Cerca

Vatican News
2018-08-06 San Domenico 2018-08-06 San Domenico 

I Lumi Angjeliko, meshtar domenikan e piktor i shquar

I Lumi Gjovani nga Fiesole, i njohur me emrin i lumi Angjeliko, domenikan, i famshëm për pikturat e tij, me të cilat ungjillëzon. U përpoq të shkrinte parimet e reja të Rilindjes, si ndërtimi i perspektivës dhe vëmendja ndaj figurës njerëzore, me vlerat e vjetra mesjetare, si funksioni didaktik i artit dhe vlera mistike e dritës. Një nga kryeveprat e tij është “Lajmërimi i Zotit”.

R.SH. - Vatikan

Më 18 shkurt, kalendari i Kishës katolike përkujton Lumin Angjeliko, meshtar domenikan dhe një nga piktorët më të shquar të Rilindjes italiane. I Lumi Angjeliko, piktor i Rilindjes Italiane, bashkoi në një jetën e fratit të devotshëm e atë të piktorit të famshëm. U shpall i Lum për pikturat me subjekte fetare dhe për dashurinë e tij të pakufishme për njeriun.

I pagëzuar me emrin Guido di Pietro, Angjeliko lindi në Vikio të Toskanës. Që i ri hyri në një kuvend domenikanësh në Fiezole, ku edhe veshi zhgunin e bardhë të Bijve të shën Dedës, duke u bërë frat me emrin Fra Giovanni nga Fiezole.

Nuk dihet nga kush e mësoi artin e pikturës. Ka mundësi që në fillim të ketë punuar si ilustrues i mesharëve dhe librave të tjerë liturgjik e fetarë. Pastaj nisi të pikturojë elterë. Ndërmjet punëve të para ishe “Zoja e Yjeve”, realizuar më 1428 në kishën e shën Markut në Firencë dhe “Krishti në lumni, rrethuar nga Shenjtorët e Engjëjt” (Galeria Kombëtare e Londrës), në të cilën krijoi 250 figura të ndryshme.

Ndërmjet veprave tjera të kësaj periudhe janë “Kurorëzimi i Virgjërës” (Muzeu i Luvrit në Paris), “Varrimi Krishtit” e “Gjyqi i fundit” (Kisha e shën Markut Firence). Stili i tij fitoi pjekurinë tek “Zoja e endësve të pëlhurave”, rrethuar nga 12 engjëj muzikantë, pikturuar në shën Markun e Firencës, restauruar kohët e fundit. Më pas, i ndihmuar nga nxënësit e tij, vijoi të pikturonte shumë afreske për kiostrin e kuvendit të rregulltarëve, shtëpinë e kapitullin dhe 290 qelitë e korridoreve të epërme në kuvendin dominikan. Veprat më të realizuara janë: “Kryqëzimi”, “Krishtit shtegtar”, “Shndërrimi i Krishtit”.

Piktura e tij për elterin e Kishës së shën Markut (1439) kushtuar “Zojës së bekuar ndërmjet engjëjve e shenjtorëve” është një ndër veprat që përmblidhen nën titullin Bisedime të Shenjta.

Në vitin 1445 Angjeliko qe thirrur në Romë nga Papa Eugjeni IV për të pikturuar afresket e Kapelës së Sakramentit në Vatikan. Në vitin 1447, së bashku me nxënësin e tij, Benozzo Gozzoli, pikturoi afresket për katedralen e Orvietos. Veprat e tij të fundit të rëndësishme, afresket për kapelën e Papës Nikolla në Vatikan, janë skena nga jeta e shën Shtjefnit dhe shën Lorencit. Nga viti 1449 deri më 1452 qe epror i kuvendit të tij domenikan në Fiezole. Vdiq në kuvendin domenikanëve në Romë më 18 mars 1455.

Angjeliko shkriu në një stil gotik elegant dekorativ të Gjentile da Fabrianos me stilin më realist të mjeshtërve të Rilindjes si piktori Masaccio e skulptorët Donatello e Gilberti dhe të gjithë gjenive që punuan në Firence.

Angjeliko kishte njohuri për teoritë e perspektivës, që shkaktuan një revolucion të vërtetë në artet figurative. Mbetët mjeshtër i pakrahasueshëm në pikturimin e fytyrave që shprehin devocion të thellë, gjë që e realizoi me përdorimin origjinal të ngjyrës, duke arritur kështu të shprehë fuqimisht emocionet që i ngjall njeriut takimi shpirtëror me Zotin në lutje. Aftësia për krijimin e figurave monumentale, për paraqitjen e lëvizjes dhe shfrytëzimin mjeshtëror të thellësisë përmes përdorimit të perspektivës lineare, posaçërisht ndër afresket romake, e radhitin ndërmjet piktorëve më të shquar të Rilindjes e njëkohësisht, ndërmjet artistëve të Lum.

Çdo mëngjes Zoti na falë një ditë që e ka bërë gati për ne: në të nuk ka asgjë të tepërt e asgjë të magët, asgjë që s’meriton vëmendje e asgjë të panevojshme

17 shkurt 2019, 18:56