Kërko

 Nata e kristaleve, nëntor 1938 Nata e kristaleve, nëntor 1938 

80-vjet më parë “nata e kristaleve”, ndërmjet urrejtjes e indiferencës

Pogromi i 1938-tës, është “pika më e ultë në historinë e Evropës”. Pas asaj nate të tmerrshme, bota heshti e shumë vende ua mbyllën kufijtë hebrenjve që kërkonin, dëshpërimisht, një strehë për të shpëtuar kokën.

R. SH. - Vatikan

Ishte nata ndërmjet 9 e 10 nëntorit të vitit 1938: në Gjermani e në Austri u kallën flakë më se 267 sinangoga e u rrënuan banesat si dhe 7500 aktivitete tregtare, të drejtuara nga hebrenjtë. Vitrinat e thërrmuara të mijëra dyqaneve i nxitën nazistët  të krijonin një shprehje të re, të tmerrshme, me një vezullim rrënqethës: “Nata e kristaleve” (Kristallnacht). Vezullonin udhëve mijëra copëzat e qelqeve të thyera të dyqaneve, që shumë shpejt do të pasoheshin me copëza jetësh mizorisht të thërmuara udhëve të Evropës së heshtur e të tmerruar. Që binte poshtë e më poshtë! Sepse tërbimi shkatërrimtar nuk u kënaq vetëm me rrënimin e sinagogave e me kristalet ogurzeza të dyqaneve. U vranë atë natë më se 91 hebrenj. E ky ishte vetëm preludi i tragjedisë më të madhe, që ka parë bota. Nisën internimet. Më se 30.000 hebrenj morën udhën drejt kampeve famëkëqija të përqendrimit. Niste, kështu, Shoah! Shfarosja masive e hebrenjve. Shpërfytyrimi i njeriut! Në muajt e mëpasëm shumë hebrenj deshën të emigronin, gjë që do të thoshte “të shpëtonin kokën”. Por një numër i madh vendesh ua mbylli portat.

Të jesh hebre nuk është krim

“Pogromi i nëntorit” shpërtheu me një pretekst: më 7 nëntor një student i ri hebre, Herschel Grynsazpan, shkoi në selinë e ambasadës gjermane në Paris dhe  qëlloi tri herë me pistoletë mbi Ernest Eduard vom Rath. Diplomati vdiq më 9 nëntor. Kjo vrasje ndodhi vetëm pak ditë pas dëbimit, me vendim të autoriteteve naziste, të më se 16 mijë hebrenjve polakë, rezidentë në Gjermani. Ndërmjet tyre, edhe prindërit e studentit, që e pranoi menjëherë përgjegjësinë e tij para autoriteteve franceze, duke deklaruar se “të jesh hebre nuk është krim!”. Populli hebraik - pati shtuar - ka të drejtë të ekzistojë mbi këtë tokë”.

Urrejtje e propagandë

Më 9 nëntor  të vitit 1938, pak orë para shpërthimit të dhunës, ministri gjerman i propagandës, Joseph Goebbels, pati mbajtur një fjalim të zjarrtë. Rasti ishte 15-vjetori i Puçit të Munihut, emër me të cilin mbeti në histori përpjekja e dështuar e nazistëve për grusht shteti. Goebbels fajësoi hebrenjtë për vdekjen e von Rath dhe pohoi se nuk do të ndaloheshin raprezaljet, që mund të shpërthenin spontanisht. Kaq mjaftoi, që furia naziste të tërbohej mbi sinagogat, mbi dyqanet e mbi njerëzit! Jo vetëm mbi hebrenjtë. Ishte rast i mirë për të shfarosur të gjithë kundërshtarët!

I krishteri nuk mund të jetë antisemit

Duke pritur, më 5 nëntorin e kaluar, rabinët kaukazikë të World Congres of Mountain Jews, Papa Françesku  bëri një thirrje të fuqishme: “Jemi të thirrur - tha me këtë rast - të angazhohemi që antisemitizmi të zhduket nga bashkësia njerëzore. Edhe sot e kësaj dite - shtoi Françesku - për fat të keq,  janë të pranishme sjellje, që flasin ‘për antisemitizëm!’. Por i krishteri nuk duhet të jetë antisemit! Nuk mund të jetë!”.

Kjo tragjedi bën pjesë në kuadrin e indiferencës së  përgjithshme e flet vetë për dështimin e bashkësisë ndërkombëtare. E jo më pak, për rrezikun e përsëritjes. Prej këndej, mendohet se sot do të kishim një Evropë ndryshe, po të mos kishin vezulluar kristalet rrugëve atë natë të mënxyrshme, 80 vjet më parë. Sepse me këtë nis radikalizimi i brendshëm, që çoi në faktin se shumë e realizuan shoahin, e shumë të  tjerë do ta pranonin, një herë në Gjermani, më pas në pjesën tjetër të Evropës. Gjë që e bëri Kontinentin e vjetër të binte më poshtë se kurrë në historinë e vet.  E “stolisi me vezullime kristalesh” që do të ishin prelud mortor i paparë i rrënimit të qindra-mijëra jetëve të pafajshme…

..të njerëzve, që nuk ishin më njerëz! Të burrave që - siç shkruan njëri prej tyre: “Punonin gjithë ditën në baltë, pa gjetur kurrë paqe e vdisnin për një po a një jo! E të grave, pa flokë e pa emër, pa forcë për të kujtuar!  Që nuk mund të quheshin më njerëz!” . Ishin krijesat e Natës së kristaleve!  Që duhen skalitur ndër zemra. Për të mos u harruar kurrë!

09 nëntor 2018, 14:13