Cerca

Vatican News
Saint Patrick, San Patrizio Saint Patrick, San Patrizio 

Më 17 mars kalendari kishtar përkujton Shën Patrikun

Shën Patriku, ipeshkëv, apostull i Irlandës. Aftësia e tij për t'u bërë një me shpirtin irlandez, shpjegon pse predikimi i fesë së re ndërmjte irlandezëve nuk pati asnjë martir në këtë tokë, banorët e së cilës qenë fise luftarake, shpesh në konflikt ndërmjet tyre. Patriku formoi klerin vendas dhe bashkësitë e para të krishtera, duke respektuar thellësisht traditat. Ne një lutje ai na mëson: “Krishti brenda meje, Krishti pas meje, Krishti përkrah meje, Krishti nën mua, Krishti mbi mua”.

R.SH. - Vatikan

Më 17 mars kalendari kishtar përkujton Shën Patriku. Bir i diakonit të bashkësisë Bannhaven Taberniae, Patriku lindi në vitin 385 në Angli, por shpejt u kap nga piratët e u shit skllav në Irlandë, vend i banuar nga keltët e skotët, ende paganë. Gjurmët e rinisë së tij janë të zbehta. Dimë me siguri se para vitit 448 kishte ikur nga Irlanda e qe vendosur në Okserrë, pranë Gjermanit ipeshkëv, njeri me dije të thella e shenjtëri të jashtëzakonshme.

Më pas Patriku u rikthye në Irlandë, jo më si skllav, por si predikatar i Ungjillit. Aftësia e tij gjeniale për t'u bërë një me shpirtin irlandez e për ta kuptuar me fund, shpjegon pse predikimi i fesë së re ndërmjet irlandezëve nuk pati asnjë martir në këtë tokë, banorët e së cilës qenë fise luftarake, shpesh në konflikt ndërmjet tyre.

Patriku formoi klerin vendas dhe bashkësitë e para të krishtera, duke respektuar thellësisht traditat. Synoi së pari të kthente në fenë e krishterë kryetarët e fiseve, pas të cilëve vinte gjithë fisi. Ndërtoi abacitë, që u bënë të famshme e bërthama të qyteteve të ardhshme. Vuajti shumë për shkak të shpifjeve, që bënë kundër tij heretikët pelagjianë. Atëherë Shenjti hartoi shkrimin e titulluar "Rrëfim" duke sqaruar se gjithë veprimtaria e tij misionare s'ishte tjetër, veçse zbatim i një urdhri hyjnor, e urrejtja e pelagjianëve kundër tij, buronte thjeshtë nga urrejtja që ata kishin për Zotin, të cilit ai i bindej pa kushte.

Patriku i përfundoi në paqe ditët e veta në vitin 461 në Ulster e pikërisht në Daun, që nisi të quhej Downpatrick. La pas një trashëgimi të shkëlqyer: një radhë të gjatë shenjtorësh e një popull të lidhur pazgjidhshmërisht me fenë e krishterë në rrjedhë shekujsh.

Një rrëfim i shkurtër për Pajtorin e Irlandës:
 
Patriku sodit nga anija bregdetin irlandez, një vend që e njeh mirë. Kur ishte 16 vjeç, djaloshi anglez qe kapur nga disa irlandezë, që e çuan në tokën e tyre, ku jetoi si i burgosur për gjashtë vjet me radhë. Sot Patriku nuk është më i burgosur: kthehet në këto troje të egra me dëshirën e vet. Një natë Jezusi iu duk në ëndërr dhe i kërkoi të niset për t’ia kumtuar Ungjillin irlandezëve. E kështu Patriku u bë prift e u nis me anijen e parë drejt e në Irlandë…

E di se misioni i tij nuk është aspak i lehtë. Irlandezët adhurojnë si hyjni të gjitha fenomenet e natyrës: drurët, burimet, stinët... Zotin e gjejnë në natyrën e harlisur të ishullit të blertë, rrethuar me kaltërsinë pa fund të ujërave. Patrikut i duhet të luftojë kundër krerëve fetarë, druidëve, që të kallin frikë e tmerr: ata do të përdorin të gjitha forcat e tyre magjike kundër tij, për të mos e lejuar ta përhapë Fjalën e Krishtit ndërmjet irlandezëve. Po ç’mund të bëjë magjia e druidëve përballë një meshtari të dërguar nga vetë Zoti? Patriku është plot besim e shpresë. U kundërvihet druidëve pa frikë e u tregon qartë se magjia e tyre është e kotë. Natën e parë të Pashkëve në Ishull, meshtari i krishterë ndez zjarre të mëdha në vendin ku ka ngulur banesën, për të kremtuar kështu ngjalljen e Krishtit. Po kjo është e ndaluar.

Dy hapa më tutje kremtohet një festë për nder të hyjnive irlandeze e druidët, duke e parë në dritën valavitëse të flakëve, tërbohen. Por nuk mund të bëjnë asgjë për ta ndaluar. Magjia është e kotë. Njëri pas tjetrit fiset irlandeze kthehen në fenë e krishterë, sepse krerët e tyre e shohin qartë epërsinë e Patrikut mbi druidët. Megjithatë Patriku ka ende shumë për të bërë: ndonëse tashmë e kanë marrë Pagëzimin, këta luftëtarë mbeten të egër. Nuk ngurrojnë fare t’i plaçkisin e t’i masakrojnë fiset armike! Kur bëjnë beteja të tilla gjakatare, Patriku zemërohet, i dëbon nga Kisha vrasësit e u jep urdhër të kërkojnë falje, në se duan të mbeten të krishterë.

E vetmja rrugë për të fituar respektin, është të mbash qëndrim të paepur përballë krerëve të fiseve. Por Patriku di të jetë edhe i ëmbël e i duruar, posaçërisht kur jep mësime katekizmi. Është mësues tejet i mirë. Gjen gjithnjë rrugë të reja, interesante, për ta shpjeguar fenë e krishterë. Mësimi i tij është tepër tërheqës. Të lë me gojë hapur. Po marrim vetëm një shembull: për të shpjeguar ç’është Trinia Shenjte, përdor tërfilin, që bleron në të katër anët e ishullit. Trinia – shpjegon – është si tërfili. Tërfili ka tri fletë, por është një bimë e vetme. Trinia përbëhet nga tri Vetje: Ati, Biri e Shpirti Shenjt, por është një Hyj i vetëm”. Kjo mënyrë për shpjegimin e themelit të fesë së krishterë u bë aq e famshme, sa edhe sot tërfili mbetet simbol i Irlandës… e Patriku, Pajtori i saj.

17 mars 2019, 15:12