Kërko

Eclisse solare totale Eclisse solare totale  

Astronomia: Observatori Vatikanit organizon, në Castelgandolfo, seminarin e parë mbi meteoritët

Iniciativa mbledhë së bashku një grup ndërkombëtar ekspertësh dhe koleksionistësh të sektorit për "shkëmbimin e ideve, diskutimin e praktikave më të mira dhe për eksplorimin e mënyrave më të mira për t'i shërbyer komunitetit shkencor ". Kisha e shikon me mirënjohje botën shkencore.

R.SH. - Vatikan

Observatori astronomik i Vatikanit organizon seminarin e parë mbi kujdesin për Meteoritët dhe kampionarin e materialeve jashtëtokësore në selinë e Castelgandolfo-s, afër Romës. Iniciativa - thuhet në një deklaratë të zyrës së shtypit të Vatikanit - mbahet prej ditës së sotme e deri më 13 shtator, dhe mbledh së bashku një grup ndërkombëtar ekspertësh dhe koleksionistësh të sektorit për "shkëmbimin e ideve, për diskutimin e praktikave më të mira dhe për gjetjen e mënyrave më të mira për t'i shërbyer bashkësisë shkencore".

Pjesëmarrësit përfaqësojnë 27 institucione shkencore botërore, duke përfshirë muze, universitete dhe institucione të Evropës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë, Rusisë, Marokut dhe Japonisë. Do të flitet gjithashtu edhe për misionet në hapësirë, si ai i Apollo-s, që i organizuar nga NASA çoi për herë të parë njeriun në Hënë, ose misionin Hayabunasa të asteroidit 25143 Itokawa.

"Kjo konferencë - shpjegon Robert Mache, i cili kujdeset për Koleksionin e Meteoritëve në Vatikan dhe është një nga organizatorët e iniciativës - përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme për ne". "Ky do të jetë  rast tjetër për t'u njohur e për t'u familjarizuar me koleksionet e ndryshme dhe me mënyrën se si janë trajtuar", shton Ludovic Ferrière, bashkë-kujdestar i meteoritëve në Muzeun Historik Natyror të Vjenës, bashkë-koordinator i seminarit: "Për vite, kujdestarët e meteoritëve kanë punuar në mënyrë të pavarur, tani më në fund jemi duke u lidhur në bashkësi".

Shkenca nuk duhet të jetë vetëm llogaritje dhe eksperiment, por të zbulojë, në Krijim, dashurinë e Zotit

Shkenca duhet të hapë horizonte të reja për kërkimin e së vërtetës, këtë kanë nënvizuar shpesh edhe Papët e Kisha në takime me astronomë dhe shkencëtarë nga mbarë bota, që bashkohen në raste të ndryshme, organizuara nga Observatori Astronomik i Vatikanit, si për shembull me rastin e Vitit Ndërkombëtar të Astronomisë kushtuar Galileo Galileit në tetor të vitit 2009. Në kundrimin e universit, ashtu si edhe të mrekullive të tjera të gjithësisë, mund të njohim veprën e Zotit-Dashuri.

Vrojtorja Astronomike e Vatikanit na fton ta shikojmë universin me frymën e mahnitjes, duke u impenjuar që, përmes kësaj soditjeje, të kërkojmë gjithnjë të vërtetën: për këtë Observatori i Vatikanit edhe i bashkon astronomët dhe ekspertët nga të katër anët e botës, në Castelgandolfo.

Sipas mësimit të Kishës katolike, Jezu Krishti, Adami i Ri, është qendra e vërtetë e Universit dhe e historisë. Në Të, që është Fjala e Mishëruar  e Hyjit, shikojmë në tërësi madhështinë tonë si qenie njerëzore, të pajisura me arsye, të paracaktuara për një fat të amshuar.

Kisha e barinjtë e saj le ta përqafojnë, inkurajojnë e promovojnë shkencën e vërtetë.

Dialogu ndërmjet shkencës e fesë është i rëndësishëm”: Papa Françesku, nënvizoi rëndësinë e dialogut ndërmjet shkencës e fesë, në fjalimin drejtuar pjesëmarrësve të simpoziumit të promovuar nga Observatori Astronomik i Vatikanit, të cilët, më 18 shtator 2015, i priti në audiencë në Vatikan.

“Gjithësia –vërejti me atë rast Papa Bergoglio – është diçka më shumë se një problem thjesht shkencor për t’u zgjidhur: është mister i hareshëm që kundrojmë në gëzim e lavdi”. E duke kujtuar atë që pati pohuar Benedikti XVI në Kongregacionin (Mbledhjen) e përgjithshme të jezuitëve, Papa Françesku ripohoi se “Kisha ka nevojë urgjente për rregulltarë që përkushtojnë jetën e tyre në fushën e kërkimeve shkencore, duke qëndruar pikërisht në kufijtë ndërmjet fesë e diturisë njerëzore, fesë e shkencës moderne. Kisha e barinjtë e saj ta përqafojnë, ta inkurajojnë e promovojnë shkencën e vërtetë”.

Kisha e shikon me mirënjohje botën shkencore, jo vetëm për studimet, por edhe për përpjekjet e atyre, që impenjohen për një dialog e reflektim të vazhdueshëm, për të sqaruar e nënvizuar se feja dhe arsyeja përplotësojnë njëra-tjetrën, se janë në shërbim të kuptimit të plotë të njeriut e të vendit të tij në univers. 

Kush mund ta mohojë se përgjegjësia për ardhmërinë e njerëzimit dhe respekti për natyrën kërkojnë, sot më shumë se kurrë, varën nga një vëzhgim i vëmendshëm, gjykim kritik, duresë e disiplinë, cilësi themelore të metodës shkencore moderne? Por, njëkohësisht, shkencëtarët e mëdhenj të epokës së zbulimeve, na kujtojnë edhe se po kjo përgjegjësi e ky respekt, na ftojnë t’i lartojmë sytë drejt mbretërisë së lartë të shpirtit.

Dija, me një fjalë, duhet të kuptohet e të ndiqet në të gjithë përmasën e saj çliruese. Natyrisht mund të kufizohet thjeshtë në llogaritje e eksperimente. Por, në se dëshiron të jetë dije e vërtetë, e aftë për ta drejtuar njeriun, duhet të synojë në njohjen e së vërtetës së fundme e cila, ndonëse i kapërcen aftësitë tona, mbetet gjithnjë çelësi i lirisë dhe i lumturisë sonë të vërtetë.

Organizatorët shpresojnë që frytet e këtij seminari kushtuar Astronomisë, do të na çojnë përtej kundrimit të mrekullive të krijimit, deri në kundrimin e vetë Krijuesit- Dashuri. Kjo dashuri, sikur na kujtojnë vargjet e Dante Aligherit, vë në lëvizje diellin e mbarë yjet  

10 shtator 2018, 11:10