Cerca

Vatican News
mosaico Rupnik Padre Pio mosaico Rupnik Padre Pio 

Më 23 shtator kalendari kujton Shën Piun nga Pietralçina, meshtar rregulltar kapuçinë

Bota ka nevojë si për bukën, për mëshirën e Zotit, atë mëshirë, së cilës Atë Piu nga Pietrelçina i shërbeu aq, sa të bëhej për miliona njerëz, përkëdhelje e gjallë e Atit Hyjnor. Atë Piu, “përkëdhelje” e mëshirës së Zotit për të gjithë-

R.SH. - Vatikan

Më 23 shtator kalendari kishtar përkujton festën liturgjike të Shën Piut nga Pietralçina, meshtar rregulltar kapuçinë. Shën Piu lindi më 25 maj 1881 në Pietralçina, në provincë të Beneventos. Vetëm 16 vjeç, hyn në kuvendin e Etërve rregulltarë kapuçinë më 22 janar 1903 duke marrë emrin si rregulltar, fra Piu nga Pietralçina. Shtatë vjet më vonë bëhet meshtar, më 10 gusht 1910.

Në vitin 1916 eprorët e transferojnë në San Giovanni Rotondo, mbi Garganë, në Pulje, e këtu në kuvendin e Shën Marisë së Hireve, nis historia e tij prej traumaturgu e apostulli të Sakramentit të Rrëfimit. Më 20 shtator 1918 Atë Piu kapuçin fiton varrët e Mundimeve të Jezu Krishtit që do të mbesin të hapura, me dhimbje e gjakderdhje për 50 vjet më radhë. Vdes më 23 shtator 1968, 81 vjeç. Shpallet i lumë më 1999, kanonizohet më  16 qershor 2002 nga Papa Gjon Pali II.

Shën Piu nga Pietralçina, meshtar i Urdhrit të Fretërve të Vegjël Kapuçinë, u impenjua shumë në udhëheqjen shpirtërore të besimtarëve e në pajtimin e mëkatarëve me Zotin përmes Sakramentit të Rrëfimit. Pati një kujdes të posaçëm ndaj nevojtarëve e të varfërve, për të cilët dhuroi gjithçka e ndërtoi edhe një shtëpi-spital “Lehtësimi i vuajtjeve”. Shtegtimi tij tokësor qe plotësisht në shëmbëllim të Krishtit të kryqëzuar.

Duke përshkruar figurën e Shën Pios, duhet të nënvizojmë dy aspekte themelore të fratit nga Pietralçina: besnikërinë e tij ndaj Ungjillit dhe orientimin e vazhdueshëm drejt mbretërisë së qiellit. Atë Piu, që vazhdon të jetojë në misterin e Jezusit të vdekur e të ngjallur, ishte dishepull i Krishtit që nuk deshi tjetër veçse të donte e të vuante për Të. Ishte meshtar që nuk kërkoi gjë tjetër veçse të shkrihej në dashurinë për Zotin e për vëllezërit.

Ishte bir i sinqertë i Kishës, i cili edhe në rastet më të dhimbshme preferoi të mos mbrohej, duke e mohuar vetveten, i varrosur nën heshtjen e butë të bindjes së mundimshme, por të frytshme.

Me shfaqjen e plagëve të Krishtit në trupin e tij, Atë Piu “riprodhonte dukshëm figurën e të Kryqëzuarit” dhe fizikisht, sa herë që jepte Sakramentin e faljes, dëshmonte për çmimin e gjakut të shenjtë, që i është dashur të paguajë Krishtit për shpëtimin e njerëzimit. Plagët e Krishtit u kujtonin të gjithë atyre, që kërkonin ndërhyrje e mrekulli  përmes Shën Piut, se sa kushtonin ato “hire”, që Zoti shpërndante me bujari e përdëllim.

Thelbi i jetës së Atë Piut përmblidhet në Meshën e Shenjtë, në kremtimin e përditshëm të Eukaristisë. Frati i Pietralçinës i këshillonte të gjithë besimtarët e të gjithë njerëzit, t’i afroheshin Jezusit, në një takim pa rezerva, siç mund të kuptohet edhe nga një regjistrim i zërit të shenjtit, ku pohonte: “Të duam pa asnjë rezervë, pavarësisht nga shpërblimi, që Zoti ka në mend për ne – ajo është rrjedhojë – duke e bërë tonin moton e Shën Palit Apostull kur thotë: nuk dua të di gjë tjetër, veçse për Jezusin e për Jezusin e kryqëzuar”.

23 shtator 2018, 10:03