Kërko

Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit 

Kongresi i Manastirit dhe Mid’hat Frashëri

Alfabeti shqip, sot, 110 vjetori i Kongresit të Manastirit.

R.SH. - Vatikan

Ndërsa mbërritën në Shqipëri nga SHBA eshtrat e shkrimtarit dhe të politikanit të shquar, Mid’hat Frashëri, nuk mund të mos shkojë mendja në atë 14 nëntor të vitit 1908, kur u hap në Manastir ai, që njihet nga të gjithë si Kongresi i Manastirit për përcaktimin e alfabetit të gjuhës shqipe. E ndërsa vijojnë debatet nëse Mid’hat Frashëri, i biri i Abdylit dhe i nipi i Sami dhe Naim Frashërit, i meritonte apo jo homazhet në Akademinë e Shkencave dhe varrosjen pranë vëllezërve Frashëri në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës, kujtojmë si u propagandua Kongresi i Manastirit (14-22 nëntor 1908) nga ky protagonist i historisë së Shqipërisë, në revistën e tij “Lirija”:

“… ardhi një ditë e pëlqyerë për istorinë tonë, që të nisim liruar' e papengim të punojmë për mbrodhësin' e lumtërin' e kombit tonë, jo me barut edhe me armë, po me kartë e pëndë, andaj kjo çështje e Abecesë lipsetë të jetë fillim, që pa atë nuku do mundim të harijmë qëllimetë tona të lartëra për mbrodhësi të gjuhësë."

Delegatë të të gjitha besimeve nga mbarë Shqipëria dhe kolonitë shqiptare

Kështu shkruante Mid'hat bej Frashëri, që e drejtoi këtë mbledhje, ku morën pjesë delegatë të të gjitha besimeve nga mbarë Shqipëria dhe kolonitë shqiptare jashtë: 32 me të drejtë vote dhe 18, pa të drejtë vote. Ndër pjesëmarrësit e shquar qenë Gjergj Fishta, Nikollë Kaçori, Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Hilë Mosi, Mati Logoreci, Thoma Avrami, Sotir Peci, Shahin Kolonja, Luigj Gurakuqi, Adam Shkaba; veprimtarë të lëvizjes kombëtare dhe të klubeve shqiptare, si Bajram e Çerçis Topulli, Mihal Gramenoja, Fehim Zavalani, Dhimitër Mole, Nyzhet Vrioni, Rrok Berisha, Leonidha Naço, Dhimitraq Buda, Akil Eftimi, Shefqet Frashëri, Refik Toptani, Gligor Cilka, Emin bej Shkupi, Hafiz Ibrahim efendiu (nga Shkupi), Ramiz Daci, Xhemal Beu (nga Ohri), Fahri Frashëri (nga Resna) etj., gjithsej mbi 150 vetë, ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga bashkësitë shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë etj.

Tre alfabetet

Pikërisht në këtë Kongres, Mid'hat bej Frashëri u zgjodh kryetar e më pas, zv.kryetar i Komisionit prej 11 anëtarësh, me në krye atë Gjergj Fishtën, që duhej të studionte çështjen e të dilte me propozime për alfabetin. Siç dihet, u paraqitën tre alfabete: ai i Stambollit (hartuar nga Sami bej Frashëri), me bazë latine, i cili kishte përdorim të kufizuar; ai i shoqërisë “Agimi” (propozuar nga dom Ndre Mjedja), po me bazë latine, i afërt me alfabetin e Stambollit; ai i shoqërisë “Bashkimi” (hartuar nga imzot Prenkë Doçi), i cili kishte fituar përkrahjen e disa organeve të shtypit dhe të disa shkrimtarëve, që e kishin përdorur në veprat e botuara të tyre. Ishte e natyrshme pra, që, në parim, delegatët të miratonin një alfabet me bazë latine, pavarësisht se u shqyrtuan edhe dy alfabete të tjerë, alfabeti grek i përdorur nga Kostandin Kristoforidhi, dhe alfabeti arab, të cilin shumë myslimanë të devotshëm, sidomos në Maqedoni e Kosovë, vazhduan ta shohin si të vetmen zgjidhje edhe për shumë kohë pas Kongresit.

Sipas një dorëshkrimi në formë procesverbali, që ndodhet në Arkivin e Shtetit shqiptar dhe mban datën 20 nëntor 1908: ”U zgjodhën të dy abetë dhe të dy do të përdoreshin prej shqiptarëve: njëri është ai i Stambollit e tjetri një abe thjesht latine që i afrohet atij të Stambollit”.

Kongresi përcaktoi edhe 18 pika me orientim politik 

Kongresi nuk u mor vetëm me gjuhën shqipe, por edhe me politikën e asokohshme, në një çast tepër delikat historik. U diskutuan, haptasi dhe fshehurazi, marrëdhëniet e shqiptarëve me turqit, lufta për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar, për zhvillimin kulturor dhe ekonomik të vendit, si edhe marrëdhëniet me shtetet evropiane. Përfundimet e këtyre diskutimeve dhe vendimet, që u morën, u përfshinë në programin kombëtar prej 18 pikash, i cili iu dha deputetit të Korçës, Shahin Kolonjës, për ta paraqitur në parlament në emër të shqiptarëve. Ky program ështe një nga dokumentet më të rëndësishme të Kongresit të Manastirit, në të cilin u pasqyruan aspiratat e shqiptarëve për autonominë territoriale-administrative të Shqipërisë.

E ndërsa ka nga ata që vënë në dyshim qëllimet e Mid’hat Frashërit, kur fyrmëzoi bashkimin e nacionalistëve dhe e akuzojnë për tradhtar e bashkëpunëtor me pushtuesit, së paku kjo pjesëmarrje e tij dhe e njerëzve si ai, që u shpallën tradhtarë o të padëshiruar nga komunistët, të cilët bënë ç’është e mundur për t’i lënë në harresë e për t’i mohuar me të gjitha mjetet, nuk është keq të kujtojmë se për çfarë luftuan e sa e deshën këta njerëz Shqipërinë, për të cilën vijuan të punonin edhe më vonë, edhe në mërgim.

Mid'hat bej Frashëri, ishte: i biri i Abdyl bej Frashërit, Kryetar i Kongresit te Manastirit, Nënkryetar i Komisionit te Alfabetit, Firmëtar i Pavarësisë se Shqipërisë, Ministër ne Qeverinë e Ismail Qemailit, Ambasador i Shtetit Shqiptar, ideator i themelimit te Institutit Albanologjik, i la trashëgimi Bibliotekës Kombëtarë rreth 40 mije libra, e deshi më gjithë shpirt Kosovën dhe trojet shqiptare të pushtuara, bëri çdo gjë për Çamërinë - hapi shkollat shqipe atje, themeloi Ballin Kombëtar, Kryetar i Komitetit Kombëtar "Shqipëria e Lirë", etj, etj

 

14 nëntor 2018, 18:14