Kërko

Ipeshkvi i Sapës, Imzot Kulli me pjesëmarrësit gjate përurimit të rrugës së re në Curraj i Epërm Ipeshkvi i Sapës, Imzot Kulli me pjesëmarrësit gjate përurimit të rrugës së re në Curraj i Epërm 

Përurohet e bekohet rruga që lidhë Lekbibajn me Curraj i Epërm dhe Nikaj-Mërtur

Ipeshkvi i Sapës, Imzot Kulli bekoi rrugën e re Curraj i Epërm, përuruar nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në prani të kryetarit të Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj. Rruga re lidh Lekbibajn me Curraj i Epërm e Nikaj-Mërtur, e hap mundësi të reja për një zhvillim të mëtejshëm të zonës.

R. SH. - Vatikan

Ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli bekoi  rrugën e re në Curraj i Epërm, përuruar nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në prani të kryetarit të Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj e shumë të tjerë. Rruga re e përuruar dhe e bekuar, në një nga fshatrat më të bukur të Alpeve Shqiptare, lidh Lekbibajn me Curraj i Epërm e Nikaj-Mërtur, e po kështu hap mundësi të reja për një zhvillim të mëtejshëm të zonës.

Në një ceremoni mbresëlënëse, morën pjesë autoritete shtetërore dhe civile të Shqipërisë, bamirës vullnet mirë, ambasadorë të vendeve të ndryshme në Shqipëri si dhe banorët vendas që për arsye të ndryshme janë larguar drejt qyteteve të tjera të Shqipërisë. I pranishëm dhe Presidenti i Shqipërisë, z. Ilir Meta, dhe pastaj të gjithë u bashkuan në Kishën e Shën Sebastianit për kremtimin e Meshës.

Presidenti Meta uroi banorët e zonës dhe vlerësoi investimin e bërë me kontributet e vetë banorëve si një mbështetje për një nga fshatrat më të bukur të Alpeve Shqiptare, që ka pasuri të rralla natyrore dhe theksoi rëndësinë e zhvillimit të turizmit malor e të sporteve të ndryshme si ecja sportive, alpinizmi, sidomos për brezin e ri. 

Gjithashtu, Presidenti i Republikës ishte i pranishëm edhe në Meshën e së dielës, e cila u kremtua nga ipeshkvi Sapës, imzot Simon Kulli në Kishën katolike të fshatit “Curraj i Epërm”, duke u takuar e përshëndetur me banorët e shumtë të zonës, me të cilët ndoqi edhe një koncert artistik. Në fjalën e tij Presidenti Meta, u shpreh: “Ndihem shumë i lumtur të jem këtu në Curraj të Epërm, në Nikaj- Mërtur, në Tropojën epike. Jetojmë në kohë të vështira, kur globalizimi, komercializimi po godasin disa vlera të rëndësishme të familjes, të atdheut, të kombit dhe ne si një vend i vogël jemi të rrezikuar në rast se nuk i kushtojmë rëndësi të madhe këtyre vlerave. Kjo vepër është rikthimi i të gjithëve ju me shumë dashuri e krenari në vendin tuaj e të parëve tuaj. Është një mesazh i fortë atdhedashurie, por njëkohësisht edhe rimëkëmbjeje.”

Sot, Presidenti i Shqipërisë, Sh.T.Z Ilir Meta priti një përfaqësi të “Shoqatës Nikaj-Mërtur” të drejtuar nga Dr. Mhill Gecaj dhe deputeti i Tropojës, z. Isuf Çelaj. Presidenti Meta vlerësoi iniciativën e shkëlqyer të kësaj shoqate për hapjen e rrugës për Curraj të Epërm, bazuar në kontributin dhe donacionet e anëtarëve të kësaj shoqate.

Po kështu Presidenti vlerësoi frymën e shkëlqyer të bashkëpunimit të komunitetit të kësaj zone: "Ju e nisët vetë rrugën e ndryshimit në Curraj të Epërm e Nikaj-Mërtur, - tha Presidenti Meta, "tani është koha që ta vazhdojmë së bashku, pasi resurset për zhvillimin e turizmit në atë zonë janë të jashtëzakonshme". 

Fshati Curraj Epër shtrihet në veri të Shqipërisë në rrethin e Tropojës, dhe është ndër fshatrat më të bukur të kësaj zone që vetë natyra ka krijuar. Shtrihet në një luginë magjepëse, që ndanë Nikajn dhe Merturin, po më hollësisht nga Vau-Dejës të ndjekim njoftimin e Violeta Marashit...

Bekimi rrugës së re Curraj i Epërm

                                     BEKIMI I RRUGËS SË FSHATIT CURRAJ EPËR NË TROPOJË

Ndryshe nga eventet e tjera kishtare që jemi mësuar të shohim zakonisht, këtë herë Ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli, ka udhëtuar për herë të parë drejt vendit më të largët të territorit të Dioqezës, drejt fshatit Curraj Epër, në Tropojë, ku ka bërë bekimin e rrugës së re, një rrugë që deri tani ishte bërë vetëm me këmbë, tashmë hapet për herë të parë që të udhëtohet me makinë në këtë zonë, për të cilën ndizet dhe një dritë jeshile për zhvillimin e mëtejshëm të saj.

Në një ceremoni mjaft mbreslënse, morën pjesë autoritete shtëtërore dhe civile, bamirës vullnet mirë, ambasadorë të vendeve të ndryshme në Shqipëri si dhe banorët vendas që për arsye të ndryshme janë larguar drejt qyteteve të tjera të Shqipërisë. I pranishëm në këtë event ishte dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, dhe të gjithë u bashkuan në kishën e Shën Sebastianit, në të cilën u kremtua Mesha e Shenjtë nga Imzot Simoni.

Në fillim, në homelinë e rastit ipeshkvi falënderoj Zotin për dhuratat dhe hiret që na i ka dhuruar dhe vazhdon të na i dhurojë. Falenderoi edhe Presidentin z. Ilir Meta për pjesëmarrjen dhe mbwshtetjen e tij. E duke vazhduar më tej, ai tha se  kam për detyrë, të shprehi falënderimet e mia si bariu i juaj, ndaj të gjithë atyre që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë për të mirën e kësaj Kishe dhe besimtarëve të këtyre fshatrave në këtë zonë të bekuar nga Zoti.

Falënderimi i parë i shkon Kryetarit të Bashkisë së Lekbibaj, dhe gjithë bashkëpunëtorëve dhe donatorëve që kanë kontribuar për hapjen dhe realizimin e rrugës së re për në Curraj të Epërm, në ketë fshat turistik dhe me mjaft perspektive për zhvillimin e turizmit malor. Është puna dhe angazhimi i palodhur i të gjithëve së bashku, për rindërtimin e këtyre fshatrave e në veçanti për punën shpirtërore dhe përhapjen e Ungjillit të Krishtit në zemrat e besimtarëve.

Po kështu, Imzot Simoni falenderoi edhe Motrat misionare të urdhërit “Françeskane të Zemrës së Krishtit, për punën dhe angazhimin e tyre që e bëjnë në këtë zonë prej 20 vitesh në përhapjen e Mbretërisë së Hyjit,  në rritjen intelektuale e shpirtërore, si dhe në kujdesin social në veçanti atë shëndetësor në këto zona malore.

Më pas u bë dhe bekimi i rrugës ku të gjithë gëzuan dhe uruan njëri-tjetrin duke thënë e gëzofshim.

Fshati Curraj Epër shtrihet në veri të Shqipërisë në rrethin e Tropojës, dhe është ndër fshatrat më të bukur të kësaj zone që vetë natyra ka krijuar. Shtrihet në një luginë magjepëse, që ndanë Nikajn dhe Merturin. Shtëpitë, kullat prej guri, bjeshkët e larta dhe lumi i Merturit janë karakteristike të kësaj zone. Por për shkak të largësisë, kushteve atmosferike gjatë periudhës së dimrit dhe mospasjes së një rruge, prej 20 vitesh vendi po pëson pothuajse braktisje të plotë nga banorët që kanë jetuar aty.

Në periudhën para demokracisë, ky fshat ka pasur 150 shtëpi, ndërsa tashmë gjenden vetëm 4 shtëpi. Disa prej tyre kthehn gjatë periudhës së verës për të mbledhur prodhimet e stinës. Por tashmë shpresojmë se me hapjen e rrugës, ky vend do të kthehet në vendin e turizmit malor, në vendin ku do i japë një zhvillim tërësor për vetë gjeografinë në të cilën shtrihet.

Violeta Marashi

17 tetor 2018, 15:40