Kërko

2018.05.17 vetrata dipinta chiesa 2018.05.17 vetrata dipinta chiesa 

Shenjtorët e javës 14 – 21 tetor

T’i këndojmë Zotit, sepse ai është Hyji ynë, të cilit duhet t’ia dëgjojmë fjalën e të jetojmë sipas vullnetit të Tij.

R.SH. Vatikan

E diel 14 tetor, Kisha katolike kremton të Dielën e 28-të gjatë vitit kishtar. Gjithnjë më 14 tetor,  kalendari kishtar përkujton  Shën Kalistin, papë e martir. Liturgjia e ditës na fton t’i këndojmë Zotit, sepse ai është Hyji ynë, të cilit duhet t’ia dëgjojmë fjalën e të jetojmë sipas vullnetit të Tij.

Të hënën më 15 tetor, kalendari kishtar përkujton Shën Terezën e Jezusit, virgjër, doktoreshë e Kishës, karmelitane e zbathur, mistike e madhe spanjolle, që lindi në Avilë të Spanjës në vitin 1515. Liturgjia e ditës na kujton se lutja e vazhdueshme dhe bamirësia, janë dy cilësitë që e dallojnë të krishterin, i cili sillet kështu sepse përpiqet t’i ngjasë Zotit. Duke jetuar me lutje e dashuri, ecim të sigurt në rrugët që çojnë drejt qiellit

Të martën  më 16 tetor,  kalendari kishtar përkujton shën Edvigën, dukeshë e Polonisë, rregulltare, të shën Margeritën Alakok, virgjër e Vizitacionit dhe të shën Gjerardo-n Maielës, vëlla laik redentorist.  Liturgjia e ditës na kujton se feja na ndihmon ta njohim e ta lexojmë jetën në këndvështrimin e Hyjit, duke u mbështetur plotësisht në Të e duke e bekuar në amshim emrin e Zotit.

Të mërkurën më 17 tetor, kalendari kishtar përkujton shën kalendari kishtar përkujton festën e Shën Injacit të Antiokisë, ipeshkëv e martir dhe e Shën Pjetër Kasanit, meshtar skollop. Liturgjia e ditës na kujton se Ligjin hyjnor, dritë për hapat tanë, Zoti na e dha për të na ndihmuar në rrugën tejet të vështirë të jetës.

Të enjten më 18 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Lukën ungjilltar, mjek e pajtor i artistëve.  Duke folur për Ungjillin e vet, në fillim të Veprave të Apostujve, shën Luka Shkruan: ”Në librin e parë, o Teofil, fola për gjithçka Jezusi bëri dhe mësoi qysh prej fillimit e deri kur u ngrit në qiell…” (Vep 1, 1). Emri Teofil është një emër i përveçëm, që i përkthyer shqip, do të thotë ‘i dashur nga Hyji’. Ungjilli i Lukës është shkruar për të gjithë njerëzit, sepse të gjithë janë të dashur nga Hyji, prandaj mënyra më e mirë për ta nderuar këtë shenjt, është pranimi i ungjillit që ai na ka shkruar, pranimi i Krishtit.

Të premten më 19 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Palin e Kryqit, pasionist, shën Gjonin e  Brëbëfit dhe shën Isakut Joges. Liturgjia e ditës na kujton se Zoti ia shpall paqen popullit të vet. I krishteri duhet të rrijë gati, në mënyrë që të mund të marrë pjesë në banketin dasmor të përgatitur prej Hyjit.

Të shtunën më 20 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Irenën e Portugalisë, shën Adelinën, shën Maria Bertila Boskardinin dhe shën Vitalin.  Liturgjia e ditës na tregon se dashuria e Zotit është kërkuese. Edhe shën Palit Apostull, ashtu si të gjithëve, i kërkohet të kundrojë pasurinë e Krishtit, që të mos bëhet kurrë si shërbëtori, që nuk e pret të zotin.

Të dielën e ardhshme më 21 tetorKisha katolike do të kremtojë të Dielën e 29-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 21 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Kornelin, shën Orsolinën, shën Çeçilen e shën Gasprin nga Bufalo.  Liturgjia e ditës pohon: me dashurinë e Zotit është plot toka. Paqja që Jezusi sjell mbi dhe nuk është thjesht mungesë lufte, por kërkon t’i pranojmë dallimet e kundërshtitë për t’i pëlqyer Zotit, më shumë se sa njerëzve.

Për shën Kornelin, në Veprat e Apostujve, lexohet: “Në Çezare ishte një njeri me emrin Kornel, kapiten i togës së quajtur “Italike”, njeri i përshpirtshëm, që besonte në Hyjin, si ai, ashtu edhe familja e tij. I ndante popullit shumë lëmoshë dhe vazhdimisht i lutej Hyjit”. Shpirti Shenjt dërgon Pjetrin tek ky njeri, që jetonte me drojën e Zotit. Pas predikimit të Pjetrit, për habinë e të krishterëve, Shpirti Shenjt zbriti mbi të gjithë të pranishmit në atë shtëpi. Ky fakt e bëri Pjetrin të thoshte: “Vallë, a mund ta ndalojë kush ujin, të mos pagëzohen këta që e morën Shpirtin Shenjt sikurse edhe ne?”.

14 tetor 2018, 09:25