Cerca

Vatican News
Shën Françesku i Sales Shën Françesku i Sales 

Me 24 janar kalendari kishtar kujton shën Françeskun e Sales

Shën Françesku i Sales, ipeshkëv e doktor i Kishës, themelues i Urdhrit të Vizitacionit e pajtor i shtypit katolik, është dëshmitar i humanizmit të krishterë: me stilin e tij familjar, me shëmbëlltyrat, që nganjëherë fluturojnë me flatrat e poezisë, vijon të na kujtojë se njeriu e ka të shkruar në thellësitë e shpirtit të vet mallin për Zotin e se vetëm në Të mund të gjejë gëzimin dhe realizimin e tij të plotë.

R.SH. - Vatikan

Me 24 janar kalendari kishtar përkujton Shën Françeskun e Sales, dijetar i Kishës e ipeshkëv i Gjenevës, qe një ndër mësuesit e mëdhenj të spiritualitetit të shekujve të fundit. Lindi në Thorens të Savojës më 21 gusht të vitit 1567. Si u doktorua në Padovë, u shugurua meshtar e më pas u emërua ipeshkëv i Gjenevës. Është një ndër mësuesit e mëdhenj të jetës shpirtërore. Iu përkushtua me sukses të madh predikimit dhe formimit shpirtëror të besimtarëve, duke u mësuar se thirrja për shenjtëri është për të gjithë dhe se secili – siç thotë Shën Pali në krahasimin me trupin – ka vendin e tij në Kishë”. 

Shkroi shumë vepra asketike e qe ndër të parët që jetën shpirtërore dhe shenjtërinë i paraqiti si udhë të mundshme për të gjithë besimtarët e njerëzit vullnet mirë në të gjitha situatat e gjendjet e jetës: në familje, në shoqëri, në zyrë, në punë, në ushtrí, në katedra universitetesh e edhe në parmendë e në kosë.
Theksoi se vetëm dashuria e Zotit formon e bën Shenjtorë.

Në bashkëpunim me Gjovanë Françeskën Fremiët de Shantal themeloi Urdhrin e murgeshave klaustrale të Vizitacionit. U shqua për dituri të thellë e butësi të jashtëzakonshme, aq sa u quajt Shenjti i butësisë.  Me urtinë e tij baritore e ëmbëlsinë proverbiale, tërhoqi shumë kalvinistë të krishterë në radhët e Kishës katolike. Vdiq në Lion me 28 dhjetor 1622. Kujtojmë se Shën Françesku i Sales është pajtor i gazetarëve dhe i shtypit katolik.

                               Shën Françesku i Sales: shenjtëria është rrugë e hapur për të gjithë.

Më 2 mars 2011 në audiencën e përgjithshme në Vatikan, Papa i nderit Benedikti XVI foli mbi figurën e shën Françeskut të Salës: liria nuk fitohet me dhunë, por me dashurinë, që jetohet ditë për ditë, tha mes tjerash Ati i Shenjtë Ratzinger. Ideali i lirisë, që e dëshirojnë të gjithë njerëzit, realizohet plotësisht vetëm në Zotin, e jo përmes dhunës e shqetësimit, me të cilat kërkohet shpesh edhe sot e kësaj dite. E pohoi këtë Benedikti XVI në përfundim të katekizmit të audiencës së përgjithshme, mbajtur paraditen e 2 marsit 2011 në Sallën e Palit VI, në Vatikan, kushtuar Shën Françeskut të Sales. Papa Joseph Ratzinger foli me entuziazëm të madh për Françeskun e Sales, i cili vijon të na mësojë se shenjtëria është rrugë e hapur për të gjithë, pavarësisht nga gjendja shoqërore. 

Shenjtëria është pronë e të gjithëve, jo vetëm e vetmitarëve dhe e murgjërve, që e kalojnë jetën të mbyllur ndër kuvende. Ky koncept, tashmë familjar për besimtarët e krishterë të kohëve tona, katërqind vjet më parë, kur e formuloi Shën Françesku i Sales, me hirin e thellësinë, karakteristike për personalitetin e tij, ishte vërtet revolucionar. Në një epokë, kur pyetej shumë ç’duhej pritur nga Zoti, Françesku, vetëm njëzetvjeçar, duke u lutur e duke jetuar në lidhje të thellë me Zotin, arriti në përfundimin, aktual për të gjitha kohët: “Liri do të thotë ta duash Zotin, pa kërkuar kurrfarë shpërblimi”. 

I dukshëm, admirimi me të cilin Papa i nderit Benedikti XVI e pikturoi portretin e njeriut, që Kisha e nderon si shenjt e doktor, ndër më të mëdhenjtë, ndonëse jetoi në shekujt XVI-XVII, 400 vjet larg nesh në kohë, e, megjithatë, tejet pranë në mendime : “I pamatshëm, ndikimi i jetës së tij e i mësimit të tij mbi Evropën e epokës e të shekujve të mëpasëm. Është apostull, predikatar, shkrimtar, njeri i veprimit e i lutjes, i impenjuar për të vënë në jetë idealet e Koncilit të Trentit; i angazhuar në grindjet e në dialogun me protestantët, duke provuar gjithnjë më shumë, përtej ballafaqimit të nevojshëm teologjik, frytin e marrëdhënieve personale e të dashurisë së krishterë; i ngarkuar me misione diplomatike në nivel evropian e me detyra shoqërore ndërmjetësimi e pajtimi”.

“Hyji është Zot i zemrës së njeriut” – shpjegonte, në dukje me thjeshtësi, Françesku i Sales, njeri tejet i pasur me humanitet, me kulturë, mirësjellje, fisnikëri, solidaritet. Ai dinte të pasurohej e të pasuronte me dije e me dashuri të krishterë, dije e dashuri që i derdhte në zemrat e njerëzve, me të cilët takohej e në veprat e shkruara, që mbeten gjithnjë të famshme. Në një prej tyre “Hyrje në jetën e devotshme”, Shenjti francez – kujtoi Benedikti XVI – formuloi një ftesë revolucionare, sipas së cilës “njeriu duhet t’i përkasë krejtësisht Zotit, duke jetuar në zemër të botës e duke kryer detyrat, në përkim me mënyrën e tij të jetesës: “Zinte fill kështu, thirrja e laikëve, kujdesi për kushtimin e sendeve të përkohshme e për shenjtërimin e së përditshmes, thirrje mbi të cilën do të këmbëngulnin Koncili II i Vatikanit e përshpirtëria e kohëve tona. Dukej në horizont ideali i njerëzimit të pajtuar, përkimi ndërmjet veprimtarisë në botë e lutjes, ndërmjet jetës shekullare e kërkimit të përsosurisë, me ndihmën e Hirin e Hyjit, që e përshkon njerëzoren e, pa e shkatërruar, e pastron, duke e ngritur në lartësi hyjnore”.

Françesku i Sales – vijoi Benedikti XVI - arrin ta përshkruajë arsyen njerëzore si tempull me shumë hapësira, që ka në qendër “fundin e shpirtit”, pikë, në të cilën arsyeja – siç u shpreh një ditë – i mbyll të dy sytë e dija bëhet një gjë e vetme me dashurinë: “Mendimin se dashuria, në përmasën e vet teologale, duhet të jetë arsyeja e të qenit të të gjitha sendeve, në një shkallë ngjitëse, që nuk njeh plasa as hone, Shën Françesku i Sales e përmblodhi në një nga frazat e tij të famshme: ‘Njeriu është përsosuria e universit; shpirti, përsosuria e njeriut; dashuria, përsosuria e shpirtit e bamirësia, përsosuria e dashurisë”.

I shkruante një ditë Shën Françeskës di Shantal, “rregullën”, mbi bazën e së cilës – kujtoi Benedikti XVI – do të formoheshin shenjtorët e ardhshëm, si Shën Gjon Bosko e Shën Terezina e Krishtit Fëmijë: “Gjithçka duhet bërë me dashuri, asgjë me detyrim - duhet dashur më shumë bindja, se mosbindja. Ju lë shpirtin e lirisë, e jo atë, që përjashton bindjen, sepse kjo është liria e botës; por atë që përjashton dhunën, ankthin e dyshimin”.

Një rregull - përfundoi Papa Ratiznger - që përmbys rravgimet e botës së sotme, duke u dhënë edhe përgjigjen e duhur: “Në një stinë, si kjo që po jetojmë, e cila e kërkon lirinë edhe me dhunë e me shqetësim, nuk duhet ta harrojmë aktualitetin e këtij mësuesi të madh të përshpirtërisë e të paqes, që u dorëzon dishepujve të vet ‘shpirtin e lirisë’, lirisë së vërtetë (…) Shën Françesku i Sales është dëshmitar shembullor i humanizmit të krishterë: me stilin e tij familjar, me shëmbëlltyrat, që nganjëherë fluturojnë me flatrat e poezisë, vijon të na kujtojë se njeriu e ka të shkruar në thellësitë e shpirtit të vet mallin për Zotin e se vetëm në Të mund të gjejë gëzimin dhe realizimin e tij të plotë”.

24 janar 2019, 12:19