Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Sant'Adriano III, Basilica di san Paolo fuori le mura Sant'Adriano III, Basilica di san Paolo fuori le mura 

Më 9 korrik kalendari përkujton shën Adrianin III, Papë

Shën Adriani III qe Papë ndërmjet viteve 884-885. Papnia e tij e shkurtër, qe plot trazira. Mbajti qëndrim pajtues ndaj Patrikut të Kostandinopojës, Focit.

R. SH. - Vatikan

Shën Adriani III Papë, i pagëzuar me emrin Agapito, qe Papë ndërmjet viteve 884-885. Të pakta janë të dhënat për jetën e tij. Dihet se lindi në Romë, se u zgjodh papë më 17 maj 884 e se papnia e tij e shkurtër, qe plot trazira. Vdiq në Spilamberin e sotëm, pranë qytetit italian Modena, në shtator të vitit 885, ndërsa ishte në shtegtim drejt Uormsit, pasi qe thirrur nga Karli III, mbret i frankëve, për të siguruar vazhdimësinë e Perandorisë së Shenjtë Romake dhe për të diskutuar lidhur me rrezikun e saraçenëve, që vijonin të forcoheshin, duke krijuar kërcënime të reja për botën e krishterë. Papa Adriani III u varros në manastirin e Nonantolës në Modena.

Dihet, gjithashtu se mbajti qëndrim pajtues ndaj Patrikut të Kostandinopojës, Focit, por nuk dihen me saktësi shkaqet e nderimit të tij si shenjt. Këto shkaqe ndoshta duhen kërkuar në ndihmën e jashtëzakonshme që i dha Romës gjatë një periudhe kur vuante nga zija e bukës. Kulti i Shën Adrianit papë, që u kremtua sot, nis që në vitin 1891.

09 korrik 2018, 12:19