Cerca

Vatican News
 Trafiku i njerëzve në Kenia Trafiku i njerëzve në Kenia 

Trafiku: Karitaset evropiane dhe mesdhetare bashkojnë forcat për të mbrojtur viktimat dhe fëmijët

Karitaset evropiane e mesdhetare bashkojnë forcat për t’iu kundërvënë trafikut të qenieve njerëzore, posaçërisht për t’i mbrojtur fëmijët.

R. SH. - Vatikan

Karitaset evropiane e mesdhetare bashkojnë forcat për t’iu kundërvënë trafikut të qenieve njerëzore, posaçërisht për t’i mbrojtur fëmijët. Projekti, që parashikon realizimin e një studimi shkencor ndërkufitar, do të realizohet nga organizatat rajonale(Karitasi Lindja e Mesme e Veri Afrika, dhe Karitasi Evropian) si dhe 9 Karitase kombëtare (Shqipëria, Bosnja, Franca, Jordania, Libani, Kosova, Sllovenia, Sllovakia dhe Ukraina). Nisma organizohet në lidhje me Ditën ndërkombëtare kundër trafikut të qenieve njerëzore, që do të kremtohet më 30 korrik.

Objektivi i studimit - shpjegon Karitas Evropa - është të jepet ndihmesa për të përmirësuar praktikat e asistencës për viktimat e shpëtuara, duke u vënë në dispozicion të dhëna mbi ndikimin e trafikut, si dhe për të përdorur metoda të reja, më të frytshme në mbështetjen e tyre gjatë procesit të rehabilitimit.

Studimi krijon kushtet për të propozuar mjete e teknika  të reja, për të   identifikuar më mirë, për të parandaluar e për të luftuar veprimtarinë e trafikantëve, duke nxitur njëkohësisht, vetëdijen e grupeve në rrezik, të forcave të rendit e të opinionit publik.

E kjo, edhe pse trafikantët janë shumë të organizuar e po përdorin teknologji gjithnjë më të stërholluara, për një xhiro shumëmiliardshe fitimesh. Eshtë studim vërtet i nevojshëm - pohon Geneviève Colas, përfaqësuese Karitasit Evropa - për t’iu kundërvënë trafikut të qenieve njerëzore. “Edhe pse lufta kundër trafikantëve është përmirësuar shumë vitet e fundit, këta kriminelë po gjejnë mënyra e rrugë të reja për t’i shtënë në dorë viktimat e tyre”.

Relatorja e posaçme e Kombeve të Bashkuara për trafikun e qenieve njerëzore, Maria Grazia Giammarinar, i ftoi Karitaset t’ua paraqesin këshillat e tyre liderëve qeveritarë në Këshillin për të drejtat njerëzore  të OKB-së. Ndërmjet këtyre këshillave, formimi i posaçëm për të gjithë veprimtarët në këtë fushë, krijimi i mundësive që viktimat t’i rindërtojnë jetët e tyre e edhe ndihma për të mos u riatdhesuar, kur mund të vihen përsëri në rrezik jete, në viset e tyre.

29 korrik 2018, 12:14