Kërko

 Indonezi- Tcunami Indonezi- Tcunami 

Tcunami në Indonezi; të paktën 168 të vdekur, 30 të humbur

Autoritetet flasin për një bilanc të përkohshëm, shkaktuar nga dallgët vigane, pasojë e shpërthimit të një vullkani.

R. SH. - Vatikan

Të paktën 168 të vdekur, 30 të humbur e 745 të plagosur, sipas bilancit  të përkohshëm të tcunamit, që u përplas mbi bregdetin e Indonezisë, rreth ngushticës së Sondës, ndërmjet ishujve Java e Sumatra.

Agjencia indoneziane për përballimin e fatkeqësive të natyrës druhet se bilanci “do të vijojë të shtohet” dhe nënvizon se në shumë nga zonat e dëmtuara rëndë, nuk kanë arritur ende ndihmat urgjente. Presidenti indonezian Joko Widodo kërkoi nga qeveria marrjen e masave të ngutshme, për t’iu përgjigjur kësaj emergjence, për t’i kërkuar sa më shpejt  viktimat e për t’i ndihmuar të plagosurit.

Shpërthimi i vullkanit

Sipas Agjencisë indoneziane të metereologjisë dhe gjeofizikës, dallgët  e jashtzakonshme u përplasën pa paralajmërim mbi plazhet më të populluara të ngushticës “Sunda” të Indonezisë, gjatë mesnatës së të shtunës, duke lënë pas  gërmadha e panik, edhe më në brendësi të ishullit.

Qindra ndërtesa u shkatërruan nga dallga gjigante, që goditi ishullin jugor të Sumatrës, por edhe brigjet perëndimore të Javës rreth orës 21:30 të mbrëmjes, me atë lokale, pas shpërthimit të vullkanit të njohur si “fëmija” i vullkanit të famshëm “Krakatoa”.   

Kërdi mbi spektatorët e një koncerti

Pamjet dramatike publikohen në rrjetet sociale. Shikojmë sesi një “mur” gjigant uji përplaset mbi një koncert, që po mbahej në ambient të hapur nga grupi i muzikës pop “Seventeen”. Dallga, pasi i “spastroi” instrumentistët e bandës nga skena, u derdh edhe mbi spekatorët, duke shkaktuar humbjen e disa jetëve.

Alarm për zonat bregdetare

Ndërkaq autoritetet shpallën gjendjen e alarmit, duke i ftuar banorët e zonave të dëmtuara nga tcunami të rrinë larg plazheve. Sepse nuk përjashtohet rreziku i shpërthimit të ri  të vullkanit Anak-Krakatau, që dje shkaktoi gjithë këtë shkatërrim.

Tcunami i vitit 2004

Indonezia është zonë, që rrezikohet vazhdimisht nga tërmetet detare. Kujtojmë se 14 vjet më parë, më 26 dhjetor 2014, një tcunam i fuqishëm  pati shkatërruar shumë zona, që shtrihen në brigjet e Oqeanit Indian.  Shkaktoi, kështu, një nga fatkeqësitë më të mëdha natyrore të historisë së kohëve të fundit, me rreth 230 mijë viktima, dhjetra mijëra të humbur dhe pesë milionë të shpërngulur.

23 dhjetor 2018, 12:32