Kërko

2018.08.13 Madre Teresa di Calcutta Nene Tereza 2018.08.13 Madre Teresa di Calcutta Nene Tereza 

Shёn Nënë Tereza: Lëre jetën tënde të pёrshkohet nga dashuria

Mundohu me gjithë zemër të bëhesh dritë e shkëlqyer. Nuk është e nevojshme të bëni gjëra të mëdha, por gjëra të vogla me dashuri. Lëreni Zotin të shohë me sytë tuaj, të flasë me gojën tuaj, të punojë me duart tuaja, të ecë me këmbët tuaja, të mendojë me kokën tuaj dhe të dojë me zemrën tuaj.

R.SH. - Vatikan

Po i afrohemi festës liturgjike, festës shpirtërore, mё 5 shtator. Dhe krahas kremtimit kishtar, pёr vëllezërit e motrat e Ganxhe Bojaxhiut, ёshtё edhe njё festё gёzimi kombёtar, pёr faktin qё njё Shenjte qё doli nga populli e familja shqiptare, nderohet nga besimtarёt katolikё dhe nga njerёzit vullnet mirё, në të gjitha vendet e botёs, kujtohet si një prej personazheve më të famshme në botë, si murgesha që ndihmoi të varfrit kudo nё botё dhe në Indi.

Murgesha imcake shqiptare,  Shёn Nënë Tereza e Kalkutës - Ganxhe Bojaxhiu (1910 - 1997) në shekullin e kaluar qe simbol botëror i dashurisë së krishterë. Pa i mbushur mirë 18 vjetët, duke iu përgjigjur thirrjes për veprimtari misionare, hyri ndër motrat e Loretos, që e dërguan si mësuese në Indí.

Në Kalkutë zbuloi fytyrën e Krishtit të vuajtur në fytyrën e të varfërve më të braktisur. Këtu në jetën e saj filloi kthesa e madhe. Themeloi për të varfrit Misionaret e Misionarët e Bamirësisë. Sipas shembullit të saj, lindi një lëvizje e gjerë impenjimi bamirës e shoqëror në dobí të njerëzve më të lënë mbas dore, më të mjerë, më të harruar". Veç asaj që u tha më sipër, shtohet edhe se gëzon famë shenjtërie në shkallë botërore. Nёnё Tereza radhitet kështu ndër shenjtorët, të cilët u lartuan në altar në një kohë tepër të shkurtër.

E derisa po afrohemi festёs sё saj liturgjike e shpirtёrore, mёnyra mё e mirё ёshtё t’i pёrshkojmё disa nga porositё e Shёn Nënë Terezës:

"Dëshiroj me gjithë zemër ta ndez dritën e dashurisë së Krishtit në zemrën e çdo krijese. Hyji na dashuron e vijon të na përdorë, mua e ty, për të ndezur dritën e dashurisë së Tij në botë. Lëre jetën tënde të ndriçohet nga vërtetësia e Tij, kështu që Zoti të vijojë ta dashurojë botën përmes nesh. Mundohu me gjithë zemër të bëhesh dritë e shkëlqyer".

“Ne nuk duhet të kemi frikë që ta shpallim dashurinë e Jezusit dhe të duam ashtu si Ai na ka dashur. Puna që duhet të bëjmë, pavarësisht se e vogël dhe e përvuajtur, duhet bërë në shenjën e dashurisë së Krishtit në veprim. Gëzohuni që Krishti edhe një herë, ecën nëpër botë në ju e nëpërmjet jush bën mirë.

Në Shkrimet e Shenjta lexojmë se Zoti e deshi aq shumë botën, sa i dha Birin e Tij të vetëm. Zoja jonë e pranoi Atë në krahëror me zemër të përvuajtur, me zemër të pastër e shkoi me nxitim t’ua jepte Jezusin të tjerëve. Ajo shkoi në shtëpinë e Elizabetës vetëm për t’i shërbyer. Ajo e ktheu dashurinë për Jezusin në veprim për të tjerët. Për këtë erdhi Jezusi, për t'i dashur të tjerët ashtu si i do Zoti.

Shën Maria na mësoi si t’i shërbejmë, si ta duam njëri-tjetrin. Ku fillon kjo dashuri? – në shtëpi. Familjet që luten sëbashku qëndrojnë sëbashku. Prandaj, nëse qëndroni sëbashku, do ta doni njëri-tjetrin ashtu si Zoti do secilin prej jush. Nuk është e nevojshme të bëni gjëra të mëdha, por gjëra të vogla me dashuri. Shën Maria shkoi në shtëpinë e Elizabetës për të bërë gjëra të vogla. Ne e dimë si shkoi e kur mbërriti; qe foshnja që lëvizi gjithë gëzim. Shën Gjoni u zgjodh për ta njohur Jezusin”.

Nga porositë e Nënë Terezës:

“Përpiquni të bëheni dashuria e Jezusit, mëshira e Jezusit – prania e Jezusit për njëri-tjetrin dhe për të varfërit, të cilëve u shërbeni. E gjithë kjo do të bëhet e mundur nëse rrini afër Shën Marisë, Nënës së Jezusit dhe Nënës sonë. Ajo do t’ju udhëheqë dhe do t’ju mbrojë dhe do t’ju ruajë Vetëm për Jezusin”.

“Kush është Jezusi për mua?
Jezusi është Fjala e mishëruar.
Jezusi është Buka e Jetës.
Jezusi është Flija e gozhduar në Kryq për mëkatet tona.
Jezusi është Flija e flijuar në Meshën Shenjtë
për mëkatet e botës dhe të miat.
Jezusi është Fjala për t’u thënë.
Jezusi është e vërteta për t’u treguar.
Jezusi është Rruga ku duhet ecur.
Jezusi është Drita për t’u ndezur.
Jezusi është Jeta për t’u jetuar. 
Jezusi është Dashuria për t’u dashur.
Jezusi është gëzimi për t’u ndarë me të tjerët.
Jezusi është Flija për t’u ofruar.
Jezusi është Paqja për t’u dhënë.
Jezusi është Buka e Jetës për t’u ngrënë.
Jezusi është I Urituri për t’u ushqyer.
Jezusi është i Eturi për t’u ngopur me ujë.
Jezusi është i Paveshuri për t’u veshur.
Jezusi është i Pastrehu për t’u marrë në shtëpi.
Jezusi është i Sëmuri për t’u mjekuar.
Jezusi është i Braktisuri për t’u dashur.

Ruaje dlirësinë e syve
Që Jezusi të shohë nëpërmjet tyre.
Ruaje dlirësinë e gojës
Që Jezusi të flasë nëpërmjet gojës tënde.
Mbaji duart e pastra
Që Jezusi të punojë me duart e tua.
Mbaje mendjen të pastër
Që Jezusi të mendojë me mendjen tënde.
Ruaje zemrën të pastër
Që Ai të dojë me zemrën tënde.
Kërkoji Jezusit ta shkojë jetën e tij brenda teje, sepse:
Ai është e Vërteta e përvuajtur
Ai është Drita e Bamirësisë
Ai është Jeta e shenjtërisë”. 

Nga porositë e Nënë Terezës:

“Ta dhurojmë vetveten me Të e për Të. Lëre Atë të shohë me sytë tuaj, të flasë me gojën tuaj, të punojë me duart tuaja, të ecë me këmbët tuaja, të mendojë me kokën tuaj dhe të dojë me zemrën tuaj.
Ai është e vetmja Dashuri që vlen të ndjehet, e vetmja Rrugë që meriton të ndiqet, e vetmja dritë që ia vlen të kërkohet, e vetmja jetë që ia vlen të jetohet. Ai ka bërë kaq shumë për ju – tani është radha juaj “të bëni” diçka për Të.
Ai vdiq në kryq për të treguar dashurinë më të madhe, e Ai vdiq për ju e për mua e për atë të gërbulurin, për atë njeriun aty që po vdes nga uria, e për atë person gjysëm lakuriq që është shtrirë në rrugë, jo vetëm në Kalkutë, por edhe në Afrikë, në Nju Jork, në Londër e në Oslo – dhe nguli këmbë që ne ta duam njëri-tjetrin, ashtu si deshi Ai secilin prej nesh. Ne mund ta lexojmë qartë këtë në Ungjill, “doni ashtu si ju kam dashur; ashtu si Ati më ka dashur mua, unë ju dua juve”. Kur Ati e deshi shumë, na e dha Atë neve, dhe sa më shumë që ta duam njëri-tjetrin, aq më shumë duhet t’i japim njëri-tjetrit, deri në dhembje.

Nuk mjafton për ne të themi “Unë e dua Zotin, por nuk e dua fqinjin”. Shën Gjoni thotë se je gënjeshtar nëse thua se e do Zotin, por nuk do fqinjin. Si mund ta duash Zotin, që nuk e sheh, nëse nuk e do fqinjin, që e sheh, e prek, jeton me të? Kjo gjë është me rëndësi për ne: të kuptojmë se dashuria, që të jetë e vërtetë, duhet të dhembë”.

Unë besoj se ne nuk jemi punonjëse sociale. Ndoshta ne bëjmë punë sociale për sytë e njerëzve, por në të vërtetë, ne jemi ato që kundrojnë Krishtin në zemër të botës. Sepse ne prekim Korpin e Krishtit për 24 orë me radhë!  Ne jemi 24 orë në praninë e Tij, ju edhe unë. Edhe ju duhet të përpiqeni që ta sillni Zotin në familje, sepse familjet që luten sëbashku qëndrojnë sëbashku. Mendoj se ne, në familjen tonë, nuk kemi nevojë për bomba apo armë që ta shkatërrojmë ose ta sjellim paqen – duhet veç të qëndrojmë bashkë, ta duam njëri-tjetrin, të sjellim atë paqe, atë gëzim, atë fuqi të pranisë së Zotit për njëri-tjetrin në shtëpi. Ne do të jemi në gjendje ta shtypim kështu të keqen në botë.

Ka kaq shumë vuajtje, kaq shumë urrejtje, kaq shumë mjerim dhe me lutjen tonë, me flijimin tonë, që fillon në shtëpi – dashuria fillon në shtëpi. E nuk ka rëndësi sa shumë gjëra bëjmë, por me sa dashuri veprojmë. Është për Zotin e gjithëpushtetshëm – sa shumë gjëra bëjmë, nuk ka rëndësi, sepse ai është i pafundëm, por me sa dashuri veprojmë – ajo ka rëndësi. Sa shumë bëjmë për Zotin nëpërmjet personit të cilit i shërbejmë?”.

I Thirst
 
Është Jezusi ai që ndjen brenda vetes urinë e të varfërve,
etjen dhe lotët e tyre.
Si Jezusi, ne duhet të bëhemi një me njerëzit tanë,
të bëhemi një me ata në të gjitha gjërat, përveç mëkateve.
Jezusi u bë kaq shumë një me të varfërit
Saqë mori pamjen e shërbëtorit.
Feja jonë në Jezusin duhet të na bëjë që të duam,
e dashuria duhet të na çojë drejt shërbimit.
Por shërbimi nuk është i mundur pa lutjen. 
 

30 gusht 2018, 08:07