Kërko

Vajza të vogla në një shkollë të Jemenit Vajza të vogla në një shkollë të Jemenit 

Miliona fëmijë injorantë, për shkak të luftrave dhe të krizave

Alarm i Unicef-it për rininë e vendeve të Sahelit: 400 mijë vetë janë detyruar të lënë shkollën, për shkak të dhunës dhe të paqëndrueshmërisë shoqërore në Burkina Faso, Mali dhe Niger.

R.SH. - Vatikan

Çdo ditë, një ndër 5 fëmijë, nga mosha 5 deri në 17 vjeç, nuk shkon në shkollë. Alarmin e jep Unicef-i, që nënvizon se veçanërisht rinia e Sahelit është e destinuar të mbetet injorante. Në fakt, në botë ka rreth 300 milionë nxënës të cilët nuk ndjekin mësimet. E ndër ta, një e treta, rreth 100 milion vetë, i kanë ndërprerë mësimet për shkak të luftrave, krizave dhe fatkeqësive. Fëmijëri e dënuar me injorancë, e ekspozuar ndaj dhunës, abuzimit dhe shkeljeve të të drejtave, e detyruar të rritet me zor, mes vështirësive dhe privimeve. Ky kuadër keqësohet edhe më tepër në rastin e vajzave të vogla e të reja, që diskriminohen dhe nuk ndihmohen në shumë vende të botës.

Burkina Faso, Mali dhe Nigeri kanë mbyllur dymijë shkolla

Ndër rajonet më të prekura nga braktisja e detyruar e shkollës, për shkak të kushteve kritike shoqërore dhe politike është Saheli afrikan, ku janë mbyllur, ose pezulluar, rreth 2 mijë shkolla në Burkina Faso, Mali dhe Niger. Në këto tri vende, të përshkuara nga konfliktet, trazirat dhe pasiguritë shoqërore, 400 mijë nxënësve u është dashur ta ndërpresin ciklin shkollor. Mësuesit e tyre, rreth 10 mijë, janë lënë pa punë, ose janë shpërngulur për shkak të dhunës.

Arsimi është armë e fortë për paqen

“Sulmet kundër shkollave, mësuesve dhe nxënësve, si edhe pushtimi ushtarak i këtyre hapësirave janë shkelje serioze e të drejtave të fëmijëve”, pohon drejtoresha e përgjithshme e Unicef-it, Henrietta Fore. “Kur fëmijët nuk shkojnë në shkollë - veçanërisht gjatë konflikteve – ata, jo vetëm që nuk mund të aftësohen për të ndërtuar bashkësi paqësore dhe të begata, por bëhen edhe të brishtë para formave të tmerrshme të shfrytëzimit, që përfshijnë abuzimin seksual dhe rekrutimin në grupe të armatosura”. “Në një kohë kur Saheli po përballet me kërcënime gjithnjë e më të mëdha për dhunë, nuk duhet harruar - paralajmëroi Fore - se arsimimi është një e drejtë për fëmijët dhe një shtysë e fuqishme për paqen”.

Më se 80 vende kanë nënshkruar deklaratën “Shkolla të sigurta”

Unicef-i u bën thirrje qeverive të Burkina Fasos, Malit dhe Nigerit të respektojnë Deklaratën e “Shkollave të Sigurta”, miratuar nga OKB-ja në vitin 2015 e nënshkruar nga 84 vende, përfshirë ato vetë. Vendet e Sahelit kanë marrë përsipër të mbrojnë nxënësit, mësuesit, shkollat dhe universitetet nga pasojat më të këqija të luftës. Dokumenti parashikon mbledhjen e statistikave mbi sulmet dhe mbi përdorimin ushtarak të shkollave e të universiteteve; ndihmën për viktimat; detyrimin për të hetuar dhe për të gjykuar, nëse është e nevojshme, shkeljet e të drejtës kombëtare dhe ndërkombëtare; angazhimin për të vazhduar edukimin dhe arsimimin e të rinjve edhe gjatë konflikteve të armatosura, duke mbështetur punën e Kombeve të Bashkuara.

Program radiofonik për alfabetizimin e zonave në krizë

         Unicefi u kërkon tri vendeve të Sahelit të përgatisin programin e lëndëve për fëmijët me shkolla të mbyllura, të integrojnë të shpërngulurit në shkollat e hapura, të forcojnë sigurinë e strukturave shkollore dhe të rindërtojnë ndërtesat e dëmtuara, ose të shkatërruara. Organizata e OKB-së nënvizon se duhet promovuar një program radiofonik alfabetizimi, i cili do të shtrihet edhe në Republikën e Afrikës Qendrore, në Guinea Bisau, në Sierra Leone dhe në Republikën Demokratike të Kongos.

01 mars 2019, 14:38