Cerca

Vatican News
Shën Elizabeta e Hungarisë, Pietro Nelli Shën Elizabeta e Hungarisë, Pietro Nelli 

Më 17 nëntor Kisha katolike përkujtoi Shën Elizabetës e Hungarisë, rregulltare

Pozita e saj si princeshë, si bashkëshorte e si nënë, nuk e pengoi asnjëherë të kryente vepra të mira dashurie për të varfër, për të sëmurë, për pleq e për të lënë mbas dore. Pas tyre e për ta shpenzoi të gjitha pasuritë e veta. Për ta, e sidomos për të gërbulur, s’e kursei shërbimin.

R.SH. - Vatikan

Elizabeta, terciare françeskane, qe një ndër figurat më poetike e më në shenjë të shekullit XIII, jo për salltanet e famë, por për bukurí të mbinatyrshme virtytesh e shenjtëri jete. Ishte një ndër poemat e Artistit të Madh, Zotit të Kryqëzuar. 

E bija e Andreut II, mbretit të Hungarisë, krejt e re u fejua për Ludovikun IV, princin e Turingjisë në Gjermani, në oborr të të cilit edhe u rrit e u edukua. Katërmbëdhjetë vjeçe u martua e, një vit më pas, pati fëmijën e parë. 

Pozita e saj si princeshë, i bashkëshorte e si nënë, nuk e pengoi asnjëherë të kryente vepra të mira dashurie për të varfër, për të sëmurë, për pleq e për të lënë mbas dore. Pas tyre e për ta shpenzoi të gjitha pasuritë e veta. Për ta, e sidomos për të gërbulur, s’e kurseu shërbimin. 

Njëzet vjeçe mbeti e vejë, shtatzënë me të tretin fëmijë. Më pas u dëbua nga oborri i principatës. Vuajti salvime, varfëri, përbuzje, por s’i harroi kurrë të varfrit e të sëmurët. Vdiq terciare françeskane 24 vjeç, në vitin 1231 në Marburg, ku kishte hapur spitalin e të varfërve në emër të Shën Françeskut.

Liturgjia e ditës  na kujton se vetëm ai që do ta ketë dhuruar plotësisht jetën, do të shpërblehet në ditën e mbramë. Ndërsa kush ia mbyll vëllezërve portat e zemrës, nuk është në gjendje ta pranojë ardhjen e Zotit.

17 nëntor 2018, 12:27