Versioni Beta

Cerca

Vatican News
2018.08.19 San Giovanni Eudes 2018.08.19 San Giovanni Eudes 

Më 19 gusht kalendari kishtar përkujton Shën Gjonin Eudes

Shën Gjon Eudes është apostulli më i zjarrtë i kultit liturgjik të Zemrës së Krishtit e të Zojës së Bekuar. Veprimtarinë e tij e zhvilloi në gjirin e popullit, duke iu kushtuar krejtësisht misioneve famullitare. I bindur se figura e meshtarit ka rëndësi të jashtëzakonshme për jetën e njerëzve.

R.SH. - Vatikan

Më 19 gusht kalendari kishtar përkujton Shën Gjonin Eudes, meshtar.  Figura e Shën Gjonit Eudes, apostull i palodhshëm i devocionit për Zemrën e Krishtit e të Zojës së Bekuar, në një shekull si ai i XVII, kur sundonin ideologjitë që e përbuznin fenë e krishterë.

Ishte periudhë e vështirë. Evropa qe shkretuar nga luftërat, e edhe shpirtrat e besimtarëve e tё njerëzve nё përgjithësi qenë shkretuar. Por megjithëkëtë, pikërisht në këtë kohë, Shpirti Shenjt ngjallte një frymë përtëritjeje shpirtërore, plot zell, duke i dhuruar Kishës personalitete të spikatura. Ndërmjet tyre, Shën Gjoni Eudes: i lindur në Normandi, në vitin 1601, qe dëshmitar i zjarrtë i Ungjillit, derisa vdiq, më 1680. Vepra e Shenjtit u realizua në frymën e Koncilit të Trentit, mbajtur nga viti 1545 deri në vitin 1563.

Koncili i Trentit përcaktoi norma lidhur me ngritjen e seminareve dioqezane për formimin e meshtarëve, nga që Etërit konciliarë ishin të vetëdijshëm se gjithë kriza e reformës kushtëzohej edhe nga formimi i pamjaftueshëm i meshtarëve, të cilët nuk ishin të përgatitur si duhet intelektualisht e shpirtërisht, me mendje e me zemër, për misionin meshtarak. Por zbatimi, vënia në jetë e këtyre normave, po vonohej si në Gjermani, ashtu edhe në Francë, e Shën Gjoni i shihte pasojat e kësaj vonese. Vepronte me vetëdijen se njerëzve u mungonte ndihma e domosdoshme shpirtërore, pikërisht për shkakun se pjesa më e madhe e klerit nuk kishte formim të përshtatshëm.

Kështu Shën Gjoni Eudes themeloi një Kongregatë kushtuar posaçërisht formimit të meshtarëve. Udha e shenjtërisë, që propozonte, kishte në themel besimin e pakufishëm në dashurinë që Hyji i zbuloi njerëzimit përmes Zemrave të Krishtit e të Zojës së Bekuar.

Ai, në këtë kohë të mizorive, të humbjes së shpirtit, foli për zemrën. Donte t’u kujtonte njerëzve, e sidomos meshtarëve të ardhshëm, pikërisht zemrën: Zemrën meshtarake të Krishtit e Zemrën amtare të Marisë, që çdo meshtar të ishte dëshmitar e apostull i dashurisë së Zemrës së Krishtit e të Marisë. E edhe sot vërehet nevoja që meshtarët ta dëshmojnë mëshirën e pakufishme të Zotit, me një jetë të pushtuar nga Krishti, e ta mësojnë këtë që në vitet e përgatitjes së tyre në seminar.

Së fundi ia me fjalët e Shën Gjonit Eudes drejtuar meshtarëve: "Dhurojani veten Jezusit, për të hyrë në pafundësinë e Zemrës së Tij të madhe, që nxë Zemrën e Nënës së tij të Shenjtë e zemrat e të gjithë shenjtorëve, e për të humbur në këtë pafundësi dashurie, mëshire, përdëllimi, përvujtërie, durese, nënshtrimi e shenjtërie”.

Shën Gjoni Eudes, apostull i palodhshëm i devocionit për Zemrën e Krishtit e të Zojës së Bekuar, ngulmoir posaçërisht tek formimi intelektual e shpirtëror i meshtarëve, të cilët duhet t’ia kushtojnë plotësisht mendje e zemër misionit meshtarak. Në se Kisha nuk ka meshtarë të përgatitur, njerëzve do t’u mungojë ndihma e domosdoshme shpirtërore. Prandaj edhe sot vërehet nevoja që meshtarët ta dëshmojnë mëshirën e pakufishme të Zotit, me një jetë të pushtuar nga Krishti, e ta mësojnë këtë që në vitet e përgatitjes së tyre në seminar.

Në vitin 1641 themeloi dy kongregata rregulltare, një mashkullore e një femërore, kushtuar Zemrave të Shenjta të Krishtit e të Zojës. Për të kulti i Zemrave të Shenjta është kulti i njeriut, duke pasur parasysh se që aty buron dinjiteti e shenjtëria njerëzore.

Themeloi, më pas, edhe një strehë për t’i hequr vajzat nga rruga e një Kongregatë rregulltare, për t’i ndihmuar të rikthehen në jetë, urdhrin e “Zojës Përdëllyese të Strehimit’.  Shkroi shumë vepra, ndërmjet të cilave më e njohura e më e lexuara është “Zemra e admirueshme e Nënës së Hyjit”.

Shën Gjoni Eudes: Të falem, Mari!

Të falem , Mari, bij e Hyjit Atë.
Të falemi, Mari, Nënë e Hyjit Bir.
Të falem, Mari, e fejuara e Hyjit Shpirt Shenjt.
Të falem, Mari, tempulli i tejet Shenjtenueshmës Trini.
Të falem, Mari, zambak i pastër I Trinisë shkëlqimtare.
Të falem, Mari, lule qiellore e dashurisë së patregueshme të Hyjit.
Të falem , Mari, virgjër e çiltër dhe e përkorë, prej të cilës
deshi të lindej dhe të rritej përgjimi Mbreti qiellor.
Të falem, Mari, Virgjër e virgjërave.
Të falem, Mari, Mbretëresha e martirëve, zemra e të cilës
qe shporuar me shpatë.
Të falem, Mari, zonjë e bekuar, kujt iu dha çdo pushtet
në qiell e në tokë.
Të falem, Mari, mbretëresha dhe nëna ime, jeta ime, ëmbëlsia ime
dhe shpresa ime.
Të falem, Mari, Nënë e denjë e dashurisë.
Të falem, Mari, Nëne admiruese.
Të falem, Mari, Nënë e dashurisë hyjnore.
Të falem, Mari, e papërlyer, e lindur e pamëkatë.
Të falem, Mari, përplot hir, Zoti është me ty.
Ti je e bekuar mbi të gjitha gratë e I bekuar është fryti I
kraharorit tënd, Jezusi.
Qoftë bekuar fati yt, Shën Jozefi.
Qoftë bekuar ati yt, Shën Joakim.
Qoftë bekuar nëna jote, Shën Ana.
Qoftë bekuar roja jote, Shën Gjoni.
Qoftë bekuar engjëlli yt, Shën Gabrieli.
Lavdi Hyjit At që të zgjodhi.
Lavdi Hyjit Bir që të deshi.
Lavdi Hyjit Shpirt Shenjt që të mbulojë.
Virgjëra lavdishme Mari, mund të të duam
Dhe të lavdërojmë të gjithë popujt.
Mari Nënë e Hyjit, lutu për ne dhe na jep bekimin tënd, tash e
Në fill të vdekjes sonë, në emër të Jezusit, Birit tënd hyjnor.
Kjo këngë lavdërimi, e ngjashme me litanitë, nga Shën Gjoni Eudes (+1640) Është një numër titujsh më shkëlqimdhënës të Virgjërës Mari. 

Gjon Eudes, meshtari që u kumtoi dhëmbshurinë e Zotit grave të përdala.

E fshehur në skajin e një porte të madhe, një grua pret klientë. Sapo ka aguar.
Gjon Eudes me disa miq, vrapojnë për në Meshën e mëngjesit.
“Ngadalë, bre!” – u thërret nga mbrapa gruaja – “Pse gjithë ky ngut?”.
Grupi i burrave ngadalëson për një çast hapin e, pas një ngurrimi të vogël, vijon rrugën. Gjoni kthen kokën mbrapa… Gruaja e përdalë e ngacmon: “Jam e sigurtë se po shkoni në kishë për t’u gjunjëzuar para figureve…, e kështu ju thotë mendja se jeni në rregull me Zotin!”.
Meshtari mbetet si i shituar. Edhe dy herë të tjera, në vitin 1634 në Argjentan, krahinë franceze në Normandi, kur pati rënë kolera; e katër vjet më pas, në Kaen, gjithnjë në Normandi, pati rastin të takohet me gratë, të cilat gjithë bota i tregon me gisht: prostitutat. U kujdes për to, si për gjithë të tjerët, e u ofroi praninë e ngushëllimin e Jezusit, përmes Eukaristisë. Po sikur këto takime të ishin shenjë, që tregonte se Zoti po i kërkonte të bënte diçka më tepër? Në Ungjill Jezusi u thotë atyre, të cilët deshën ta mbysin me gurë gruan kurorëthyese: “Unë nuk gjykoj asnjeri”. E atëhere pse ai, Gjon Eudes, që është meshtar e duhet t’i përngjasë Krishtit, na u dashka t’i gjykojë? Zoti e la Marinë Magdalenë t’ia lyente këmbët me një parfum të çmuar. Atëherë pse duhet të bëjë sikur s’e ka parë? Madje Jezusi ka thënë edhe se do të na paraprijnë në Parriz. Tani, ç’bën Kisha për t’u treguar këtyre grave se Zoti nuk i gjykon, përkundrazi, kujdeset për to?”. Këto pyetje nisin t’i bëjnë vetes Gjoni e miqtë e tij, në sa vijojnë rrugën drejt kishës. 
“Zoti nuk do të ndërhynte kurrë nga qielli, duke i rregulluar punët e botës si me magji”, thotë me zë të lartë njëri prej tyre. “Vëmendja që i kushton çdo krijese, bëhet e dukshme përmes burrave e grave, të cilët vendosin t’u shërbejnë të tjerëve”. 
“Nuk mund ta dish rezultatin, para se ta kesh nisur punën” - nënvizon një tjetër “Duhet rrezikuar!”.
Kështu Gjon Eudes, me ndihmën e miqve të tij, nis të kërkojë një shtëpi. Pastaj krijon një grup vullnetarësh, që janë gati të kujdesen për këto gra të cilat, sipas mendimit të përgjithshëm, e kanë humbur shpirtin.
Lind, kështu, instituti i Zojës së Dhembshurisë. Gjoni interesohet edhe për formimin e meshtarëve e nis të themelojë për ta disa seminare.Duke u marrë me dramën e prostitutave e duke bërë përpjekje për ta bazuar meshtarinë mbi studimin e zgjuarsinë, Gjon Eudes përshkon dy rrugë, që të çojnë te Zoti: atë të zemrës e atë të shpirtit. Rrugën e jetës e përfundoi më 1680, por dy rrugët e tjera nuk përfunduan bashkë me shtegtimin e tij tokësor; vijojnë të jenë të hapura.

19 gusht 2018, 08:26