Cerca

Vatican News
Shën Mateu, Apostull e Ungjilltar Shën Mateu, Apostull e Ungjilltar  (© Biblioteca Apostolica Vaticana)

Me 21 shtator kalendari kujton Shën Mateun, Apostull e Ungjilltar

Mateu apostull, vjelës i taksave i thirrur nga Jezusi, ngrihet dhe e ndjek pas, është shembull i atij që ndahet prej çdo gjëje për të ndjekur Krishtin.

R.SH. - Vatikan

Mateu, në Ungjillin e tij, flet vetë për thirrjen që Jezusi i bëri: “Jezusi, si shkoi prej andej, pa një njeri që quhej Maté, ndenjur në doganë e i tha: “Eja mbas meje!”. Ai u ngrit e shkoi pas Tij” (Mt 9,9.) Shën Marku shton hollësinë se babai i të thirrurit quhej Alfeo, ndërsa Shën Luka rrëfen se pasi la gjithçka për të ndjekur pas Jezusin, Mateu shtroi një gosti të madhe, në të cilën morën pjesë shumë publikanë, duke ngjallur kështu polemika të ashpra nga ana e farisenjve, të cilët u mrekulluan kur panë se Jezusi hante me mëkatarët. Të dy ungjilltarët e quajnë Mateun edhe Levi, ashtu si Simoni quhet edhe Pjetër e Sauli- Pal. Emri i parë është Levi – i dyti, Maté, përdoret pas thirrjes nga Jezusi. Emri Maté në hebraisht do të thotë “dhuratë e Zotit

Pas Rrëshajëve Mateu shkroi Ungjillin në gjuhën aramaike për të krishterët e kthyer prej hebrenjve, për t’ua plotësuar mungesën e tij, kur u nis për të predikuar Krishtin në vise të tjera. I shkruar në gjuhën aramaike që e kuptonin pak njerëz, Ungjilli i Mateut u bë libër për të gjithë, pasi më vonë u përkthye në gjuhën greke.  Ndër katër Ungjijtë, ky i Mateut është më i ploti dhe më mirë i sistemuar. Ungjilli i Mateut është i përqendruar në Personin e Jezu Krishtit: Ai është Krishti - Mesia. Pra dëshmon, mbi të gjitha, se Jezusi është Mesia që realizon premtimet e Besëlidhjes së Vjetër dhe përmban pesë kumtime të rëndësishme të Krishtit mbi Mbretërinë e Hyjit.

Mateu ishte nga Kafarnaum, qendër e rëndësishme, ku kalonin masa tregtarësh, nga të cilët mblidhte taksat. E pikërisht ky njeri, kaq i lidhur me botën e parasë, në Ungjillin e tij do të shkruante fjalët e Jezusit: “Lum të varfrit!”; “Kur jep lëmoshë, të mos e dijë e majta çfarë bën e djathta, që lëmosha jote të jetë e fshehtë” dhe “Mos grumbulloni thesare mbi tokë… nuk mund t’i shërbehet njëkohësisht edhe Zotit edhe pasurisë… Kërkoni më parë mbretërinë e Zotit, e gjithçka tjetër ka për t’ju dhënë si shtesë”.

Ky është mesazhi që na sjell sot Shën Mateu, Apostull e Ungjilltar, një nga hebrenjtë që u bënë dëshmitarët e ngjalljes së Krishtit dhe i kumtuan botës se Jezusi i Nazaretit është Mesia i premtuar nga Shkrimet e Shenjta.  Jezusi nuk përjashton askënd nga miqësia e tij dhe kumtimi i mirë i Ungjillit qëndron pikërisht në dhuratën e hirit të Zotit për mëkatarin. Ka shumë mundësi që të ketë vdekur nga vdekje natyrore, ndonëse burime pak të besueshme flasin për martirizimin e tij.

21 shtator 2018, 10:29