Versioni Beta

Cerca

Vatican News
2018.09.21 Visita Papa Francesco Albania 21 settembre 2014 2018.09.21 Visita Papa Francesco Albania 21 settembre 2014 

Katër vjetori i vizitës së Papës Bergoglio në Shqipëri

"Portat e Shqipërisë janë të hapura. Kam ardhur t'ju mbështes e t'ju jap shpresë. Fluturoni lart, si shqiponja, por mos e harroni folenë" – pati theksuar mes tjerash Ati i Shenjtë.

Sot, më 21 shtator, kujtojmë 4 vjetorin e vizitës së Papës Françesku në Shqipëri. Shtegtimi apostolik  i Atit Shenjtë në kryeqytetin e Shqipërisë, në vendin e parë të Evropës, qe bekim dhe një përqafim me mbarë popullin shqiptar. Nga autoritetet me të larta shtetërore e civile të vendit, e deri tek kryetarët, përfaqësuesit e besimeve fetare, nga të varfrit e deri tek personat me aftësi të kufizuara, pra, për të gjithë shqiptarët, vizita e Papës Bergoglio qe vërtetë përjetim i një ngjarje të paharrueshme.

“Sot portat e Shqipërisë janë të hapura. Kam ardhur t'ju mbështes e t'ju jap shpresë. Fluturoni lart, si shqiponja, por mos e harroni folenë" – pati theksuar mes tjerash Ati i Shenjtë.

Pra, është pak të thuash se vizita e Papës Françesku në Shqipëri ishte historike, sepse qe bekim, vlerësim i veçantë dhe një mesazh i sinqertë, që pakkush nga personalitetet botërore i ka bërë Shqipërisë, Kishës e komuniteteve fetare shqiptare, si dhe mbarë kombit shqiptar, gjatë historisë së tij. Vetë përzgjedhja e Shqipërisë, për t’u vizituar nga Papa si vend i parë i Evropës, pa dyshim që kishte simbolikë shumë të fortë, por ishte e lidhur edhe me mesazhet e jashtëzakonshme e të përzemërta që Françesku drejtoi nga Shqipëria, nga Sheshi Nënë Tereza në Tirana, para portreteve të martirëve të krishterë të periudhës së diktaturës ateiste, për mbarë kontinentin e vjetër, për botën e qytetëruar e për njerizimin  e botës.

Vizita e Papa Françeskut në Shqipëri pati mesazhe të paharrueshme, mesazhe vlerësimi, pa dyshim, por mbi të gjitha shprese e besimi. Besimi tek Zoti, besimi dhe respekti tek njëri tjetri, besimi tek e mira, besimi tek e ardhmja. Ati i Shenjtë Bergoglio çmoi lartë martirizimin që pësoi  Kisha, martirizimin që pësoi populli, pastaj vlerësoi edhe virtytet më fisnike të shqiptarëve, ato që kombi shqiptar i ka trashëguar e transmetuar brez pas brezi, duke i shpalosur para botës mbarë.

Në takimin me klerin shqiptar, në Katedralen e Shën Palit, në Tiranë, Papa Françesku kur dëgjoi tmerret e persekutimit nën regjimin komunist, u përlotë, sepse, siç do të thoshte më pas në bisedë me gazetarë, gjatë kthimit në Romë, “të dëgjosh një martir që flet për persekutimin e vet, është tronditëse! Besoj se të gjithë ne që ishin aty, jemi prekur dhe emocionuar: të gjithë. E ata dëshmitarë, flisnin thua se po flitej për dikë tjetër, natyrshëm, me përvujtëri. Mua më ka bërë mirë, kjo!”

Vizita e Papa Françeskut u prit me interesim të madh, sidomos për mesazhet e tij mbi të ardhmen europiane të Shqipërisë, harmoninë fetare në vend, vlerën e familjes, kujdesin për të rinjtë.  Si thelb i mesazhit, ishte ftesa për shpresë, drejtuar një populli, që kaloi çaste të vështira, që vuajti shumë në periudhën e errët të diktaturës, të njohur mirë nga të gjithë. Papa e njohu nga afër Shqipërinë, prandaj i la këtij vendi një mesazh të qartë, mesazh feje e shprese, që mund ta përtërijë jetën e njerëzve e të mbarë shoqërisë.

Prej këndej, fjalët e inkurajimit e të shpresës mbetën të vulosura ndër zemra. E gjithë vizita u realizua me sukses e me gëzim të madh. Kështu, mund të themi se vizita apostolike e Papa Françeskut në Shqipëri, ishte dhe mbeti një nga ngjarjet më të rëndësishme, jo vetëm për katolikët, por për të gjithë besimtarët e tjerë, kjo për faktin se Ati Shenjtë Bergoglio kishte zgjedhur jo rastësisht vendin e shqipeve si fillim të shtegtimit të tij apostolik në Evropë. E Shqipëria ishte dhe mbeti një shembull i pashoq i harmonisë fetare, i vlerës familjare, i qëndresës në periudhën e errët të persekutimit. Dhe kjo do të mjaftonte si thelbësore për të vizituar, përqafuar e përgëzuar një realitet të vogël por domethënës të kontinentit të vjetër.

Photogallery

Nga vizita Papës Françesku në Shqipëri, 21 shtator 2014
21 shtator 2018, 17:04