Kërko

2018.11.01 i Santi 2018.11.01 i Santi 

Shenjtorët e javës 16 – 23 dhjetor

E diela e tretë e Ardhjes quhet edhe e diela e gëzimit, sepse jemi afër së kremtes së Lindjes së Jezu Krishtit Zot. Këndej tema qendrore e leximeve biblike është gëzimi e galdimi, që për ne, burim i gëzimit, është Jezusi, që vjen gjithnjё ndërmjet nesh, për të banuar ndër ne e për të na dhënë dashurinë e Tij

R.SH. - Vatikan

E Diel 16 dhjetor, Kisha katolike kremton tё dielёn e 3-tё tё kohёs sё Ardhjes, kohë liturgjike që paraprin e përgatit festën e Mishërimit të Zotit, Krishtlindjen. Gjithnjë më 16 dhjetor, bie përkujtimi i shën Davidit mret e profet dhe shën Adelajdës perandoreshë.

E diela e tretë e Ardhjes quhet edhe e diela e gëzimit, sepse jemi afër së kremtes së Lindjes së Jezu Krishtit Zot. Këndej tema qendrore e leximeve biblike është gëzimi e galdimi, që për ne, burim i gëzimit, është Jezusi, që vjen gjithnjё ndërmjet nesh, për të banuar ndër ne e për të na dhënë dashurinë e Tij.

Të hënën 17 dhjetor,  kalendari përkujton Shën Danielin profet; shenjtorët Anania, Azaria e Mizaeli; Shën Gjonin e Matës, meshtar, themelues i Trinitarëve dhe Shën Gjaçintin Kormié, meshtar dominikan. Liturgjia e ditёs na kujton se Mesia, i paralajmëruar nga profetët, vjen për ta shpëtuar popullin prej mëkatesh. Por për ta bërë këtë, Hyji shërbehet nga të drejtët, nga ata që e dëgjojnë fjalën e tij.

Të martën më 18 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Malakinë profet e shën Gacianin ipeshkëv i Tur. Liturgjia e ditës na fton të kundrojmë Engjëllin e Tënzot i cili nuk ia kumton lindjen e Mesisë vetëm Marisë, por edhe Jozefit, duke e ftuar të mos kishte frikë, por t’i besonte plotësisht planeve misterioze të Hyjit.

Të mërkurën më 19 dhjetor, kalendari kishtar përkujton Papët Shenjtër Urbanin dhe Anastasin. Liturgjia e ditës na kujton se pritja e Zotit, ashtu si ardhja e tij, janë çështje feje, e në se ne kemi fe, Hyji, me dhuratën e shërimit, do të na bëjë jo vetëm të ecim, por edhe të vrapojmë; jo vetëm të flasim, por edhe të bërtasim, kur është nevoja.

Të enjten  më 20 dhjetor, kalendri kishtar përkujton Shën Filogonin, ipeshkëv. Liturgjia e ditës na kujton se Zoti është i durueshëm e i pasur me hir. Prandaj njerëzit vijojnë ta kërkojnë në shekuj, por nganjëherë nuk arrijnë ta gjejnë, sepse për ta gjetur, duhet kërkuar ndërmjetësimi i lajmëtarëve të tij, si Shën Gjon Pagëzuesi. Përndryshe njeriu i ngjet atij që duke pasur etje, e kërkon ujin atje ku nuk gjindet. 

Të premten më 21 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shenjtorët Pjetër Kanizin, meshtar jezuit e dijetar i Kishës dhe Mikenë, profet. Liturgjia e ditës na vë simbolikisht për udhë pas Virgjërës Mari e cila, pasi ia ka hapur zemrën Shpirtit Shenjt, niset për t’i shërbyer Elizabetës, kushërirës që ka nevojë për ndihmë.

Të shtunën mё 22 dhjetor, kalendari kishtar përkujton Shën Françeskën Kabrini, virgjër, themeluese e Misionarëve të Zemrës së Krishtit. Liturgjia e ditës na tregon se Ana e Maria, plot mirënjohje për dhuratën e jetës, ia besojnë gjithë vetveten Zotit me thjeshtësi e përvujtëri.

Të dielën e ardhshme më 23 dhjetor, Kisha do tё kremtojё të dielën e 4-të dhe të fundit të Kohës së Ardhjes. Po mё 23 dhjetor, kalendari kishtar përkujton Shën Gjonin e Ketit.

16 dhjetor 2018, 17:59