Cerca

Vatican News
 Rrezik sulmesh terroriste Rrezik sulmesh terroriste  (AFP or licensors)

Pakistan: rrezik sulmesh terroriste kundër të krishterëve

Policia e Pakistanit, në gjendje alarmi, i paralajmëron të krishterët për rrezikun e sulmeve terroriste.

R: SH. - Vatikan

Policia e Pakistanit u drejton një letër gjithë liderëve të instituteve të krishtera, duke i paralajmëruar për sulmet terroriste, që mund të organizohen lidhur me çështjen e Asia Bibit. Lajmin, përhapur nga Inspektoriati i Policisë së Lahores, e rijep agjencia Fides. Në notë ripohohet se organizata terroriste si “Tehrik-i-Taliban Pakistan” dhe “Jamaat-ur-Ahrar” po planifikojnë sulme kundër bashkësisë së krishterë, lidhur me lirimin e Asia Bibit, gruas së krishterë, akuzuar për blasfemi e liruar nga Gjykata e Lartë më 31 tetorin e kaluar. Me këtë rast policia i këshillon institutet e krishtera të jenë vigjilente, duke njoftuar edhe se do të merren masa të reja sigurie për mbrojtjen e vendeve dhe kishave të krishtera.

Ipeshkvi Humphrey Peters, pastor anglikan, në krye të “Kishës së Pakistanit” në Peshawar, njofton agjencinë Fides se policia “siguron që do të bëjë ç’është e mundur për t’i mbrojtur kishat në qytet”. E shton: “E dimë se është një çast kritik, por të krishterët e Pakistanit kanë besim tek veprimtaria e forcave të sigurimit. Do të vijojmë ta luajmë rolin tonë shoqëror, në bashkëpunim të plotë me forcat e rendit dhe me qeverinë”.

Laiku katolik Adeel Patras Chaudhry, zëvendës-kryetar i Jesus Life, duke folur gjithnjë për agjencinë, deklaron: “Të krishterët do të jenë shumë të vëmendshëm e do të veprojnë me shumë maturi gjatë organizimit të takimeve dhe kremtimeve në kohën e Krishtlindjes. Lutemi për mbrojtjen e besimtarëve e edhe për focat e sigurisë, të angazhuara në mbrojtjen tonë. Jemi të vetëdijshëm për situatën delikate dhe bashkëpunojmë plotësisht me policinë e edhe me qeverinë”.

Atë Qaisar Feroz, sekretar ekzekutiv i Komisionit për Komunikimet shoqërore pranë Konferencës ipeshkvnore katolike, kujton variantin e  vërtetë mbi çështjen e Asia Bibit: “Gjykata e Lartë mori një vendim të drejtë për këtë çështje, duke liruar një grua, që mbahej në burg pa asnjë faj. Të gjithë qytetarët duhen të shikojnë, në tërë këtë ngjarje, anën pozitive për Pakistanin: komb, që vijon ta respektojë ligjshmërinë dhe drejtësinë. Kjo, ideja jonë për Pakistanin”.

19 nëntor 2018, 15:43