Cerca

Vatican News
Këshilli për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE, Bruksel Këshilli për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE, Bruksel  (ANSA)

BE-ja lëvdon hapat pozitive të Maqedonisë së Veriut

Bashkimi Evropian i konsideron pozitive hapat e Maqedonisë së Veriut drejt integrimit. Përfaqësuesja e Lartë evropiane për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, nënvizon se pritet vendim pozitiv në mbledhjen e qershorit.

R.SH. - Vatikan

U mblodh dje në Bruksel, Këshilli i Stabilizimit dhe i Asociimit (KSA), që shqyrtoi marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut. Në të morën pjesë Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, Komisioneri për Zgjerimin dhe për Politikën e fqinjësisë së mirë, Johannes Hahn, si edhe një delegacion i Shkupit, kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev. Pas miratimit të emrit të ri të vendit ballkanik, ka shpresa që Maqedonia e Veriut “të marrë miratimin për fillimin e bisedimeve të integrimit evropian, gjatë mbledhjes së nivelit të lartë në qershor. Tashmë, propozimi mbështetet edhe nga Këshilli Evropian, pas përparimeve të vazhdueshme dhe rezultateve të prekshme” të vendit.

         “Mendoj se krerët e BE-së do të kenë mjaft elementë që të marrin një vendim pozitiv për udhën e Maqedonisë drejt Evropës”, pohoi Mogherini. Në një deklaratë të Këshillit të Stabilizimit dhe të Asociimit nënvizohet se “janë shqyrtuar hapat e bëra në fushat kryesore të zbatimit të kritereve politike, ekonomike dhe të bashkëpunimit financiar”. Prandaj, Maqedonia e Veriut inkurajohet të vazhdojë rrugën e reformave gjyqësore, luftën kundër krimit të organizuar, reformën e shërbimeve sekrete dhe të administratës publike.

20 mars 2019, 14:18