Kërko

2018.08.20 Statua della Vergine Maria con Bambino, Madonna con corona, Madonna Regina 2018.08.20 Statua della Vergine Maria con Bambino, Madonna con corona, Madonna Regina 

Me 22 gusht kalendari kishtar kremton festën e Shën Marisë Mbretëreshë

Maria është mbretëreshë, sepse është Nëna e Krishtit, Mbret. Është mbretëreshë, sepse shkëlqen mbi të gjitha krijesat në shenjtëri. "T'’ falem, Mbretëreshë, e bukura! Mbi krye tand ndritë kunora,/ Që e popujve edhe e kombeve/ Desht me vendue dora,/ Kah n’ ahte t’ njëmijë zemrave,/Toka ty t’ thotë se t’ don!”.

R.SH. - Vatikan

Shёn Maria Virgjёr, pjesëmarrëse në mbretërinë e lavdishme të Krishtit, propozohet nga Kisha si shembull e shenjë shprese për të krishterët, të cilët të pajisur me dinjitetin mbretërore të Zotërisë Jezus në Sakramentin e Pagëzimit, janë të thirrur të mbretërojnë përjetësisht në amshim me Të.

Festa e së Lumes Mari Virgjër Mbretëreshë, që përkon me atë të Krishtit Mbret, u themelua nga Piu XII në vitin 1945. Para reformimit të kalendarit liturgjik, kremtohej më 31 maj, si kurorëzim i devocionit të veçantë marian në muajin që i kushtohet Zojës së Bekuar. Ndërsa 22 gushti i takonte Zemrës së Papërlyer të Marisë. Pikërisht në këtë datë u caktua festa e Marisë Mbretëreshë, për t’i afruar pushtetin mbretëror të Virgjërës me lumturimin e saj përmes Ngjitjes në Qiell.

Ky vend krejt i veçantë, pranë Krishtit Mbret, vjen nga një numër i madh titujsh, të cilët shpjegohen nga Papa Piu XII në letrën enciklike ‘Ad Coeli Reginam’ (11 tetor 1954), duke u nisur nga titulli ‘Nëna e Kokës dhe e gjymtyrëve të korpit mistik’, për të vijuar me titullin ‘Perandoreshë e Shenjtë e Mbretëreshë e Kishës’, që e bëjnë pjesëtare jo vetëm të pushtetit mbretëror të Krishtit, por edhe të ndikimit të tij jetik e shenjtërues mbi gjymtyrët e Korpit mistik që është Kisha e populli i Zotit. Në latinisht fjala ‘regina’ (mbretëreshë) ashtu si fjala ‘rex’ (mbret), rrjedhin nga folja ‘regere’ (të mbretërosh, të sundosh).

Po ta shikosh me syrin njerëzor, është e vështirë t’i japësh Marisë një rol sundues. Si mund ta shikosh si sundimtare, Atë që e shpalli veten shërbëtore e Hyjit e që e kaloi gjithë jetën në fshehtësi e në heshtje? Luka, në Veprat e Apostujve, e përshkruan Marinë pas ngjitjes së Krishtit në qiell, në mes të të Njëmbëdhjetëve, gjithnjë duke u lutur. E urdhrat nuk i jep ajo, por Pjetri. Megjithatë në këtë rrethanë, ajo është hallka që i mban këta burra, ende të papërforcuar nga Shpirti Shenjt, të lidhur ngushtë me të Ngjallurin.

Maria është mbretëreshë, sepse është Nëna e Krishtit, Mbret. Është mbretëreshë, sepse shkëlqen mbi të gjitha krijesat në shenjtëri. E kësaj mbretëreshe i falen kombet e popujt, poetët e artistët e të gjitha kohëve, e edhe poeti anonim shqiptar, që i këndon:
“T’ falem, Mbretëreshë, e bukura!
Mbi krye tand ndritë kunora,
Që e popujve edhe e kombeve
Desht me vendue dora,
Kah n’ ahte t’ njëmijë zemrave,
Toka ty t’ thotë se t’ don!”.

“Dhurojani veten Jezusit për të hyrë në pafundësinë e Zemrës së Tij të madhe, që përmban Zemrën e Nënës së tij të Shenjtë e atë të të gjithë shenjtorëve, si edhe për të humbur në këto thellësi dashurie, bamirësie, mëshire, përvujtërie, durimi, nënshtrimi e shenjtërie”. (Papa Benedikti XVI).

22 gusht 2018, 11:05