Versioni Beta

Cerca

Vatican News
2018-01-31 interno abbazia vetrate 2018-01-31 interno abbazia vetrate 

Shenjtorët e javës 21-29 korrik

Liturgjia, në Ungjillin e Markut, na kujton ftesën e Jezusit drejtuar nxënësve të lodhur nga misioni, të shkojnë me Të për të pushuar e për t’u formuar sipas zemrës së Tij Hyjnore. Po Jezusi pa edhe një mori njerëzish të çorientuar, si delet pa bari, të braktisur. Jezusi e di se, më tepër se për bukë e shërim të trupit, njerëzit kanë nevojë për një zë që t’i ngushëllojë, për një fjalë shprese.

R. SH. - Vatikan

E diel 22 korrik, Kisha kremton të dielën e 16-të gjatë vitit, e gjithnjë më 22 korrik, kalendar përkujton shën Maria Madalenë. Liturgjia e kësaj së diele në Ungjillin e Markut, na kujton ftesën e Jezusit drejtuar nxënësve të lodhur nga misioni, që të shkojnë me Të për të pushuar e për t’u formuar sipas zemrës së Tij Hyjnore. Po Jezusi pa edhe një mori njerëzish të çorientuar, si delet pa bari, të braktisur. Dhe i prekur thellë në zemër për gjendje e tyre të mjerueshme, pa i lënë anash nxënësit, u kujdes për turmën e popullit. Jezusi e di se, më tepër se për bukë e shërim të trupit, njerëzit kanë nevojë për një zë që t’i ngushëllojë, për një fjalë shprese.

Të hënën më 23 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Brigjidën, rregulltare, Pajtore e Evropës. Liturgjia na kujton se Jezusi u fton të gjithë të krishterëve të cilët duhet t’i shërbejnë mbarë tokës, duke u bërë për të kripë e dritë për njerëzimin. Liturgjia e ditës, përmes shëmbëlltyrës së grurit e të egjrës na kujton se Zoti nuk ndërhyn menjëherë, në mënyrë të bujshme, në historinë e njeriut. Pret. Por në fund e keqja eliminohet. Mbretëria e Hyjit rritet pak nga pak në heshtje e me efikasitet.

Të martën më 24 korrik, kalendari përkujton shën Sharbel Maklufin, meshtar dhe shën Kristinën, virgjër e martire. Këta shenjtorë me jetën e tyre na nxisin të meditojmë se detyra kryesore e njeriut është të bëjë vullnetin e Zotit. Detyrat e kërkesat e tjera të panumërta të jetës njerëzore, që nga ato të familjes, tek detyrat e punës, janë të gjitha të dorës së dytë e të gjitha të varura pikërisht nga vullneti i Zotit.

Të mërkurën më 25 korrik, kalendari përkujton shën Jakun apostull. Jaku, i lindur në Betsaide, ishte vëllai i shën Gjonit ungjilltar e i biri i Zebedeut dhe i Salomesë, që banonin në brigjet e liqenit të Tiberiades. E ndoqi Jezusin pas që nga fillimet e predikimit të Tij, menjëherë pas Simonit e Andreut. Lindi, pastaj, kolegji i Dymbëdhjetë Apostujve, të cilët qenë dëshmitarë të Shndërrimit të Krishtit, të ringjalljes të së bijës së Jairit e të natës më tragjike të njerëzimit, asaj të Gjetsemanit.

Të enjten më 26 korrik, kalendari kishtar përkujton shenjtorët Joakimin e Anën, prindërit e së Lumes Mari Virgjër dhe gjyshi e gjyshja e Jezusit, që së bashku me të drejtët e prisnin ardhjen e Mesisë. Liturgjia na kujton se lumnia e vërtetë e nxënësve të Krishtit është të arrijnë të shohin me sytë e tyre e të dëgjojnë me veshët e tyre Jezusin, atë, që profetët dhe të drejtët e dëshiruan me gjithë zemër, por s’e panë, as s’ e dëgjuan.

Të premten më 27 korrik, korrik kalendari përkujton shën Pantaleonin, mjek e martir dhe shën Çelestinin I, papë. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi i shpall të lum ata që e mirëpresin Atë dhe Fjalën e Tij.

Të shtunën më 28 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Urbanin II papë, shën Nazarin e Çelsin, martirë milanezë dhe shën Vitorin papë. Liturgjia e ditës na kujton se fara e mirë shkon dëm në se nuk bie në tokë pjellore. Duhet të jemi, prandaj, tokë e mirë, që fara e Ungjillit të japë fryt në shpirtin tonë.

Të dielën e ardhshme më 29 korrik, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 17-të gjatë vitit liturgjik, e gjithnjë më 29 korrik kalendari përkujton Shën Martën, shën Lazrin, shën Olafin, shenjtorët Simpliçin, Faustinin, Beatriçjën, Feliçin e Rufin, martirë. Liturgjia e ditës na kujton se ata që e kanë zemrën e pastër do të banojnë në shtëpinë e Zotit. Duke u ndaluar te Marta, kujtojmë se mënyra se si e pret Jezusin është ikonë e shërbimit të vërtetë. Por Krishti kërkon më parë dëgjimin e vëmendshëm të fjalës së Zotit, pastaj shërbimin.

 

22 korrik 2018, 12:35