Kërko

Presidenca e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë Presidenca e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë 

Presidenca e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë: promovojmë dialogun dhe harmoninë ndërfetare në vend

Në këtë takim u fol për përogramet, organigramen dhe synimet e Këshillit ndëfetar të Shqipërisë, i cili ka si mision të vetin promovimin e dialogut dhe harmonisë ndërfetare në vend, nëpërmjet projekteve dhe aktiviteteve te përbashkëta.

R.SH. - Vatikan

Drejtuesit e komuniteteve fetare të Shqipërisë janë mbledhur me datë 22.10.2018 në  Tiranë, pranë Selisë së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Gjatë këtij takimi janë marrë disa vendime lidhur me mirëfunksionimin dhe disa ndryshime statusore të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, themeluar në vitin 2007 nga komunitetet fetare tradicionale në vend.

Në një njoftim, në përfundim të punimeve, flitet për përogramet, organigramen dhe synimet e Këshillit ndëfetar të Shqipërisë, i cili ka si mision të vetin promovimin e dialogut dhe harmonisë ndërfetare në vend, nëpërmjet projekteve dhe aktiviteteve te përbashkëta.

 Në vazhdim njoftimi rreth mbledhjes së Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë

                            PROMOVOJMË DIALOGUT DHE HARMONISË NDËRFETARE

                                     Mblidhet Presidenca e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë

Pas disa takimesh dhe mbledhje pune, drejtuesit më të lartë të komuniteteve fetare të Shqipërisë janë mbledhur me datë 22.10.2018 në Selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ku janë marrë disa vendime të rëndësishme, lidhur me mirëfunksionimin dhe disa ndryshime statusore të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, themeluar në vitin 2007 nga komunitetet fetare tradicionale në vend.

Në këtë mbledhje morën pjesë H. Skënder Bruçaj, kryetar i Komuniteti Mysliman të Shqipërisë, Fortlumturia e tij, Anastas Janullatos, kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Mons. George Frendo O.P., Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë – Durrësit dhe kreu i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë, H. Dede Edmond Brahimaj, kreu i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, si dhe Pastor Ylli Doçi, kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë.

Gjatë kësaj mbledhjeje, krahas ndryshimeve statusore, u morën edhe disa vendime lidhur me disa ndryshime në aspektin drejtues institucional të Këshillit Ndërfetar, institucion i cili ka në përbërjen e vet Këshillin e Presidencës, Këshillin Ekzekutiv dhe sekretarin e përgjithshëm.

Organi më i lartë vendimmarrës i Qendrës së KNFSH-së është Këshilli i Presidencës, i cili përbëhet nga Kryetarët e Komuniteteve fetare, pjesëmarrës të Qendrës, ndërsa Këshilli Ekzekutiv përbëhet nga dy anëtarë për çdo komunitet.

Kryetari i Këshillit të Presidencës, ka një mandat një vjeçar dhe krerët e komuniteteve fetare do ta kenë këtë detyrë me rotacion. Për këtë mandat u caktua kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e tij, Anastas Janullatos, ndërsa sekretar i përgjithshëm u zgjodh Dr. Genti Kruja me një mandat tre vjeçar.                     

Në  këtë mbledhje u vendos gjithashtu botimi i literaturave të ndryshme, ku do të pasqyrohet veprimtaria ndërfetare në Shqipëri, si dhe takimet periodike sipas statutit të KNFSH-së.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka si mision të vetin promovimin e dialogut dhe harmonisë ndërfetare, nëpërmjet projekteve dhe aktiviteteve te përbashkëta.

Me këtë rast, ia vlen të kujtojmë takimin prekës të Papës Françeskut me Krerët dhe përfaqësuesit e Komuniteteve fetare të pranishme në Shqipëri, mbjatur pranë Universitetit ‘Zoja Këshillit të Mirë’ në Tiranë, me rastin e vizitës apostolike më 21 shtator 2014.  Papa Françeskun u drejtoi të pranishme mesazhin për dashuri, respekt dhe tolerancë pavarësisht besimit. Bashkëjetesa dhe toleranca fetare, janë vlera të cilat Papa Françesku ia njeh me meritë shqiptarëve. Për këtë, ai e konsideroi Shqipërinë, një truall pjellor edhe për dialogun ndërfetar.

“Ky është një truall veçanërisht pjellor edhe për dialogun ndërfetar. Të dashur miq, ju bëj thirrje ta mbani dhe ta thelloni traditën e marrëdhënieve të mira ndërmjet bashkësive fetare në Shqipëri dhe të ndjeheni të bashkuar në shërbimin ndaj atdheut tuaj të shtrenjtë. Vijoni të jeni për vendin tuaj, e jo vetëm, shenjë që tregon se janë të mundura marrëdhëniet e përzemërta dhe të bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet njerëzve me përkatësi të ndryshme fetare.”

Për Papa Françeskun, liria e vërtetë fetare, i shmanget tundimit të mostolerancës e të sektarizmit. Në botë sot, ekzistojnë me dhjetëra konflikte të armatosura me bazë fetare. Dhe Ati i Shenjte tha se askush nuk mund të përdorë emrin e Zotit për të ushtruar dhunë.

“Nuk mund të mos e pranojmë se mungesa e tolerancës ndaj atij që ka bindje fetare të ndryshme nga tonat është armik posaçërisht tinëzar, që sot, fatkeqësisht, po shfaqet në rajone të ndryshme të botës. Askush nuk mund ta përdorë emrin e Hyjit për të ushtruar dhunë. Kur, në emër të një ideologjie, synohet përjashtimi i Hyjit nga shoqëria, arrijmë të adhurojmë të tjerë idhuj e shumë shpejt edhe vetë njeriu përhumbet, i nëpërkëmbet dinjiteti e i dhunohen të drejtat. Ju e dini mirë çfarë mizorie mund të shkaktojë mohimi i lirisë së ndërgjegjes e i lirisë fetare dhe si, nga të tilla plagë, natyra njerëzore varfërohet gjer në palcë, sepse i mungon shpresa dhe pikësynimet ideale”.

Vetëm burra e gra të frymëzuar nga vlerat e traditave të veta fetare, mund të japin ndihmesë të rëndësishme dhe të pazëvendësueshme, - përfundoi mesazhin e tij Ati i Shenjtë Bergoglio, ne prani te përfaqësuesve të të gjitha besimeve fetare në Shqipëri.

26 tetor 2018, 13:59