Cerca

Vatican News
Jezu Krishti i Nazaretit Jezu Krishti i Nazaretit 

Me 19 nëntor kalendari kujton shën Matildën e Hakebornit

Shën Matilda lindi rreth vitit 1240 në Kështjellën e Helfës, në Saksoni. Ishte bijë e familjes fon Hakeborn, një nga më fisniket e më të fuqishmet e Turingjisë. Motra e saj e madhe, Gjeltruda, ishte abateshë në kuvendin e Helfës

R.SH. - Vatikan

Me 19 nëntor kalendari Kishtar përkujton Shën Matildën e Hakebornit, murgeshë. Shën Matilda lindi rreth vitit 1240 në Kështjellën e Helfës, në Saksoni. Ishte bijë e familjes fon Hakeborn, një nga më fisniket e më të fuqishmet e Turingjisë. Motra e saj e madhe, Gjeltruda, ishte abateshë në kuvendin e Helfës.

Prindërit e çuan vajzën për t’u edukuar në manastirin e motrave benediktine të Rodardsdorfit, që kur ishte shtatë vjeçe. Aty ndjeu thirrjen për jetë rregulltare e, akoma krejt e re, vendosi të vishte zhgunin benediktin.

Më 1258 u bashkua me motrën e madhe në Helfa ku, tri vjet më pas, iu besua kujdesi për një murgeshë të re, që do të mbetej në histori me emrin Shën Gjertruda e Madhe. Pikërisht kësaj simotre, Matilda do t’ia rrëfente së pari vegimet e saj mistike.

Nga këto biseda do të lindte njëri nga librat më të famshëm të mistikës mesjetare: “Libri i Zbulesave”. Matilda, e pajisur me talent të veçantë për muzikë, e sidomos për këngë, drejtonte korin e manastirit e mendohet se ishte pikërisht kjo prirje e saj, që frymëzoi Dante Aligerin për krijimin e figurës së Mateldës, të cilën e gjejmë në Purgatorin e tij. Vdiq në manastirin e Helfës, në vitin 1298.

Në Martiriologun Romak kujtohet me këto fjalë: “Shën Matilda, virgjër, grua e shquar për doktrinë e përvujtëri, e ndritur nga dhurata hyjnore e kundrimit mistik, jetoi e vdiq në manastirin e Helfës në Saksoni të Gjermanisë”.

19 nëntor 2018, 11:21