Versioni Beta

Cerca

Vatican News
2018-04-15 Papa Francesco visita parrocchia San Paolo della Croce a Corviale 2018-04-15 Papa Francesco visita parrocchia San Paolo della Croce a Corviale  (Vatican Media)

Me 19 tetor kalendari kishtar përkujton shën Palin e Kryqit

Shën Pali qe njeri që tërë jetën shkoi e lundroi kundër rrymës. 26 vjeç, bëhet eremit. Shumëkush e pranonte fenë vetëm për të ndjekur ritet e bukura dhe elegante, fe kjo që nuk pranonte kurrfarë flijimi e që fshihte kryqin e Krishtit. Atëherë ai e quajti veten “Vëlla Pali i Kryqit”.

R.SH. - Vatikan

Më 19 tetor, Kisha katolike përkujton Shën Palin e Kryqit, që themeloi Kongregatën e Klerikëve të Zbathur të Shenjtës Krygjë e të Mundimeve të Krishtit, (Pasionistët) rrugë që bashkon kundrimin e dhimbjeve të Jezusit të Kryqëzuar me veprimtarinë e ungjillëzimit.

Shën Pali qe njeri që tërë jetën shkoi e lundroi kundër rrymës. Quhej Pal Françesk Danei, bir i një familje fisnike, por të rënë në varfëri. I ati fitonte aq sa të mbante frymën duke tregtuar mallra ndërmjet Piemontit e Liguries; i biri e ndihmonte, duke qenë i pari ndër 16 fëmijët. Së fundi, 26 vjeç, bëhet eremit. Ipeshkvi i tij e lejoi të jetonte në vetmi si oshënar pranë një Kishe të Kastelllazo-Bormidës.

Këtu vendosi të realizojë ëndrrën e hershme për të themeluar një Urdhër të ri rregulltar. Në vitin 1725 papa Benedikti XIII e autorizoi të mblidhte shokët murgarë.

Shoku i parë qe i vëllai, Giovanni Battista. Ndërkaq Pali hartoi planin, në themel të të cilit vuri atë që kishte më pak popullaritet. Ishte stinë e keqe për urdhrat rregulltarë, shkaktuar nga konfliktet ndërmjet qeverive, nga rivalitetet ndërmjet vetë urdhrave rregulltarë e ligështia e Kishës. Kujtojmë se Papës Klementit XIV në vitin 1773 i imponohet shpërndarja e Shoqërisë së Jezuitëve.

Shumëkush e pranonte fenë vetëm për të ndjekur ritet e bukura dhe elegante, fe kjo që nuk pranonte kurrfarë flijimi e që fshihte kryqin e Krishtit. Atëherë ai e quajti veten “Vëlla Pali i Kryqit”.

Pastaj themeloi një urdhër që u konsiderua krejt i panevojshëm, të cilin e quajti “Klerikët e zbathur të Kryqit të Krishtit e të Mundimeve të Zotit tonë”. Doli haptas, pa pikën e ndrojtjes, në mbrojtje të Kryqit, që të gjithë ta kuptonin se ai e të tijtë predikonin pikërisht Kryqin e Krishtit, si shën Pali Apostull, pavarësisht nga çka kërkonte a më mirë të themi, çka impononte “fryma e rryma e kohës” e nga ngërdheshjet e abatëve të oborrit.

Në vitin 1727 Pali u shugurua meshtar nga vetë Papa. Asistoi të sëmurët në një spital romak së bashku me të vëllain. Pastaj, pasi u tërhoqën mbi malin Argentario, dy vëllezërve u shtohen ehe shokë të tjerë, të joshur pikërisht nga kjo rrugë në të cilën shkohej “kundra” asaj që duhej kundërshtuar.

Ishin Pasionistët e parë, që themeluesi i edukoi si predikatarë të flaktë: në vend të turqve, nisën të luftonin injorancën, mungesën e fesë së krishterë, braktisjen e mësimeve të Ungjillit në emër të Ungjillit. Prandaj Pasionistët nisën të thirren në të katër anët nëpër bashkësitë Kishtare për ti predikuar popullit të krishterë e Urdhri mori edhe miratimin papnor.

Themeluesi punoi për formimin e ndjekësve të tij nga afër e nga larg. Nga shën Pali i Kryqit mbetën dymijë letra,, por sigurisht shkroi shumë më tepër, ndoshta dhjetë mijë.

Në vitin 1750 predikoi në Romë për Jubileun së bashku me Leonardon nga Porto Maurizio. Papa Klementi XIV i kërkoi shpesh këshilla e shkoi disa herë ta takonte në shtëpi kur ishte i sëmurë. Kështu bëri edhe pasardhësi, Papa Piu VI, menjëherë pas zgjedhjes në udhëheqje të Kishës.

Pali i Kryqit vdiq pasi u miratua, pas asnjë ndreqje, rregulli i Urdhrit të tij, lindur “jashtë kohe” në shekullin XVIII, për t’u përhapur, në shekullin XX, në Evropë, Amerikë e Azi. Ati i Pasionistëve, të njohur për simbolin e Kryqit e zemrës që mbajnë mbi zhgun, do të shpallej shenjt nga Papa Piu IX në vitin 1867.

19 tetor 2018, 11:54