krishtin, hapet edhe horizonti i gjerë për dialog. Kur njeriu takohet me dritën e së vërtetës, kupton se është dritë për të gjithë; zhduken polemikat e krijohen mundësitë që njerëzit ta kuptojnë njëri-tjetrin ose, të paktën, të flasin me njëri-tjetrin, të afrohen.

08 prill 2019, 14:24