Kërko

Presidenti i Kosovës dr. Ibrahim Rugova Presidenti i Kosovës dr. Ibrahim Rugova  

Presidenti Ibrahim Rugova në përvjetorin e vdekjes

Ibrahim Rugova, simbol i udhës paqësore drejt fitores së Pavarësisë. Jetoi e veproi deri në fund për popullin dhe vendin e tij, duke lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme si njeri i kulturës, si kultivues i paqes e burrë shteti largpamës.

R.SH. - Vatikan

Si sot, me 21 janar 2006, Kosova dhe shqiptarët përjetuan me hidhërim vdekjen e parakohshme të liderit e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Dr Ibrahim Rugova simbol i udhës paqësore drejt fitores së Pavarësisë, qe prijës i vlerave demokratike, i qëndresës qytetare, misionar i paqes, vizionar e arkitekt i pavarësisë së Shtetit të Kosovës, mik e bashkëbisedues i çmuar i Bashkësisë Ndërkombëtare në Ballkan.

Dr. Ibrahim Rugove paraqiti gjendjen e rëndë të të drejtave njerëzore në Kosovë duke e ndërkombëtarizuar këtë çështje, e çojë zërin duke kërkuar respektimin e dinjitetit të çdo njeriu dhe të një populli të tërë. I frymëzuar nga personalitete të mëdha të së kaluarës e të kohës, si ipeshkvi i madh shqiptar imzot Pjetër Bogdani, Gandhi, Martin L. King, V. Havel, Papa Shën Gjon Pali dhe e Shёn Nënë Tereza – Ganxhe Bojaxhiu, dr. Ibrahim Rugova jetoi e veproi deri në fund për popullin dhe vendin e tij, duke lënë kështu një trashëgimi të jashtëzakonshme si njeri i kulturës, si kultivues i paqes e burrë shteti largpamës.

Ibrahim Rugova në jetën personale, në veprimtarinë kulturore,  shoqërore, politike e atё publike, siç u shpreh në bisedë me redaksinë shqipe të Radio Vatikanit, pati si frymëzim disa figura e personalitetet si: Shën Gjon Pali II, Shenjta Nënë Terezë e kryeipeshkvi madh shqiptar imzot Pjetër Bogdani.

Ja fjalët e Presidentit Ibrahim Rugova, në njërën nga intervistat që realizuam me të më 1999, mbi figurën e kryeipeshkvit shqiptar imzot Pjetër Bogdani dhe mbi personalitetin e Shenjtës shqiptare Nënë Terezën Ganxhe Bojaxhiu.  Presidenti Rugova rrëfen se pati një takim të vetëm me Nënë Terezën, në vitin 1995 në aeroportin e Romës, dhe kujton mbresat e pashlyeshme nga biseda prekëse me bijën, motrën e Nënën e popullit shqiptar, Ganxhe Bojaxhiun, nga arkivi i redaksisë shqipe të Radio Vatikanit ju propozojmë disa fragmente....

Presidenti Ibrahim Rugova në mikrofonin e redaksisë shqipe të RV flet për imzot Pjetër Bogdanin e takimin me Nënë Terezën

Mbi figurën e dr. Ibrahim Rugovёs po propozojmë mendimin e françeskanit tё njohur shqiptar Atё Zef Pllumi:

“Nji ndër burrat e rrallë të kombit shqiptar. Ndoshta ma i rralli ndër shekujt e fundit. Sepse na cilsohemi, simbas tjerve, popull hakmarrës, i pamëshirshëm e shkatrrimtar.

Ai u përpoq me spjegue shkrimtarin e madh kosovar Pjetër Bogdanin, ndërkaq Pjetër Bogdani zotnoi shpirtin e Ibrahim Rugovës. I përpoq mendimi i tyne i perbashktë: liria e popullit kosovar. Caktoi me ndjekë rrugën e tij si ma të drejtën për nji Kosovë të lirë e të pamëvarun prej gjithkujt.

Ai pati vizionin e themeluesve të Europës së bashkueme. Atje mendonte me shti edhe vendin e vet Kosovën, por pa i shkaktue vuejtje as gjak kurrkuj, prandej edhe kje thirrë “Gandi kosovar”. 
U sha e u luftue nga serbët, u sha e u luftue nga shqiptarët, u sha e u luftue edhe nga kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm vizionin europjan.

Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dijtuni, e ma i urti i të gjithve. Vazhdimisht pat kritika në shtypin Kosovar për dy fotografi që mbante në zyrën e tij: atë të Nanë Terezës, si dhe atë të Gjon Palit të dytë ose Woitil-ës Papë. Mbas të gjitha kritikave, ai vazhdoi t’i mbante deri ditën e fundit të jetës, jo vetëm se i kishte zgjedhë si model të jetës s’vet sepse Gjon Pali i dytë kje luftari ma paqsor mbi tokë, i cili ia duel me shkatrrue dy ideologjitë ma kriminale të shekujve, nazizmin e komunizmin internacional, ndërsa Nana Terezë shqiptarja qi mori çmimin “Nobel për paqen”, e propozueme nga nji komb i largët për të mirat që i kish dhanë njerëzimit, nji kohë kur në vendin e vet nuk lejohej me ardhë as sa me nderue vorrin e nanës së vet."

[At Zef Pllumi]

21 janar 2019, 15:38