Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Zoja e Bekuar Zoja e Bekuar 

Përvjetori i shfaqjes së Virgjërës Mari në La Salette

Nga La Salette vjen një mesazh shprese, që mbështetet nga ndërhyrja pranë Zotit e Virgjërës Mari. Dy barinjve francezë u shfaq një grua, me kokën në grushta, bërrylat mbi gjunjë, shumë e dëshpëruar, e cila u tha të afrohen pa druajtje. Zoja e Bekuar u besoi një mesazh që bënte thirrje për kthimin në fé të botës.

R.SH. - Vatikan

Si sot, më 19 shtator 1846, Virgjëra Mari u pati besuar dy barinjve francezë një mesazh për kthimin në fé të njerëzimit dhe për shpëtimin e botës. Dy barinjtë në fakt ishin dy adoleshentë, që po kullotnin bagëtitë në pllajat e malit Planò. As që u shkonte ndërmend se duke kërkuar  bagëtitë do të përjetonin një eksperiencë të jashtëzakonshme. Filloi kështu, si sot, me 19 shtator të vitit 1846 historia e Melani Kalvatit, 15 vjeçe dhe Maksim Zhirodit, 11 vjeç, që të dy nga fshati Kor.

Asnjëri nga ta nuk dinte as të lexonte e as të shkruante. Nuk i kishin nocionet themelore të katekizmit dhe nuk dinin ta shpjegonin lëmshin e zjarrtë, që dalluan krejt papritmas mbi një grumbull gurësh. Brenda lëmshit u shfaq një grua, me kokën në grushta, bërrylat mbi gjunjë, shumë e dëshpëruar, e cila u tha të afrohen pa druajtje. Këtyre dy barinjve, Zoja e Bekuar u besoi një mesazh që bënte thirrje për kthimin në fé të botës.

Mbasi u morën në pyetje disa herë, Kisha u bind për këtë vizion të jashtëzakonshëm marian të barinjve të rinj. Pesë vjet më vonë ipeshkvi i Grenoblit e shpalli zyrtarisht si të tillë me një dekret dhe  në vitin 1852 filloi ndërtimin e një Shenjtëroreje në vendin ku ishte shfaqur Virgjëra Mari, si edhe themelimin e Misionarëve të Zojës Sonë të Saletës. Kisha mendon se nga La Salette vjen një mesazh shprese, sepse shpresa jonë mbështetet nga ndërhyrja pranë Zotit e asaj që është Nëna e njerëzve.

19 shtator 2018, 13:57