Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Dy presidentë: ai shqiptar, Ilir Meta dhe ai italian, Sergio Mattarella Dy presidentë: ai shqiptar, Ilir Meta dhe ai italian, Sergio Mattarella  (ANSA)

Dy presidentë në Shën Mitër të Kalabrisë për Skënderbeun

Sot, në Shën Mitër të Kalabrisë (San Demetrio Corona), për të festuar Skënderbeun, ishin të pranishëm dy presidentë: ai shqiptar, Ilir Meta dhe ai italian, Sergio Mattarella. Përkujtimi i Kastriotit u bë në në Kolegjin italo-shqiptar të Shën Adrianit në Shën Mitër, siç njihet San Demetrio Corona nga shqiptarët.

R.SH. - Vatikan

Viti kushtuar 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut po shkon kah përfundimi. Në të gjitha trojet ku banojnë shqiptarë shtohen nismat e ngjarjet e shënuara, me synimin për të kremtuar Heroin Kombëtar, që i mbajti otomanët për 25 vjet me radhë në portat e Evropës, pa i lënë t’i kapërcejnë ato.

         Sot, në Shën Mitër të Kalabrisë (San Demetrio Corona), pikërisht për të festuar Skënderbeun, ishin të pranishëm dy presidentë: ai shqiptar, Ilir Meta dhe ai italian, Sergio Mattarella. Përkujtimi i Kastriotit u bë në në Kolegjin italo-shqiptar të Shën Adrianit në Shën Mitër, siç njihet San Demetrio Corona nga shqiptarët, zgjedhur pikërisht për rolin shumë të rëndësishëm, që luajti ky institucion gjatë Risorxhimentos italiane dhe gjatë Rilindjes shqiptare.

         Mattarella dhe Meta u pritën nga qindra njerëz, shumë prej të cilëve fëmijë, që valëvitnin flamujt shqiptarë dhe italianë. I përshëndeti kryetari i Rajonit të Kalabrisë, Mario Oliverio dhe kryetari i bashkisë arbëreshe të Shën Mitrit, Salvatore Lamirata. Me këtë rast, të dy krerët e shteteve përuruan një targë përkujtimore, kushtuar Gjergj Kastriotit e patën mundësinë të ndiqnin këngët e vallet tradicionale arbëreshë, në sheshin para Kolegjit.

Kryetari i bashkisë së Shën Mitrit: këtu u formua bashkësia arbëreshe

         “Ne përfaqësojmë parimin e lirisë dhe të vetëvendosjes së popujve – tha kryetari i bashkisë, Lamirata, gjatë kremtimeve. – Këtu u formua bashkësia arbëreshe, duke favorizuar miqësinë ndërmjet dy popujve dhe duke krijuar një lidhje të vërtetë… Ne jemi italianë dhe arbëreshë – shtoi kryebashkiaku – e nëse kjo përbën një pasuri më shumë e, edhe një përgjegjësi më shumë, atëherë ju lutem të na qëndroni afër që të vazhdojmë ta luajmë rolin e besuar nga Skënderbeu: të jemi urë ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë. E kjo, për të ruajtur lidhjen e pazgjidhshme ndërmjet shteteve tona dhe për të vazhduar të jemi një popull në shërbim të marrëdhënieve të mrekullueshme ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë”.

         Ndërkaq, pas takimit, në një postim në Facebook, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, shprehet: “Shumë i lumtur të jem sot mes komunitetit arbëresh së bashku me mikun e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, Presidentin Sergio Mattarella në Kolegjin e Shën Adrianit, në Shën Mitër Korona, në djepin e arsimit dhe kulturës arbëreshe”.

Pritja nga bashkësia e Ungrës

         Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ndodhet që dje në Kalabri, në një vizitë triditore. Dje u prit nga ipeshkvi i Eparkisë së Ungrës (Lungro), imzot Donato Oliverio, së bashku me priftërinjtë e tjerë të bashkësisë, me kryebashkiakët e fshtarave arbëreshe dhe me një përfaqësi nga arbëreshët e Sicilisë, kryesuar nga kryebashkiakët e Horës së Arbëreshëve, Kuntisës dhe Munzifsit. Pas pritjes në rezidencën e ipeshkvit, presidenti Meta dhe ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri, së bashku me krejt delegacionin, morën pjesë në një meshë, që Kisha e ritit bizantin e quan “tryshenjtja”, për shpirtin e Gjergj Kastriotit.

Fjala e presidentit Meta në Ungër

Presidenti Meta mirëpriti propozimin e arbëreshëve për krijimin e një Këshilli, që do të punojë për ruajtjen e zakoneve, tipareve dhe riteve identitare të tyre, duke premtuar mbështetjen personale e institucionale të Tiranës.

“Arbëreshët janë pasuri e vyer, madje edhe ndërkombëtare, sepse ata ruajtën të paprekura zakonet, ritet, traditat, kulturën dhe gjuhën e kohës së madhe historike të Arbërit. Pa arbëreshët nuk do të kishte Rilindje Kombëtare shqiptare, madje as Shqipëria, dhe as Kosova nuk do të ekzistonin sot e kësaj dite” – vuri në dukje Presidenti i Republikës. Edhe gjatë meshës, Meta nënvizoi rëndësinë e Skënderbeut për përkatësinë evropiane të shqiptarëve. “Gjergj Kastrioti Skënderbeu – theksoi ai - jo vetëm i bashkoi shqiptarët, por me të krenohej mbarë Europa. Ai i frymëzoi shqiptarët gjatë Rilindjes Kombëtare për të kurorëzuar shpalljen e Pavarësisë në vitin 1912. Me shembullin e frymën e tij, shqiptarët u ndjenë edhe më europianë”. Po dje, presidenti i Shqipërisë u takua edhe me guvernatorin kalabrez, Mario Oliverio, në Catanzaro. “Jemi këtu për të kujtuar një figurë të përbashkët, por edhe për të folur mbi të ardhmen, duke vendosur bazat e një bashkëpunimi, i cili, me Kalabrinë në veçanti, ka një potencial të shkëlqyer”.

Photogallery

Dy presidentë në Shën Mitër të Kalabrisë për Skënderbeun
07 nëntor 2018, 15:24