Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Dublini Dublini 

Dublini

Historia, njerëzit e mëdhenj dhe pasuritë e Dublinit, kryeqytet i Irlandës, ku Papa qëndron më 25 e 26 gusht.

R.SH. - Vatikan

Dublini (1.345.402 banorë), nga gaelishtja “Dubh linn” (moçal i zi), është kryeqyteti i Irlandës. Ndodhet në bregun qendro-lindor të vendit, në Gjirin e Dublinit, ndërmjet gadishullit Howth dhe kepit Dalkey; ndahet përgjysëm nga lumi Liffey. Të parët që arritën në këtë gji ishin keltët, në shekullin IV para Krishtit, duke i dhënë emrin irlandez qytetit, Baile Atha Cliath, “qyteti i vaut të trinave”, ndjekur në shekullin IX nga vikingët, që pushtuan dhe fortifikuan fshatin e atëhershëm.

Krishterimi në Irlandë

         Vikingët pranuan krishterimin, përhapur në shekullin V nga Shën Patriku, e vunë themelet e një kishe, mbi të cilën, më vonë, do të ngrihej Katedralja e Krishtit. Pas tre shekujsh, në vitin 1170, Dublini pushtohet nga anglezët. Qyteti mbeti i lidhur me Kurorën angleze deri më 1798, vit në të cilin filloi një fazë e trazuar, e shenjuar nga revolta dhe kryengritje për pavarësi, e cila u arrit vetëm në vitin 1921, me përjashtim të provincës së Ulsterit, në përfundim të një revolucioni të gjatë gati 3-vjeçar. Në vitin 1922 deklarohet pavarësia e Irlandës dhe Dublini bëhet, kështu, kryeqytet i vendit.

Pasuritë e Dublinit

         Qyteti është seli muzesh dhe monumentesh të rëndësishme. Aty janë lindur, ose kanë jetuar shkrimtarë e artistë të famshëm si Joyce, George Bernard Shaw, Samuel Beckett, Oscar Wilde dhe Jonathan Swift. Në Temple Bar, lagjja e gjallë në bregun jugor të Liffey, gjejmë, përveçse disa nga pub-et më të mira irlandeze të botës, edhe ndërtesat kryesore historike të qytetit dhe muzetë kryesore. Ndër to, ngrihet madhështore Christ Church Cathedral (shek. XIII), në stilin gotik e romanik, ndërtuar mbi kishën e lashtë vikinge, brenda së cilës ndodhet varri i Strongbow, fisnikut anglo-norman, që pushtoi vendin e themeloi katedralen, si edhe mbetjet e mumifikuara të një maceje e të një miu, “Tom e Jerry”, vendosur në një tabernakull të lashtë në kriptë, pjesë e legjendës së katedrales; katedralja e Shën Patrikut (shekulli XI), kisha më e madhe e Irlandës, ku janë varrosur 500 figura të rëndësishme historike, ndër të cilët Jonathan Swift; Trinity College, themeluar në vitin 1592 nga Elizabeta I, me Old Library, ku ruhen 200 mijë vëllime të lashta, si edhe Book of Kells (viti 800 pas Krishtit). Ky kodik mesjetar në miniaturë, me vlerë të madhe, përmban, së bashku me shkrime të tjera, katër Ungjijtë e Besëlidhjes së Re, në latinisht.

Zona në veri të lumit

         Zona në veri të lumit arrihet përmes një ure të lashtë në gizë, Ha’ Penny Bridge (1826), e cila quhet kështu, për shkak të taksës, që duhej paguar për ta kaluar. Këtu gjendet arteria kryesore e qytetit, O’Connell Street, plot me dyqane, hotele, zyra dhe magazina të mëdha. Në Dawson Street, krah Akademisë Mbretërore Irlandeze, ndodhet Mansion House, rezidenca e kryetarit të bashkisë së Dublinit, ku më 1919 u shpall deklarata e pavarësisë irlandeze. Leinster House (1745), në rrugën Kildare, është seli e Dhomës së Ulët e të Lartë të Parlamentit. Në lagjen “The Liberties”, ndodhet fabrika e birrës themeluar nga Arthur Guiness (1759). Pas selisë së bashkisë, ngrihet kështjella e Dublinit, e cila tani është pronë e qeverisë irlandeze, ndërsa në të kaluarën, ka qenë simbol i pushtimit anglez. Ndërtesa ka akoma katër kullat, urën lëvizëse, hendekun përreth dhe fronin e Uiliamit d’Orange, thesari më i çmuar i saj. Dublini, i cili ngrihet buzë detit, e ka verën relativisht të freskët. Në fund të gushtit, temperaturat mesatare mbërrijnë në 18°C (maksimumi) e mundësia për shi është e madhe.

25 gusht 2018, 09:53