Cerca

Vatican News
Cristo abbraccia la nostra croce Cristo abbraccia la nostra croce  (ANSA)

Më 16 janar kalendari kujton Shën Marçelin I Papë

Papa Damasi duke lavdëruar Marçelin, shkruan: “Ata që kishin mohuar fenë e krishterë, por dëshironin të ktheheshin përsëri, Papa Marçeli vijoi t’i mbronte dhe t’i pranonte, pasi e lanin me lot pendese fajin e mohimit dhe betoheshin të mos e përsërisnin kurrë më, përballë çdo rreziku. Punoi shumë edhe për rindërtimin e strukturave kishtare të shkatërruara pas persekutimit të Dioklecianit”.

R.SH. - Vatikan

Shën Marçeli I Papës e drejtoi Kishën universale nga 27 maji i vitit 308 deri më 16 janar 309. Pak gjëra dihen për të, sepse burimet janë të paqarta, ndërsa Shenjti për një kohë të gjatë u ngatërrua me Shën Marçelinin papë, vdekur martir gjatë persekutimit të Dioklecianit. Kështu emri i Shën Marçelit papë, paraqet një sërë problemesh për t’u zgjidhur.

Martiriologu Romak, ai Jeronimian, Katalogu Liberian dhe Liber Pontificalis shënojnë të dhëna që i bien ndesh njëra-tjetrës, gjë që është plotësisht e kuptueshme në një kohë, kur Kisha tronditej në themele në Romë e kudo jetonin të krishterë, nga përndjekjet e përditshme nën perandorin Dioklecian e më pas, nën pasardhësin e tij, Galerin, vdekur në vitin 311. Sipas historianit të shquar gjerman, Teodor Momsen dhe studiuesve të tjerë, Marçeli nuk ka qenë fare papë, por prift i thjeshtë romak, i cili e drejtoi Kishën pas vdekjes së Papës Marçelini, në pritje të zgjedhjes të papës së ri.

Sidoqoftë, pas viteve të errëta të historisë së Kishës, emri i Marçelit I doli përsëri në dritë përmes studimit të burimeve të lashta, në të cilat theksohet qëndrimi i tij ndaj besimtarëve që njiheshin me emrin ‘lapsi’, dmth njerëz që kishin rrëshqitur, siç quheshin asokohe të krishterët që mohonin fenë nga frika e persekutimeve. Në disa vende, në Afrikë për shembull, mendohej se njerëz të tillë duheshin shlyer përgjithnjë nga radhët e Kishës. Ndërsa Papa Marçeli nuk u tregua kaq i ashpër: e mirëpriti rikthimin e tyre në Kishë, por pasi të ishin penduar.

Papa Damasi (366-384), duke lavdëruar këtë qëndrim të Marçelit, shkruan: “Ata që kishin mohuar, por dëshironin të ktheheshin përsëri, Papa Marçeli vijoi t’i mbronte dhe t’i pranonte, pasi e lanin me lot pendese fajin e mohimit dhe betoheshin të mos e përsërisnin kurrë më, përballë çdo rreziku. Punoi shumë edhe për rindërtimin e famullive të shkatërruara pas persekutimit të Dioklecianit”. Kështu shkruan Papa Damasi, por femohuesit e shikonin Marçelin si armik të tmerrshëm, sepse pasi kishin mohuar, donin t’i rimerrnin sakramentet pa bërë kurrfarë pendese.

Në një nga burimet që flet për papën Marçeli shkruhet se për faj të njërit prej tyre, Shenjti u internua nga tirani. Këtë të dhënë e gjejmë në Liber Pontificalis, ndërsa nga Martiriologun Romak mësojmë se u persekutua dhe u detyrua të punonte si stallier në stallat e postës perandorake, ndërsa shënohet edhe se u internua, të dhëna këto që nuk konsiderohen të besueshme.

Në burimet e lashta gjejmë edhe data të ndryshme të papnisë e të vdekjes së tij, por Kisha, duke ndjekur Martiriologun Romak, e kremton më 16 janar Shën Marçelin, reliket e të cilit pushojnë në paqe në varrezën romake të Prishilës.

16 janar 2019, 13:16