Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Zoja e Ngjitur në Qiell, 15 gusht Zoja e Ngjitur në Qiell, 15 gusht  (© Catherine Leblanc - byzance-photos.fr)

Dogma e Të Ngjiturit të Zojës në qiell!

“Ne shqiptojmë, deklarojmë e përcaktojmë se Nëna e Papërlyer e Zotit, Maria gjithmonë Virgjër, si kreu shtegtimin tokësor, u pranua në qiell me shpirt e me trup”. Këtu fjalët e Papës Piu XII më 1 nëntorit 1950.

R.SH. - Vatikan

Solemniteti i të Ngjiturit të Zojës në Qiell është një nga festat më të dashura për devocionin popullor. Kujtojmë se në këtë festë të të Ngjiturit të Virgjërës Mari në Qiell me shpirt e korp, ashtu siç ka besuar gjithnjë Kisha, që nga zanafilla e saj e ashtu si, më pas, Papa Piu XII e shpalli solemnisht më 1 nëntor 1950.

Festa e sotme është ftesë për t’i lartuar sytë drejt amshimit, për shikuar lart e për të kujtuar se jeta e njeriut nuk mbaron këtu poshtë; jeta nuk përfundon me të sotmen; jeta tokësore shkon drejt jetës së pasosur, që përplotëson gjithçka e përmban kuptimin e gjithçkaje. Jeta është shtegtim. Është e pasosur. Kështu, me solemnitetin e të Ngjiturit të së Lumes Mari Virgjër në Qiell, duhet të mësojmë për t’u bërë edhe ne shenja shprese e ngushëllimi.

“Ne shqiptojmë, deklarojmë e përcaktojmë se Nëna e Papërlyer e Zotit, Maria gjithmonë Virgjër, si kreu shtegtimin tokësor, u pranua në qiell me shpirt e me trup”.

Një shpërthim i jashtëzakonshëm gëzimi pason fjalët e Papës Piu XII. Ditën e 1 nëntorit 1950, turma ngarendi në Sheshin e Shën Pjetrit, në Romë. Vetëm ipeshkvijtë e ardhur për këtë ditë nga të katër anët e botës, janë shtatëqind e njëzet e dy. Është vërtetë një rast tejet i posaçëm, sepse sot Kisha shpall një dogmë të re, dogmën e Të ngjiturit të Zojës në qiell me trup e me shpirt.

Që sot e tutje do të jetë një e vërtetë e pranuar e nuk mund të vihet më në diskutim: Maria u ngjit në qiell me trup e me shpirt. Në të vërtetë të krishterët e mbarë botës besojnë prej kohe në këtë mrekulli. Për ta Maria, që e mbajti në kraharor Jezusin, që e ushqeu, që e shtrëngoi ndër krahë, nuk mund të ndahej nga i Biri. Për besimtarët është logjike, është normale. Jeta e saj, e filluar në mënyrë të jashtëzakonshme, me lindjen pa mëkat, duhej edhe të përfundonte në mënyrë të jashtëzakonshme.

Papa Piu XII e di mirë se të krishterët besojnë ngultas në Të ngjiturit e Marisë në qiell. E di edhe se shenjtorët më të mëdhenj, prej shekujsh, shkruajnë për këtë ngjitje të mrekullueshme. Po kjo nuk mjafton për të shpallur një dogmë. Është fjala për një akt tepër të rëndësishëm, që nuk mund të vendoset lehtë, sepse sapo të shpallet dogma, bëhet e vërtetë absolute për të gjithë të krishterët, pjesë përbërëse e fesë së tyre e nuk mund ta vënë më në dyshim.

Prandaj Papa, para se të vendosë, u drejton një letër të gjithë ipeshkvijve të botës, duke kërkuar edhe mendimin e tyre. Rezultatet flasin vetë: 94% e ipeshkvijve të mbarë botës i përgjigjen menjëherë kërkesës së Papës e, ndërmjet tyre, njëmijë e njëqind e gjashtëdhjetë e nëntë e miratojnë dogmën; gjashtëmbëdhjetë e pranojnë Të ngjiturit e Zojës në qiell, por janë të pasigurt në se duhet bërë dogmë; gjashtë mendojnë se ndoshta nuk është e nevojshme që Të ngjiturit e Zojës së Bekuar në qiell të bëhet e vërtetë e zbuluar. Piu XII mori përgjigjen që priste dhe e shpalli dogmën e të Ngjiturit të Zojës në qiell me shpirt e me trup.

15 gusht 2018, 07:06