Cerca

Vatican News
Pamje e Bazilikёs sё Shёn Pjetrit nё Vatikan Pamje e Bazilikёs sё Shёn Pjetrit nё Vatikan 

Kushtimi i Bazilikave të shën Pjetrit e shën Palit në Romë

Dy bazilikat, trofe e martirizimit të tyre, u ngritën pikërisht atje ku Pjetri e Pali derdhën gjakun për Krishtin e ku edhe u varrosën. Cak shtegtimesh të vazhdueshme në rrjedhë shekujsh, janë simbol i bashkimit dhe i karakterit apostolik të Kishës së Romës

R.SH. - Vatikan

Më 18 nëntor Kisha përkujton Kushtimin e Bazilikës së shën Pjetrit në Vatikan (1626) e asaj të shën Palit në Ostiense (1854) në Romë.

Princat e Apostujve, Pjetri e Pali, kremtohen pothuajse gjithmonë së bashku nga liturgjia romake.

Dy bazilikat, trofe e martirizimit të tyre për fe, u ngritën pikërisht atje ku Pjetri e Pali derdhën gjakun për Krishtin e ku edhe u varrosën. Cak shtegtimesh të vazhdueshme të besimtarëve në rrjedhë shekujsh, bazilikat janë simbol i bashkimit dhe i karakterit apostolik të Kishës së Romës.

Përkujtimi i kushtimit të bazilikave është një rast i përshtatshëm, që i shtyn të gjithë të krishterët të meditojnë mbi fjalët e shën Pjetrit, i cili thotë: “Nuk deshëm t’ju rrëfejmë përralla, kur ju njohëm me pushtetin dhe ardhjen e Zotit tonë, Jezu Krishtit, port erdhëm si dëshmitarë, të cilët e panë me sytë e vet madhështinë e Tij dhe dëgjuan zërin që zbriste nga qielli, derisa ishin me Krishtin mbi malin e shenjtë”.

Pikërisht kjo dëshmi, të cilën të dy apostujt e vulosën me gjak, i shtyn pambarimisht shtegtarët të gjunjëzohen pranë Varreve të tyre, mbi të cilat lartohen madhështore bazilika e shën Pjetrit në Vatikan dhe e shën Palit në rrugën Ostiense, në Romë, kushtimin e të cilave nga Papa Silvestri (314-335) dhe Papa Siricio (384-399) e përkujtojmë sot.

Që nga shekulli XII në bazilikën e Vatikanit të Shën Pjetrit dhe në atë të Shën Palit në rrugën Ostiense, përkujtoheshin dhe kremtoheshin përvjetorët e kushtimeve të tyre, të ndërtuara në shekullin IV nga papët e shenjtë Silvestri (314-335) dhe Sirici (384-399).

Në Martiriologun Romak, për bazilikën e shën Pjetrit në Vatikan, shkruhet: “Kjo bazilikë, e ndërtuar nga perandori Kostandin mbi kodrën e Vatikanit përmbi varrin e Shën Pjetrit, e dëmtuar rëndë nga koha dhe e rindërtuar në formë më të zgjeruar, u shugurua përsëri më 18 nëntor.

Tjera bazilikë, ajo e shën Palit, në rrugën Ostiense të Romës, e ndërtuar nga perandorët Teodosi e Valentiniani e pastaj e shkatërruar nga një zjarr i tmerrshëm, u rindërtua përsëri e u kushtua më 10 dhjetor. Me përkujtimin e tyre të përbashkët, shprehet simbolikisht vëllazërimi ndërmjet dy Apostujve Pjetër e Pal dhe uniteti i Kishës.

Ky përkujtim i kushtimit të bazilikave të Apostujve është një rast i ri, i katërti gjatë vitit, që na nxit të reflektojmë për figurat e për veprat e dy Princave të Apostujve e edhe për kultin e jashtëzakonshëm që gëzojnë që prej dymijë vjetësh ndërmjet besimtarëve.


18 nëntor 2018, 12:43