Kërko

2018.12.20 Nativita, Ghirlandaio 2018.12.20 Nativita, Ghirlandaio 

Kisha kremton Familjen Shenjte, model për të gjitha familjet

Zoti deshi të lindë e të rritet në një familje njerëzore. Në jetën e kaluar në Nazaret, Jezusi e ka nderuar Virgjërën Mari dhe Jozefin e drejtë, duke mbetur nën autoritetin e tyre për gjithë kohën e fëmijërisë dhe të adoleshencës. Në këtë mënyrë ka vënë në dukje vlerën primare të familjes në edukimin e personit.

R.SH. - Vatikan

Familja e Virgjërës Mari, e Shën Jozefit dhe e Krishtit Fëmijë, që njihet si Familja Shenjte e Nazaretit, është model i virtyteve njerëzore e të mbinatyrshme për të gjitha familjet e krishtera. Duke hyrë në misterin e kësaj familjeje kaq të veçantë, mund të fitojmë vlera e të marrim mësime që sot, më shumë se kurrë, janë të domosdoshme për t'i siguruar shoqërisë njerëzore themele të shëndosha: mësimet e paqes, të pajtimit e të dashurisë.

Sa do të dëshironim që paqja, pajtimi e dashuria e Shtëpisë së Nazaretit të mos i mungonin asnjërës prej familjeve të sotme. T’i lutemi, prandaj Zotit, që të gjithë prindërit e krishterë të jenë të vetëdijshëm e të ndërgjegjshëm për detyrën dhe misionin e tyre të pazëvendësueshme e tejet të rëndësishëm si ndaj fëmijëve, ashtu edhe ndaj shoqërisë, sepse nga ata pritet një dëshmi e vërtetë dhe e fuqishme ungjillore.

Familja e Shenjtë e Nazaretit është vërtetë “prototipi” i çdo familjeje të krishterë, e cila, e bashkuar nëpërmjet Sakramentit të martesës dhe e ushqyer nga Fjala e Ungjillit e Eukaristia, është e thirrur të realizojë misionin e mrekullueshëm për të qenë qelizë e gjallë jo vetëm e shoqërisë, por edhe e Kishës, shenjë dhe mjet bashkimi për të gjithë njerëzimin.

Edhe vet Jezusi ka qenë një fëmijë që i ka dëgjuar prindërit, të cilët e kanë edukuar, para së gjithash, me shembullin e tyre. Pra prej tyre, prej kësaj Familje shembullore e të Shenjtë, Jezusi mësoi se si t’i bindej vullnetit të Zotit Atë, por edhe se lidhja shpirtërore vlen më shumë se sa lidhja e gjakut.

Zoti deshi të lindë e të rritet në një familje njerëzore. Në këtë mënyrë e ka shuguruar e shenjtëruar si rrugë të parë e të zakonshme për takimin e tij me njerëzimin. Në jetën e kaluar në Nazaret, Jezusi e ka nderuar Virgjërën Mari dhe Jozefin e drejtë, duke mbetur nën autoritetin e tyre për gjithë kohën e fëmijërisë dhe të adoleshencës. Në këtë mënyrë ka vënë në dukje vlerën primare të familjes në edukimin e personit.

Familja e krishterë është e thirrur të japë shembullin e saj bindës, lidhur me mundësinë e një martese të jetuar plotësisht në përkim me planin e Zotit dhe me kërkesat e vërteta të njeriut: kujdesin e bashkëshortëve për njëri-tjetrin e sidomos për fëmijët. Familja e bashkuar, që ndjek këto parime, i kapërcen më lehtësisht provat e vështirësitë që ndesh në rrugën e saj e i ngjan Familjes Shenjte të Nazaretit.

Ta kundrojnë skenën e Familjes së Shenjtë në Shpellën e Betlehemit, ku Krishti i vogël rrethohet me kujdes e dashuri të pakufishme nga prindërit. Maria e Jozefi e ruajnë thellë në zemër misterin e lindjes së Birit të Zotit. E pra, lindja e çdo fëmije sjell me vete diçka nga ky mister! E dinë mirë prindërit, që e marrin si dhuratë e që shpesh e shikojnë si të tillë. Të gjithë kemi dëgjuar t’u thuhet një nëne a një babai: “Ky fëmijë është dhuratë. Është mrekulli!.

Kisha i lutët Zotit duke kërkuar mbrojtjen e shën Marisë e të shën Jozefit për çdo familje, veçanërisht për ato që janë në vështirësi. I ndihmofshin familjet, që të dinë t’u qëndrojnë shtysave shkatërruese të një lloj kulture bashkëkohore, që minon bazat e vetë institucionit familjar. I ndihmofshin familjet e krishtera të jenë, në çdo anë të botës, pasqyrë e shembull i gjallë i dashurisë së Zotit e solidaritetit ndërnjerëzor.

Lutja e Papës Françesku Familjes Shenjte:

Jezus, Mari, Jozef,
në ju kundrojmë
dritën e dashurisë së vërtetë.
Ju, plot besim, ju lutemi:
o Konak Shenjt i Nazaretit,
bëji edhe familjet tona,
vatra bashkimi e çenakuj lutjeje,
shkolla të vërteta të Ungjillit,
e Kisha të vogla shtëpiake.
O Familje e Shenjtë e Nazaretit,
premto që në familje
të mos ketë kurrë më 
dhunë, errësirë e përçarje:
kushdo qoftë i plagosur a i shkandulluar,
pastë hirin e ngushëllimit e të shëndetit.
O Familje e Shenjtë e Nazaretit,
Sinodi i ardhshëm i Ipeshkvijve,
rizgjoftë në zemrat e të gjithëve vetëdijen
e karakterit të shenjtë e të padhunueshëm të familjes
e të bukurisë së saj në Planin e Zotit.
Jezu, Mari e Jozef,
dëgjojeni e lutjen tonë, 
e plotësojeni dëshirën tonë. Amen!

29 dhjetor 2018, 08:11