Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Nikaragua paguan haraç të rëndë viktimash Nikaragua paguan haraç të rëndë viktimash  (ANSA)

OKB-ja: në Nikaragua “Shkelje të përsëritura të të drejtave të njeriut”

Në një Raport të OKB-së, denoncohet qeveria e Nikaraguas për përdorimin e vazhdueshëm të forcës policore, përveç gjyqeve të padrejta, zhdukjeve, burgosjeve e torturave. OKB-ja shton se grupet paraushtarake veprojnë me miratimin e autoriteteve.

R. SH. - Vatikan

Raporti  i OKB-së, i titulluar “Shkelje e të drejtave të njeriut dhe shpërdorime gjatë protestave në Nikaragua”, u hartua nga Zyra e Komisariatit të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut. Dokumenti  flet për mundësinë e krijimit të një Komisioni për të Vërtetën, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, që t’u sigurojë  viktimave të vërtetën dhe drejtësinë.

Vërejtje për autoritetet

OKB-ja  i  bën qeverisë 16 kërkesa. Ndërmjet tyre, t’u jepet fund frikësimeve, arrestimeve arbitrare e kriminalizimeve; të shpërndahet milicia paraushtarake; të sigurohet mundësia e hetimeve të pavaruara; të lirohen të burgosurit politikë, të arrestuar padrejtësisht e pa garanci; të botohen emrat e të arrestuarve, të garantohet liria e manifestimit, pavarësia e pushtetit  gjyqësor si dhe mundësia e informacionit për përfaqësuesit e Komisariatit të Lartë të OKB-së për të drejtat  e njeriut dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare. Në çdo rast, situata në Nikaragua do të jetë në rendin e ditës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Situata në Nikaragua

Sipas Raportit, numri i të vdekurve që nga fillimi i protestave arrin në 300, i të plagosurve, në 2 mijë. Protestat nisën më 18 prill, ditën kur hyri në fuqi reforma e sistemit të pensioneve, me vendim të qeverisë së udhëhequr, që nga viti 2007,  nga ish-luftëtari Daniel Ortega. Edhe pse reforma nuk u vu në zbatim, protestat e manifestimet vijuan e vijojnë kundër një qeverie, që nuk ngurron fare kur është fjala për t’i shtypur me forcë protestat.  Kisha përpiqet vazhdimisht të promovojë dialogun, por deri më sot nuk është arritur kurrfarë rezultati.

31 gusht 2018, 13:44