Cerca

Vatican News
Më 16 prill kalendari përkujton Shën Bernrdetën Subirù Më 16 prill kalendari përkujton Shën Bernrdetën Subirù 

Më 16 prill kalendari kishtar përkujton Shën Bernradetën Subirů

Më 16 prill, kalendari kishtar përkujton Shën Bernrdetën Subirù, bijë e një mullisi të varfër që pa një Zonjë e bekuar me fytyrë të ndritshme e me buzë në gaz, lindur në Lurdë, ndërmjet Pirenejve, në vitin 1858.

R.SH. - Vatikan

Sot Kisha katolike përkujton Shën Bernardetën Subirů, bijë e një mullisi të varfër, lindur në Lurdë, ndërmjet Pirenejve. Më 11 shkurt 1858 në shtëpinë e saj ishin djegur të gjitha drutë. Duhej të shkonte në mal për të bërë të tjera. Por përjashta binte shi i rrëmbyer. Ishte gati e pamundur të bridhje nëpër pyll. Atëherë vajza shkoi në Shpellën e Masabielës, ku barinjë e vegjël mblidhnin shpesh degë të thata.

Papritmas ndjeu një fëshfërimë të lehtë gjethesh, që e bëri të ngrinte kokën në drejtim të Shpellës. Pa një Zonjë me fytyrë të ndritshme e me buzë në gaz. Ishte e veshur krejt me të bardha e një brez i kaltër ia shtrëngonte lehtë përmjetin. Këmbët i kishte të zbathura, në sa në krahun e djathtë mbante një rruzare me kokrra të bardha, përshkuar në një fill ngjyrë ari. 

- Kush je ti? - e pyeti. Po ajo nuk u përgjigj. E vajza u kthye disa herë, e disa herë ia përsëriti pyetjen, derisa mori përgjigjen: "Unë jam Zoja e Papërlyer”. Mrekullia e dukjes së parë, të cilën Bernardeta e përjetoi në një gjendje absolute ekstaze, u pasua nga 17 dukje të tjera, deri më 17 korrik 1858.

Pas këtyre dukjeve, Bernardeta kaloi gjashtë vjet në Institutin e Motrave të Mëshirës të Neversit, ku kreu edhe periudhën e rishtarisë. Kjo periudhë zgjati më shumë se duhej, për shkak të shëndetit të saj të ligësht. Bëri, më pas, kushtet e përjetshme duke ndërruar edhe emrin: u quajt Motër Maria Bernarda. Vdiq në moshën 35 vjeçe, më 16 prill 1879. Më 8 dhjetor 1933 Papa Piu XI e lartoi në nderimet e elterit.

16 prill 2019, 13:05